Së paku dhjetë persona kanë vdekur dhe 56 të tjerë janë lënduar nga sulmi me raketë në një restorant në lindje të Ukrainës. Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se rusët kanë sulmuar me raketa qytetin e Kramatorskut.
Raketa ruse qëlloi restorantin e frekuentuar nga gazetarët, punëtorët e organizatave dhe ushtarët ukrainas që e përdorin Kramatorskun si bazë të operacioneve të tyre. Qyteti gjendet vetëm pak kilometra nga vija e frontit.
Në mesin e të vdekurve janë edhe tre fëmijë. Bombardimi ka ndodhur pak minuta pasi qytetarët kishin përfunduar orarin e punëve. Shërbimet emergjente kanë nisur me heqjen e rrënojave dhe janë në kërkim për të të mbijetuarve të tjerë.
Autoritetet ukrainase dhe shërbimet ndërkombëtare të inteligjencës gjatë javës kishin paralajmëruar hakmarrje nga Rusia për kryengritjen e mercenarëve të “Wagnerit” ndaj udhëheqësve të ushtrisë. Ndërkaq, Ukraina veçse ka nisur kundërofensivën e saj dhe ka kthyer kontrollin në disa qytete, të cilat ishin pushtuar nga rusët në fillim të luftës.