Dhjetë ukrainas që ishin mbajtur të burgosur për vite me radhë u liruan nga robëria ruse me ndërmjetësimin e Vatikanit të premten dhe mbërritën në Kiev të shtunën.
Një pjesë e grupit mbërriti gjatë natës me helikopter në Aeroportin Ndërkombëtar të Kievit, i cili është mbyllur që kur Rusia nisi pushtimin në Ukrainë.
Ishte hera e parë në më shumë se dy vjet që aeroporti priti pasagjerë. Pjesa tjetër e grupit mbërriti me autobus.
Disa nga civilët e liruar ishin kapur para pushtimit të Rusisë, raporton AP.
Mes të liruarve ishte Nariman Dzhelyal, nënkryetari i “Mejlisit”, organ përfaqësues i tatarëve të Krimesë që u zhvendosën në Kiev pasi Rusia pushtoi gadishullin.
Dzhelyal u arrestua në Krimea ku jetoi pavarësisht aneksimit, një vit para luftës.
“Kushtet fizike janë shumë të tmerrshme dhe këta të burgosur kanë nevojë për ndihmë, ashtu si i gjithë vendi ynë”, ka thënë ai.
Në sallën kryesore të aeroportit, ish-të burgosurit të mbështjellë me flamuj blu dhe të verdhë u bashkuan me familjet e tyre.
Për disa, ndarja kishte zgjatur shumë vite.
Për gati gjashtë vjet, Isabella Pekh foli në konferenca ndërkombëtare dhe u bëri thirrje ambasadorëve të huaj për ndihmë për lirimin e nënës së saj, Olena Pekh, e cila u ndalua në pjesën e pushtuar të rajonit të Donetskut. Më në fund, përpjekjet e saj patën sukses.