Arbëri

Bërllok me lumenjtë

Raporti i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit thotë se në shumë pjesë të lumenjve, ekosistemet ujore janë shkatërruar plotësisht, duke prekur drejtpërsëdrejti florën dhe faunën lokale. Aty theksohet se lumenjtë dhe brigjet e tyre janë të pasura me larmi të drurëve dhe shkurreve, porse të gjitha janë të kërcënuara nga procesi i degradimit. Ngjashëm është situata edhe me faunën. E një analizë e realizuar nga organizata joqeveritare PEN (Peer Educators Network), në bashkëpunim me Institutin Hidrometeorologjik, tregon se biodiversiteti i jetës ujore veçanërisht në lumin Llap është në zhdukje si pasojë e ndotjes

Fëshfërimën e qetë që e shoqëronte rrjedhën e lumit, tani e ka zëvendësuar zhurma e qeseve plastike që përplasen në degët e drurëve. Paketat e zbrazëta lundrojnë mbi sipërfaqen e ndotur, ndërsa bregu është mbuluar nga mbeturina që nuk i përkasin natyrës.

Era e freskët që dikur vinte nga uji, është mbërthyer nga kundërmimi që burim ka plehrat dhe ujërat e zeza. Lumi nuk rrjedh më – ai bart ndotjen, që askush nuk ndërhyn ta ndalë.

Minire Hamza, një grua nga Gjakova, ka më shumë se pesë dekada që jeton në shtëpinë e cila gjendet vetëm pak hapa larg nga lumi Llukaq, një degë e vogël e lumit Erenik. Të gjitha papastërtitë e lagjes “Sadik Stavileci” dhe të zonave përreth përfundojnë këtu, afër oborrit të saj.

Ajo është dëshmitare e degradimit që ka pësuar lumi, nga viti në vit.

“Për neve, e sidomos për fëmijët, është shumë e dëmshme, sepse e ka një aromë shumë të rëndë, tash edhe kuptohet se kanalizimi e këto. Por edhe përpara, para luftës e ka pasur këtë aromë. Përpara ka qenë fabrika e tekstilit këtu dhe të gjitha mbetjet derdheshin në këtë lumë. Gjithmonë aromën e ka pasur të rëndë. Ne nuk e përdorim ujin për asgjë. Çdo shtëpi që e ka afër lumin. d.m.th. shtëpitë afër lumit, e pastrojmë vetë lumin sepse kurrkush nuk vjen për ta pastruar lumin, as kurrë nuk kam parë dikë që vjen për ta pastruar”, thotë Hamza.

Vetëm dimrit, kundërmimi pushon, meqë temperaturat bien. E me të mbërritur pranvera, ndërron gjithçka.

Minire Hamza thotë se nga era e rëndë, është i pamundur qëndrimi në oborr.

Djali i saj, Leutrimi, kujton vitet kur së bashku me babanë e tij tashmë të ndjerë, peshkonin në lumë, kohë kur në të ende nuk derdheshin ujërat e zeza të lagjes.

“Siç po e shihni edhe vetë ende nuk është koha e verës edhe çfarë arome ka, është shumë e dëmshme, është shumë e rrezikshme sidomos për fëmijët. Gjithashtu është rreziku edhe nga zvarranikët. Më herët, kohë pas kohe këtë lumë e kemi përdorur për peshkim sepse ka qenë më i pastër por tash është ndotur nga ujërat e zeza dhe kanalizimet, sepse krejt kjo pjesa e lagjes, kanalizimi i derdhët këtu.. e është zhduk edhe peshkimi”, thotë Leutrim Hamza.

Vetëm pak metra larg nga kjo zonë ndodhet qendra e Gjakovës, nëpërmjet së cilës kalojnë dy lumenj: Ereniku dhe Krena.

Lumi që rrjedh poshtë Urës së Vjetër të qytetit është Krena – që historikisht ka pasur rëndësi për jetën tregtare dhe zejtare të qytetit. Aktualisht, pjesë të shtratit dhe të brigjeve të lumit janë të mbuluara me mbeturina që hidhen në mënyrë të vazhdueshme. Edhe në pjesë të tjera të Kosovës, situata nuk është më e mirë.

Në mungesë të sistemit të organizuar për mbledhjen e mbeturinave, banorë të shumë fshatrave të Vitisë i derdhin ato në lumenj. Tani, Morava e Binçës, nga një rrjedhë natyrore, është shndërruar në vendgrumbullim të hapur të bërllokut. Ky lumë nis rrugëtimin nga Malet e Karadakut, kalon nëpërmjet fshatrave të Vitisë dhe të Gjilanit, dhe e ndan qytetin e Vitisë në dy anë.

