Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

COVAX mund të dështojë, shtetet e varfra rrezikojnë të mbesin pa vaksinë deri më 2024

Skema globale për shpërndarje të vaksinës kundër koronavirusit në shtetet e varfra, përballet me rrezik “shumë të madh” të dështimit, duke lënë vendet me miliarda njerëz pa qasje në vaksina deri të paktën më 2024, është thënë në një dokument të brendshëm, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, përbën skemën kryesore globale të vaksinimit kundër koronavirusit në shtetet me të ardhura të ulëta apo të mesme në gjithë botën.

Ky program synon të shpërndajë të paktën 2 miliardë doza të vaksinës deri në fund të vitit 2021, për të mbuluar 20 për qind të njerëzve më të brishtë në 91 shtete me të ardhura të ulëta apo të mesme, kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine.

Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, synojnë të furnizohen me vaksinën kundër sëmundjes, COVID-19 - që shkakton ky virus - përmes këtij programi.

Sipas Faik Hotit nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova është futur në listën e shteteve të cilave ky program do t’ua sigurojë nga 20 për qind të vaksinave kundër COVID-19 falas, apo 360 mijë doza. Pjesa tjetër pritet të blihet nga buxheti i shtetit, ku Kosova ka paraqitur shprehjen e interesit në këtë aleancë përmes marrëveshjeve që aleanca kryen me prodhuesit e vaksinave.

Edhe Donacionet me vaksina për vendet e varfra nuk funksionuan sipas planit Botë Donacionet me vaksina për vendet e varfra nuk funksionuan sipas planit

Mirëpo në një dokument të brendshëm, të cilin e ka parë Reuters, promovuesit e kësaj skeme kanë thënë se programi është duke u përballur me mungesë të fondeve, me rreziqe të furnizimit dhe kontrata komplekse, të cilat mund ta bëjnë të pamundshme arritjen e këtyre synimeve.

“Rreziku i dështimit për të ndërtuar një skemë të suksesshme COVAX është shumë i madh”, është thënë në dokumentin e brendshëm për bordin e Gavi-t, një aleancë qeverish, për kompanitë e ilaçeve, shoqatat e bamirësisë dhe organizatat ndërkombëtare që merren me fushata e vaksinimit global.

Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin Gavi udhëheq COVAX-in bashkë me OBSH-në.

Ky raport dhe dokumente tjera të përgatitura nga Gavi, janë duke u diskutuar në takimin e bordit të Gavit nga 15 deri më 17 dhjetor.

Dështimi i krijimit të një skeme të suksesshme mund të lë njerëzit në vendet e varfra pa qasje në vaksina për COVID-19, deri më 2024, tregojnë dokumentet.

Rreziku i dështimit është më i madh sepse skema është krijuar shumë shpejt duke vepruar në “territor të panjohur”, është thënë në raport.

Gavi ka angazhuar muajin e kaluar kompaninë Citigroup, për të ofruar këshilla rreth asaj se si të përballen me rreziqet e financimit.

Edhe “Pabarazi shokuese” në shpërndarjen e vaksinave në botë Botë “Pabarazi shokuese” në shpërndarjen e vaksinave në botë

Në një dokument të 25 nëntorit, që është përfshirë në dokumentet e dorëzuara te bordi i Gavit, këshilltarët e kompanisë Citi kanë thënë se rreziku më i madh i programit qëndron në një pikë të kontratës, që u mundëson shteteve të mos blejnë vaksinat e porositura përmes skemës COVAX.

Një mospërputhje në mes të furnizimit me vaksina dhe kërkesës “nuk është një rrezik tregtar i zvogëluar në mënyrë efikase nga tregu ose MDB", kanë thënë këshilltarët e kompanisë Citi, duke iu referuar bankave shumëpalëshe të zhvillimit, sikurse si Banka Botërore.

“Prandaj, një gjë e tillë duhet zvogëluar përmes negociimit të kontratave apo përmes absorbimit të rrezikut nga Gavi që menaxhohet me kujdes nga struktura qeverisëse”.

Të pyetur për këto dokumente, një zëdhënës i Gavit, ka thënë se ky trup vazhdon të jetë i bindur se mund të arrijë synimet.

“Do të ishte e papërgjegjshme që të mos analizohen rreziqet për një mision kaq të madh dhe kompleks, dhe të krijohen politika dhe instrumente që zbusin këto rreziqe”, ka shtuar ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është përgjigjur për të komentuar këtë çështje. Në të kaluarën OBSH-ja ka lënë Gavin që të komentojë publikisht për programin COVAX.

Edhe Paralajmërohet se shtetet e varfra po dështojnë me vaksinën anti-COVID Botë Paralajmërohet se shtetet e varfra po dështojnë me vaksinën anti-COVID

Zyrtarët e Citibank kanë thënë përmes një deklarate: "Si këshilltarë financiarë, ne jemi përgjegjës për t’i ndihmuar Gavit që të planifikojë një varg skenarësh lidhur me objektin COVAX dhe për mbështetje të përpjekjeve të tyre për të zbutur rreziqet potenciale”.

Të plotë mund ta gjeni në Radio Evropa e Lirë