Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Donetsku e Luhansku i kërkojnë ndihmë ushtarake Rusisë

Udhëheqësit separatistë të Donetskut dhe Luhanskut, Denis Pushilin dhe Leonid Pasechnik, folën të mërkurën për “përkeqësim të situatës në Donbas”, rajon që përfshin dy rajonet dhe i kërkuan Moskës zyrtare ndihmë ushtarake.

Ata iu drejtuan presidentit rus Vladimir Putin me kërkesë për të ndihmuar, siç thanë ata, “në zmbrapsjen e agresionit të Forcave të Armatosura të Ukrainës si dhe për të shmangur viktimat civile në Donbas”.

Këtë e ka bërë të ditur sekretari për media i Putinit, Dmitry Peskov.

“Presidenti i Federatës ruse, Vladimir Putin, mori letra nga krerët e Republikës Popullore të Luganskut dhe Republikës Popullore të Donetsk, Leonid Pasechnik dhe Denis Pushilin”, tha ai, raportojnë mediat e huaja. “Apelet theksojnë se në këtë moment, për shkak të rëndimit të situatës dhe kërcënimeve nga Kievi, qytetarët e republikave janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Evakuimi i tyre drejt Rusisë po vazhdon. Veprimet e regjimit të Kievit dëshmojnë për mosgatishmërinë për të ndalur luftën në Donbas”.

Sipas apelit që i është bërë Putinit, "Kievi vazhdon të forcojë praninë e tij ushtarake, ndërsa po merr mbështetje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë mbështetjen ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore”.

Rusia njohu Donetskun dhe Luhanskun si republika të pavarura të hënën mbrëma, gjë që nxiti reagime të mëdha në botë.

Këto dy rajone janë në lindje të Ukrainës dhe separatistët pro-rus kontrollojnë një pjesë të këtyre territoreve që nga viti 2014, kur shpërtheu lufta.

Artikuj të ngjashëm