Botë

Sulmi në kishën në Michigan, një i vdekur dhe nëntë të lënduar

Michingan

Të paktën një person ka vdekur dhe nëntë të tjerë janë plagosur pas sulmit me armë dhe zjarr në një kishë në Michigan, sipas policisë lokale.

Zyrtarët thanë se kishte një incident me një person që hidhte zjarr në kishën në Grand Blanc, një qytet 60 milje në verilindje të Detroitit, mëngjesin e së dielës.

"Ka viktima të shumta dhe sulmuesi është neutralizuar," tha policia fillimisht.

Autoritetet megjithatë ende nuk kanë identifikuar personin që kreu sulmin apo motivin e tij, por Departamenti i Policisë i Grand Blanc Township, tha se nuk ka kërcënim të mëtejshëm për publikun dhe se zjarri është vënë nën kontroll.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha në një postim në X se kishte marrë informacione për "çfarë duket të jetë një sulm dhe zjarr i tmerrshëm" në kishë.

Ajo shtoi se agjentë të FBI-së dhe Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Explozivëve ishin në rrugë për në vendngjarje.

"Një dhunë e tillë në një vend adhurimi është shkatërruese dhe tmerruese. Ju lutem bashkohuni me mua në lutjet për viktimat e kësaj tragjedie të tmerrshme.", shkroi ajo
Edhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi në një deklaratë se agjentët federalë ishin në rrugë për të ndihmuar autoritetet lokale. Ai e quajti incidentin "një akt të poshtër dhe kriminal".

E në një deklaratë të veçantë, guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer, tha: "Dhuna kudo, veçanërisht në një vend adhurimi, është e papranueshme," duke shtuar se po ndjek nga afër situatën.


Disa të plagosur pas sulmit në një kishë në Michigan

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në një kishë në Michigan. Sipas autoriteteve lokale, disa persona u plagosën pas një sulmi me armë zjarri dhe më pastaj edhe një zjarr shpërtheu në kishë. 

Autoritetet poashtu konfirmuan se autori i sulmit është neutralizuar dhe nuk përbën më rrezik, raporton BBC.

Ende nuk është dhënë një numër i saktë i të plagosurve apo më shumë detaje rreth gjendjes së tyre shëndetësore, por raportohet se mes viktimave ka edhe fëmijë. Gjithashtu, në kamionin e autorit të dyshuar u gjet një mjet shpërthyes i improvizuar.

Kisha ndodhet në një zonë rezidenciale rreth 96 kilometra në veri të Detroitit. Autoritetet lokale kanë ngritur një qendër për ribashkimin e familjeve të të prekurve dhe janë duke vazhduar hetimet për këtë rast.

Për momentin nuk ka informacion mbi motivet e sulmit apo emrin e autorit.

Në vendngjarje ndodhen agjentë të FBI-së dhe Eksplozivëve (ATF), të cilët po bashkëpunojnë me policinë lokale.