Qindra romë të Ukrainës i pret një e ardhme e pasigurt në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, pasi shumicës prej tyre u mungojnë dokumentet.
Arena sportive “Manej” e kryeqytetit të Moldavisë, dikur vend i atletëve për gara dhe stërvitje, tashmë është shndërruar në strehë për 800 romë që u larguan nga Ukraina pas pushtimit rus.
Kristina, 41 vjeçare, është një prej tyre. Ajo humbi gjithçka që kishte pasi Rusia bombardoi shtëpinë e saj në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv. “Shtëpitë e njerëzve dhe qendra e qytetit janë shkatërruar, nuk ka mbetur më gjë”, thotë ajo për Al Jazeeran.
Teksa bombat po shkatërronin shtëpinë e saj, gjithçka që mund të bënte ishte të kapte fëmijët dhe të largohej. Tani, ajo ka mbetur pa dokumente dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë më tej.
"Nëse një bombë bie në shtëpinë tuaj dhe dëgjoni të shtënat e tankeve, çfarë do të merrni më parë, dokumentet apo fëmijët tuaj", pyeti ajo. Kristina udhëtoi nga Kharkivi në Lviv, më pas në kufirin moldav. Por atje, tha ajo, kaloi katër ditë në të ftohtë duke pritur për të hyrë në Moldavi, pa ushqim dhe pa ujë.
Pasi gjetën strehë, ajo dhe romët e tjerë u përzunë nga tendat e tyre nga autoritetet ukrainase.
Kristina është një nga 400,000 romët e Ukrainës, të cilët, përveç traumës së luftës, përballen edhe me diskriminim gjatë kalimit të tyre nga Ukraina. Shumë prej tyre kanë qenë gjithmonë pa dokumente, kurse të tjerëve u humbën gjatë luftës. Pra, të gjithë kanë mundësi të kufizuara se ku mund të shkojnë. Por sfida më e vështirë për ta është ndarja e familjes, e cila vlerësohet më së shumti se çdo gjë tjetër në kulturën rome.
Ngjarje traumatike
Larisa po tregonte historinë se si është përzënë me "armë të mëdha" nga autoritetet ukrainase, gjersa mbesa e saj ishte ulur pranë saj.
"Ne kemi fjetur në të ftohtë së bashku me fëmijët tanë. Djali im kishte temperaturë, por për fat, ata i dhanë pilula", tha Larisa, duke shtuar se bodrumi në të cilin rrinin ishte i errët dhe se flinin në dërrasa të lagështa.
Me të arritur në Lviv, Larisa dhe familja e saj u pritën mirë. Por për shkak se kishte shumë njerëz, ata nuk mund të merrnin bukë mjaftueshëm për të ushqyer gjithë familjen e saj, tha ajo. Ajo humbi bashkëshortin e saj në stacionin e trenit. “Kurrë nuk e gjeta më”, tha ajo. Gjatë kalimit të kufirit, i biri i saj u ndalua dhe u dërgua t’i bashkohet ushtrisë ukrainase.
“E kuptoj se ky është ligji, por nuk mund të jetoj pa djalin dhe bashkëshortin tim”, tha Larisa.
Megjithatë, jo të gjithë romët u diskriminuan. Elizabeta dhe fëmijët e saj u larguan nga Kievi me lehtësi dhe ajo mendon se ishin pasaportat ukrainase ato që i ndihmuan ata. Mirëpo, ajo ka mbetur pa para dhe nuk ka plane se çfarë të bëjë tutje.
“Nëna ime do të vendosë se ku të shkojmë, por tani për tani do qëndrojmë këtu”, tha Izabela. “Nuk kemi para, kemi nevojë për këto gjëra falas që ofrohen këtu, ngase nuk kemi asgjë, madje as rrobat nuk i kam marrë”.
Lidhjet e forta familjare
Familje të mëdha, disa prej të cilave deri në 50 anëtarë, presin se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre. Për shkak të këtij numri, shumica e familjeve rome nuk kanë mundur të gjejnë strehim në Moldavi.
Izabela erdhi në Moldavi me katër fëmijë, nënën, motrën dhe kunatin, të cilët gjithashtu kanë tre fëmijë. Familjet e gjera në komunitetin rom kanë pasur vështirësi për të gjetur vend dhe hapësirë për të fjetur. Familjet tjera gjejnë apartamente, por për familjet rome ndonjëherë është e pamundur.
Autoritetet e Moldavisë vendosën të ndajnë refugjatët romë nga ukrainasit etnikë, në mënyrë që të parandalojnë tensionet midis dy etnive dhe për të siguruar më mirë nevojat e tyre specifike.
Njerëzit sillen nga pikat kufitare të Moldavisë me Ukrainën, më pas ata dërgohen në Moldexpo, ish-sallë ekspozite ndërkombëtare e kthyer në pikë testimi për COVID përpara se të bëhej qendër pritjeje për refugjatë.
Përktheu: Leutrime Rekaliu