Në Ukrainën lindore, civilët janë strehuar nëpër bunkerë shkaku i bombardimeve të njëpasnjëshme në Donbas.
Të rralla janë ndërtesat që nuk janë bombarduar në qytetin Soledar në rajonin e Donetskut. Vendësit janë fshehur nëpër bodrume me frikën dhe pasigurinë se kur mund të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.
“Kjo luftë është e gabuar. Përse civilët duhet të vuajnë? Përse kanë ikur aq shumë njerëz? Edhe sa kanë mbetur këtu dhe sa gjatë duhet të vazhdojnë të ikin nëpër Ukrainë”, ka thënë Dimetri Yesypenko, zyrtar i qytetit Soledar
Nila Kovalyova i ftoi gazetarët brenda shtëpisë së saj të dëmtuar për të treguar një fotografi me kornizë të vajzës së saj 28-vjeçare e cila u vra në Mariupol.
“Ajo është më e dashura jonë. Ky është kujtimi që kemi për të. Do të jetë në mendjen time. Kujtimi për të është në mendjen dhe zemrën time. Zemra nuk mund ta pranojë humbjen e saj. Asnjë zemër e nënës nuk mundet ta pranojë”, ka thënë Nila Kovalyova, banore e Soledarit.
Një vajzë e re u këndoi mediave brenda bunkerit të tyre të improvizuar, diçka që ajo e bën rregullisht për t’i bërë ata që janë brenda të ndihen pak më mirë.
Brenda bunkerit është edhe mësuesja vendëse, Oleksandra Kolchenko, e cila thotë se të jetosh pa ujë ose energji elektrike mund të përballohet, ama “kur shpërthimet janë afër, gjithçka është e tmerrshme”.
Edhe
Ukrainasit gjithnjë e më të gatshëm për lëshim territori në këmbim të paqes
Qeveria e udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur se lufta e Rusisë tani është përqendruar në Donbas.
Të shtunën është raportuar se Rusia ka pushtuar krejtësisht qytetin e Mariupolit që në tre muajt e fundit është bërë rrafsh me tokë nga bombardimet.
Gjatë javës, më shumë se 1 mijë e 700 ushtarët që po mbanin fortifikatën e fundit në fabrikën e çelikut në Mariupol, janë dorëzuar tek ushtria ruse.