Një shtresë e mukozës detare ka mbuluar disa pjesë të detit Marmara në Turqi.
Ekspertët kanë vlerësuar se ngritja e temperaturave të ujit si pasojë e ngrohjes globale e ka shkaktuar këtë problem.
Profesori në Universitetin Bogazici, Berat Haznedarogulu, thotë se është një efekt i natyrës, por, sipas tij, ngrohja globale dhe rrallimi i erërave kanë ndikuar në shpërthimin e substancave të dëmshme detare.
“Mukoza është material organik, përzierje e lipideve, proteinave dhe karbohidrateve. Është pjesë e ciklit të jetës së tyre të zakonshme. Por sivjet, ajo që kemi parë në detin Marmara dhe në Detin e Zi është një ndotje me mukozë. Algat e kanë sintetizuar këtë mukozë, por tani me sasi më të mëdha. Ngritja e temperaturave, sidomos në sipërfaqen e deteve dhe rrallimi i erërave kanë shkaktuar këtë ndotje”, ka thënë ai.
Mirëpo, ndotja e madhe që po ndodh sivjet është e paparë deri më tani. Sipas profesorit, këtu ka ndikuar ndotja e madhe nga njeriu.
Edhe
Të dhëna alarmuese për cilësinë e ajrit, mjekët paralajmërojnë dëme të përhershme shëndetësore
“Ndotja e madhe ka arritur në nivelin e katastrofës së krijuar si rezultat i shumë faktorëve. Faktori numër një janë algat. Ato duan ushqim dhe ushqimi i tyre ka përbërës organik, nitrogjen dhe përbërës fosfori. Fatkeqësisht ne po hedhim në dete këta ndotës të mëdhenj organikë. Ky është problemi”, ka thënë ai.
Më së shumti është dëmtuar bregdeti i Stambollit dhe provincat përreth.
Në Stamboll janë fabrikat dhe zonat industriale përreth detit.
Këtë nuk e kanë pritur mirë banorët që janë alarmuar nga katastrofa biologjike.
“Tani kur tmerrit të koronavirusit po i vjen fundi, kjo ndotje ka arritur si tmerr i ri. Jemi të shqetësuar. Ka dëmtuar ambientin. Nuk duam që deti Marmara të vdesë”.
Edhe
Bora zbardh verilindjen e Turqisë kur rajonet e tjera po përballen me zjarre
Peshkatarët nuk mund të shesin peshq. Njerëzit nuk po e blejnë peshkun e zënë në Marmara.
Banori tjetër i Stambollit, Serdar Gulay, ka thënë se sivjet nuk do të lahet në det.
“Kjo është hera e parë që shoh një gjë të tillë. Vitin e kaluar jemi larë në det, por sivjet nuk guxoj. Duket tmerrshëm. Është i dëmshëm për natyrën, por edhe për njerëzit”.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje Ministrisë së Ambientit dhe Urbanizimit që të koordinohet me institucionet e tjera për pastrimin e detit.
Në fillim të javës ka nisur puna për heqjen e baltës nga sipërfaqja e detit.
Edhe
Amalgama që po i helmon njerëzit
Profesori Haznedaroglu thotë se është një iniciativë e mirë, por, sipas tij, mukoza ka rënë në shtratin e detit dhe duhet më shumë kohë t’u pastruar natyrshëm.
Nën ujë, koraleve të mbuluara me këtë baltë, do t’u zihet fryma.