Ura të vogla të ndërtuara mbi të lidhin lagje e fshatra, por në rrjedhën e poshtme, lidhja me natyrën është zbehur. Morava nuk përdoret më as për ujitje, e fryma dhe reshjet nuk janë të mjaftueshme për t’i larguar mbeturinat që kanë zënë vend në shtratin e saj.

Afër lumit ka shtëpinë Rexhep Ramadani. Ai thotë se është sfiduese të jetosh në një hapësirë që kundërmon.

“Lumi është i ndotur shumë edhe me mbeturina por nga kanalizimet sepse kanalizimet bien në lumë dhe verës ka edhe aroma, vjen era nga ndotja prej kanalizimeve. Kemi bërë ankesa kryetarit në Komunë për pastrim por nuk kanë arrit ende me bo diçka. Kërkesa ka qenë që të vijnë për ta pastruar, mos të ketë mbeturina po edhe çështja e kanalizimit po nuk kanë arritur ende. Kanalizimet jo vetëm të fshatit tonë por të gjitha fshatrave përreth të Komunës së Vitisë krejt bien këtu e çështja e kanalizimeve kish me qenë zgjidhja më e mirë edhe normal pastrimi me u bë sadopak i lumit ose edhe kur niveli i lumit rritet po del edhe jashtë shtratit ka pengesa, ka dëme kështu që normal mirë është të pastrohet lumi”, thotë Ramadani, banor i fshatit Nasal.

Edhe Mustafa Abazi, i cili jeton në fshatin Skifteraj, flet për pasojat nga ndotja, ani se shtëpinë nuk e ka afër lumit. Ai kritikon institucionet për mosveprim.

“Është mungesë e inspektoratit që me dalë për të hetuar, zbuluar dhe me u ndërpre ndotja e lumenjve. Komuna ka ndërmarrë masa por prapë kthehet gjendja e njëjtë përderisa nuk bëhet grumbullimi i mbeturinave kjo ka me vazhdu. Na jemi duke jetuar në qeto mbeturina e në këto rrethe. Natyra po na vret çdo ditë. Në përgjithësi është pastruar para 10 vitesh ndoshta te pjesa e urës ku ndotet më shumë pastrohet njëherë në vit mirëpo një aksion njëditor nuk është diçka që është me u pa” , thotë ai.

Jo veç nga mbetjet kanë degraduar lumenjtë. Disa nga rrjedhat janë “varrosur” nga hidrocentralet.

Ndërkaq, një raport i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, i publikuar në vitin 2022, tregon dëmin që lumenjve u është shkaktuar edhe nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit.

“Lumi më i degraduar për nga sipërfaqja është Drini i Bardhë, me një zonë të dëmtuar prej 1393.04 hektarësh, pasuar nga Lumbardhi i Pejës me 257.12 hektarë, të dhëna që përfshijnë periudhën deri në vitin 2018. Në total, deri në atë vit, sipërfaqja e degraduar e lumenjve arrinte në 1762.71 hektarë, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2018 është shënuar një rritje e degradimit për 543.48 hektarë. Trendi i shkatërrimit ka vazhduar edhe pas vitit 2018”, thanë në këtë agjenci.

Krahas Drinit të Bardhë dhe Lumbardhit të Pejës, nga dora e njeriut u është degraduar shtrati edhe Erenikut, Moravës së Binçës, Desivojcës, Krivarekut dhe Ibrit.

Edhe raporti i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit thotë se në shumë pjesë të lumenjve, ekosistemet ujore janë shkatërruar plotësisht, duke prekur drejtpërsëdrejti florën dhe faunën lokale. Aty theksohet se lumenjtë dhe brigjet e tyre janë të pasura me larmi të drurëve dhe shkurreve, porse të gjitha janë të kërcënuara nga procesi i degradimit. Ngjashëm është situata edhe me faunën.

Një analizë e realizuar nga organizata joqeveritare PEN (Peer Educators Network), në bashkëpunim me Institutin Hidrometeorologjik, tregon se biodiversiteti i jetës ujore veçanërisht në lumin Llap është në zhdukje si pasojë e ndotjes. Në të theksohet se uji rezulton i ndotur jo vetëm në lumin Llap, por edhe në lumenjtë Lepenc, Drenica dhe Sitnica.

