Botë

Dhjetëra tonë bërllok vërshojnë Drinën

Shtetet ballkanike në javën e fundit janë përballur me shi të madh dhe përmbytje. Mirëpo përveç dëmeve që ka bërë natyra, ka shpërfaqur edhe dëmet që njeriu ia ka bërë natyrës. Ndjekim reportazhin për mbeturinat në lumin Drina në Bosnjë

(AP) - Shishe plastike, fuçi të përlyera, madje edhe frigoriferë të vjetër janë pjesë e dhjetëra tonë bërllok që kanë bllokuar lumenjtë në Bosnjë.

Në lumin Drina që rrjedh mes Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës, bërlloku ka ngecur në një pjesë të lumit afër pendës hidroelektrike, duke krijuar një ishull gjigant bërlloku.

Mbeturinat vazhdojnë të tubohen shkaku i shiut të madh në shtetet e Ballkanit, thonë ambientalistët

“Siç mund ta shihni, mbeturinat vazhdojnë të vijnë. Ditët e fundit patëm shumë reshje shiu dhe përmbytje, një prurje e madhe uji nga Mali i Zi, i cili tani, për fat të mirë, po zvogëlohet. Fatkeqësisht, fluksi i plehrave nuk ka të ndalur”, ka theksuar aktivisti I mjedisit, Dejan Furtula.

Shirat e rrëmbyeshëm dhe moti jashtëzakonisht i ngrohtë gjatë javës së kaluar kanë bërë që shumë lumenj dhe përrenj në Bosnjë, Serbi dhe Mal të Zi të vërshohen, duke përmbytur zonat përreth dhe duke detyruar shumë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Temperaturat ranë në shumë zona të premten pasi shiu u shndërrua në borë.

Rreth 10 mijë metra kub mbeturina vlerësohet të jenë grumbulluar ditët e fundit në lumin Drina pas barrierës së plehrave pranë Vishegradit.

E njëjta sasi është nxjerrë nga lumi vitet e fundit, punë që mesatarisht zgjat deri në gjashtë muaj.

Çdo vit, mbetjet përfundojnë në deponinë komunale në Vishegrad, i cili, sipas ambientalistit Dejan Furtula, nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për t’i trajtuar mbetjet e qytetit.

“Pa fajin tonë, Komuna e Vishegradit është kthyer në lokacion rajonal të mbeturinave. Ne nuk marrim asnjë kompensim për pastrimin e këtyre mbetjeve. Zjarret në deponinë komunale janë gjithmonë të ndezura. Ky është problem i madh”, ka shtuar Furtula.

Përveç ndotjes së lumenjve, shumë shtete të Ballkanit Perëndimor kanë probleme të tjera mjedisore.

Një nga më të ngutshmet është ndotja jashtëzakonisht e lartë e ajrit që prek një sërë qytetesh në Ballkan.