Një sistem ndërkombëtar për shpërndarjen e vaksinave për COVID-19 supozohej të garantonte që vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mund të merrnin doza pa pritur të fundit në radhë dhe në mëshirën e donacioneve jo të besueshme.
Nuk ka funksionuar kështu. Vetëm në fund të qershorit, nisma e njohur si COVAX dërgoi rreth 530,000 doza në Britani - më shumë se dyfishi i sasisë së dërguar atë muaj në të gjithë kontinentin e Afrikës.
Ndërsa vendet e varfra iu bashkuan COVAX-it për të marrë doza në formën e donacionit, vendet me të ardhura më të larta u joshën që të bashkoheshin për t’u siguruar në rast se marrëveshjet e tyre private të vaksinave dështonin. Shumica e vendeve të pasura kanë refuzuar të blejnë doza nga COVAX-i pasi kanë fituar mjaftueshëm përmes marrëveshjeve private. Por disa, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, u futën në furnizimin e programit edhe pasi rezervuan shumicën e vaksinave të koronavirusit në botë.
Rezultati është se vendet më të varfra kanë arritur pikërisht në situatën e vështirë që COVAX-i duhej të shmangte: të varura për donacione nga tekat dhe politikat e vendeve të pasura, ashtu siç kanë qenë shpesh në të kaluarën. Dhe në shumë raste, vendet e pasura nuk duan të dhurojnë sasi të madhe para se të përfundojnë vaksinimin e të gjithë qytetarëve të tyre.
"Nëse do të kishim provuar të ndalonim vaksinat nga pjesë të botës, a do ta kishim bërë atë më keq se sa është sot", ka ngritur pyetjen foktori Bruce Aylward, një këshilltar i lartë në Organizatën Botërore të Shëndetit.
Shtetet e Bashkuara nuk morën asnjë dozë përmes COVAX-it, megjithëse Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re morën, raporton Associated Press.
Ndërkohë, Venezuela nuk ka marrë ende asnjë nga dozat e saj të ndara nga COVAX. Haiti ka marrë më pak se gjysmën e asaj që i ishte ndarë, Siria rreth një të dhjetën. Në disa raste, thonë zyrtarët, dozat nuk u dërguan sepse vendet nuk kishin një plan për t'i shpërndarë ato.
Zyrtarët britanikë konfirmuan se Britania e Madhe mori rreth 539,000 doza vaksine në fund të qershorit dhe se ajo ka mundësi për të blerë 27 milionë doza të tjera përmes COVAX-it.
Megjithëse numri i vaksinave që blihen nga vende të pasura si Britania përmes COVAX-it është relativisht i vogël, furnizimi jashtëzakonisht i kufizuar global do të thotë se ato blerje rezultojnë në më pak doza për vendet e varfra. Deri më tani, programi ka dhënë më pak se 10 për qind të dozave të premtuara.