Në lumenjtë Lepenc dhe Drenica analizat laboratorike kanë treguar se cilësia e ujit në burim është e mirë, por përkeqësohet përgjatë rrjedhës, kryesisht për shkak të derdhjes së ujërave të zeza.

Edhe lumi Sitnica ka rezultuar me cilësi të moderuar të ujit.

Ambientalistja Egzona Shala numëron pasojat që ka ndotja në ekosistem e biodiversitet.

“Nëse këtë ujë ne e kemi të ndotur, e kemi situatën drejtpërdrejt që ne e konsumojmë, nuk po them për ujin e sistemin e pijes por për ujin në hapësirë të cilën e marrim në lumenjtë tanë - është i dëmshëm shumë për prodhimin e ushqimit, është i dëmshëm për bagëtinë, bujqësinë që është në atë zonë, është i dëmshëm për bimët që jetojnë në atë zonë nëse ka. E si arsyetim konkret është fakti që Kosova ka humbur shumë peshq nëpër lumenjtë e vet, është paaftësi e organizmave të këtyre peshqve, që janë edhe organizma indikatorë që na tregojnë çfarë cilësie është… prezenca e tyre na tregon. Ky është ndoshta argumenti më adekuat për të na treguar edhe për të na pasqyruar gjendjen e lumenjve tonë në pika të shkurta”, thotë Shala.

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), vetëm 25 për qind e ujërave të ndotura trajtohen, ndërsa pjesa tjetër përfundon drejtpërdrejt në rrjedhat e lumenjve. Aktualisht, Kosova ka në funksion tri impiante për trajtimin e ujërave të zeza: në Prizren, Skenderaj dhe Junik.

Ndërkaq, shumica e ujërave të zeza që qarkullojnë në kanalizime, derdhen të patrajtuara në lumenj.

Ambientalistja Shala thekson se derdhja e kanalizimeve nëpër lumenj dhe mungesa e inspektimeve nga ana e Ministrisë së Mjedisit janë disa nga shkaktarët kryesorë për gjendjen e rënduar të lumenjve në Kosovë.

“Çka është duke u zhvilluar janë disa prej projekteve të impiantit të pastrimit të ujërave që parimisht janë të vogla në esencë edhe janë projekte të kushtueshme. Kosova për momentin furnizohet dikun 46 për qind prej liqeneve artificiale që i kemi dhe rreth 25 për qind janë prej lumenjve. Por çka është shumë sfiduese që na e kemi identifikuar janë kanalizimet, proceset e kanalizimeve që kalojnë drejtpërdrejt në lumenjtë dhe nuk trajtohen. Deri më tani kemi vetëm 25 për qind të lumenjve tanë të trajtuar para përdorimit të ujërave, që i bie, parimisht nëse e themi me një fjalë adekuate, nëse e marrim Kosovën si shtëpia jonë atëherë lumenjtë tonë janë te pjesa e banjës, nëse e argumentojmë drejtpërdrejt është prej asaj që e shfrytëzojmë për pastrimin e trupit tonë edhe duarve, dhe fytyrës, 20 për qind e saj na shkon drejtpërdrejt nëpër lumenjtë tanë”, thotë ajo.

Ambientalistja Shala shtron nevojën për ndërgjegjësim të qytetarëve dhe e sheh këtë si parakusht për të ndërruar situata me ndotjen.

“Po, ndotja fillon aty prej aspektit të shtëpisë edhe ende e kemi të bazuar këtë thënien që ‘lumi e përpin’ e që ajo na shtyn, si qytetarë, për të keq, për cilindo aspekt që të gjuajmë mbeturinën sepse gradualisht lumi na e largon jashtë syve por atë mbeturinë nuk e përpin, nuk largohet vetëm se kalon nga një pozitë gjeografike në pozitën tjetër dhe qëndron me qindra e mijëra vjet. Lumenjtë nuk i kemi në gjendjen më të mirë të mundshme por edhe përkujdesjen tonë ndaj tyre nuk e kemi fare në rregull”, shprehet Shala.

E, Jeton Oruçi, i cili është këshilltar ligjor dhe institucional në organizatën GIZ, e shtron nevojën për menaxhim më të mirë të mbeturinave, në mënyrë që ato të mos përfundojnë në lumenj.

“Edhe te ne sikurse në vendet e tjera sidomos në vendet e rajonit ndodh që mbeturinat të përfundojnë në natyrë dhe kjo përbën pastaj rrezik për shëndetin e njeriut, për diversitetin edhe kësisoj ndotet edhe natyra dhe ambienti. Ka forma të ndryshme por ato çka janë më të theksuara mund të themi që janë mbeturinat komunale kur persona të caktuar ose familje shkojnë për piknik dhe pastaj ato mbeturina mbesin pa u mbledhur, mund të jetë edhe nga mbledhja jo në frekuencën e duhur e kompanive që janë përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave por jo vetëm. Po ashtu mbeturinat industriale, mbeturinat e rrezikshme shpeshherë dinë të përfundojnë edhe në vende ku nuk e kanë vendin dhe kjo pastaj përbën rrezik për shëndetin e njeriut”, thotë ai.

Oruçi rekomandon disa mënyra për të përmirësuar menaxhimin e mbeturinave. Sipas tij, dy janë më të rëndësishmet: ofrimi i shërbimeve më të mira për mbledhjen e mbeturinave dhe vetëdijesimi i qytetarëve për të mos i hedhur ato në natyrë.

“Tanimë jemi në një fazë ku në sektorin privat janë mbledhur kompanitë më të mëdha por edhe ato që janë të mesme dhe të vogla, kanë krijuar një organizatë e cila së shpejti pritet të akreditohet nga Ministria e Mbrojtjes e cila do ta ketë përgjegjësinë për të kryer të gjitha investimet e nevojshme në tërë territorin e Kosovës dhe të kujdeset që produktet të cilat vendosen në treg pra shishet e qelqit, plastikës dhe aluminit duke filluar nga ato më të voglat 0.25 mililitra deri në 2 litra të kthehen në makina në pjesë të caktuara në dyqanet ku bëhet blerja e produkteve ushqimore dhe kësisoj ato shishet përfundojnë në zinxhirin e prodhuesit duke mos përfundu pastaj në natyrë. Çka nënkupton kjo? Për ta pasur të gjithë të qartë, për çdo shishe që do të blihet do të paguhet 5 centë më shumë mirëpo kur te kthen shishen qytetari ka të drejtë me e marrë mbrapa depozitën prej 5 centë”, thekson Oruçi.

Kosova ka Strategjinë Shtetërore të Ujërave, që i referohet periudhës 2017-2036. Ajo parasheh masa për mbrojtjen e lumenjve nga ndotja dhe eksploatimi ilegal i zhavorrit, si dhe përmirësimin e menaxhimit të resurseve ujore. E, në mesin e qëllimeve kryesore të listuara në strategji, janë edhe menaxhimi i ujërave të zeza dhe modernizimi i infrastrukturës së monitorimit të ujërave. Ato kanë mbetur në letër.

Përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit e arsyetuan mungesën e veprimeve për ta parandaluar këtë shkallë ndotjeje të lumenjve, duke thënë se ka mungesë inspektorësh. Në këtë institucion numëruar disa veprime, në funksion të përmirësimit të situatës.

“Aktualisht është duke u zhvilluar projekti i pastrimit të lumenjve në disa komuna të Republikës së Kosovës, i cili do të vazhdojë në vitet në vijim. Çdo vit mbahen aktivitet vetëdijesuese në lidhje me mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit, kryesisht në Ditën Botërore të Ujërave dhe Meteorologjisë si dhe ditëve të tjera për mjedis. Meqë shkarkimi i ujërave urbane bëhet në lumenj dhe Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor ka mbështetur komunat financiarisht me një pjesë të investimeve për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, por është një sfidë e madhe për shkak të vlerave të larta financiare dhe në mirëmbajtje. Po ashtu edhe hedhjet e mbetjeve të ngurta në shtretër të lumenjve konsiderohet një sfidë për shkak se është vështirë të kontrollohen sepse hedhen ilegalisht”, thanë në Ministrinë e Mjedisit.

Përkundër bukurisë që lumenjtë dikur përçonin në rrjedhën e tyre natyrore, tani ata janë shndërruar në pasqyrë të neglizhencës së thellë qytetare e institucionale.

Krahas dëshmive për ndotjen e ujërave, banorë në Gjakovë e Viti shprehën brengën edhe për humbjen e lidhjes njerëzore me natyrën: Nga fëmijët që nuk guxojnë të lozin afër ujit, e deri te mungesa e biodiversitetit. Ata druajnë se nëse nuk veprohet shpejt, lumenjtë do të kthehen në kanale të hapura mbeturinash.