Jabalya është zonë shumë e populluar me refugjatë, që u krijua menjëherë pas luftës arabo-izraelite të vitit 1948, kur qindra mijëra palestinezë u dëbuan nga territori që përfshinte shtetin e sapokrijuar të Izraelit, e që më vonë nuk u lejuan të ktheheshin
Sulmi izraelit në kampin e stërmbushur të refugjatëve Jabalia në veri të Gazës, cak i të cilit ishte një komandant i Hamasit, ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka marrë jetën e një numri të madh njerëzish, kanë thënë dëshmitarët dhe mjekët në territorin e Gazës.
Ky sulm shkatërrues shkaktoi edhe një plagë tjetër të palestinezëve ndaj viktimave civile, teksa banorët u zgjuan nga një ndërprerje e plotë të shërbimeve të internetit në mëngjesin e së mërkurës.
Të mbijetuarit dhe dëshmitarët rrëfyen për skena apokaliptike pas këtij bombardimi që formoi krater gjigand në mes të kampit të mbushur me njerëz.
“Po prisja në radhë për të blerë bukë kur papritmas dhe pa asnjë paralajmërim ranë shtatë deri në tetë raketa”, rrëfen Mohammad Ibrahim, dëshmitar i ngjarjes.
“Kishte shtatë deri në tetë gropa të mëdha në tokë, plot me njerëz të vrarë dhe gjymtyrë trupore të shpërndara kudo. Dukej sikur po shihnim fundin e botës”, shton ai.
Sipas deklaratës së Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, ky sulm ajror la të vdekur Ibrahim Biarin, një ndër komandantët e grupit të Hamasit, që ishte pikërisht në shënjestër të këtij sulmi, pasi konsiderohej përgjegjës për sulmin e 7 tetorit në Izrael. Nga ky sulm mbetën të vrarë më shumë se 1 mijë e 400 palestinezë, ndërkaq më shumë se 200 të tjerë janë marrë peng nga Hamasi.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit po ashtu treguan se “shumë terroristë të tjerë të Hamasit” u goditën nga ky sulm duke pretenduar se Batalioni Qendror Jabalia kishte marrë kontrollin e ndërtesave civile.
Megjithatë, Hamasi ka mohuar kategorikisht praninë e ndonjë pjesëtari të këtij grupi në kampin e refugjatëve. Zëdhënësi i grupit militant të Hamasit, Hazem Qassem, akuzoi Izraelin se po përpiqet të justifikojë atë që e cilësoi si “krim monstruoz kundër civilëve, fëmijëve e grave që u strehuan në kampin Jabalia”.
Mburojat civile
Dëshmitari Mohammad al Aswad përshkroi “skenën tmerruese” pas sulmit, duke treguar se si vrapoi menjëherë drejt kampit për të parë familjen pasi dëgjoi të binin raketat.
“Fëmijët po vraponin teksa mbanin në duar fëmijë të tjerë të plagosur. Trupat ishin varur në rrënoja, shumë prej tyre as nuk njiheshin. Disa ishin të plagosur e shumë të tjerë të djegur”, u shpreh Al Aswad për CNN-in. Vazhdon rrëfimin e tij se “njerëzit përreth dukeshin si histerikë. Pashë gra që bërtisnin dhe nuk dinin çfarë të bënin, të qanin për humbjen e fëmijëve apo të vraponin dhe t’i kërkonin”.
Pamjet nga vendi i ngjarjes shfaqnin kraterin gjigand mes gërmadhave dhe ndërtesave të shkatërruara, ku shumë palestinezë dhe punonjës të shpëtimit janë parë duke u përpjekur t’i gjejnë viktimat.
Shifra e viktimave të sulmit ajror nuk dihet ende duke qenë se ndërprerja e shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile në Rripin e Gazës e ka vështirësuar përcaktimin e plotë të numrit total të tyre. Zyrtarët në Gaza si dhe mjekët që trajtuan viktimat, treguan se sulmi shkaktoi qindra vdekje dhe lëndime njerëzish.
Jabalya është zonë shumë e populluar e refugjatëve, që u krijua menjëherë pas luftës arabo-izraelite të vitit 1948, kur qindra mijëra palestinezë u dëbuan nga territori që përfshinte shtetin e sapokrijuar të Izraelit, e që më vonë nuk u lejuan të ktheheshin.
Ky kamp është zonë ku ndodhen shumë shtëpi, dyqane dhe ndërtesa banimi që bllokojnë njëra-tjetrën, ndërkaq në rrugët e ngushta ndërmjet tyre vështirë mund të kalojnë makinat.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, nënkoloneli Richard Hecht, foli për CNN duke e akuzuar grupin e Hamasit se “po fshihen pas civilëve, siç kanë bërë gjithmonë”. Sa u përket civilëve të pafajshëm në kamp, Hecht u shpreh se “kjo është tragjedia e luftës” duke u bërë thirrje atyre që të lëvizin drejt jugut.
Në jug të Gazës gjithashtu ka pasur sulme ajrore vdekjeprurëse, ndërkaq organizatat e ndihmave kanë paralajmëruar vazhdimisht se në enklavën e izoluar nuk ka ma vend të sigurt. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Ramallah, e cila bazohet në informacionet nga enklava e kontrolluar nga Hamasi, bombardimet e Izraelit mbi Gazën kanë lënë të vrarë të paktën 8,485 njerëz dhe kanë plagosur mbi 21,000 të tjerë.
Të mërkurën, dy kompani palestineze të telekomunikacionit njoftuan për ndërprerje të internetit dhe rrjetit të komunikimit në Gaza. Paltel tregoi se ishte një “ndërprerje e plotë e të gjitha shërbimeve të internetit në Rripin e Gazës”, ndërsa shërbimet e telefonisë mobile nga kompania “Jawwal” gjithashtu ishin jashtë funksionit.
Një sulm ajror izraelit në kampin më të madh të refugjatëve në veri të Gazës ka marrë jetën e një numri të madh njerëzish, sipas dëshmitarëve okularë dhe mjekëve në enklavë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se cak i tyre ishte një komandant i grupit të Hamasit.
Skena të frikshme
Pamjet nga një spital indonezian, objektit mjekësor më të afërt në Jabalia, treguan një varg trupash të plagosur, në mesin e tyre edhe fëmijë, që po trajtoheshin me nxitim nga stafi mjekësor, të cilët u detyruan t’i trajtojnë shumë prej të plagosurve në dyshmenë e spitalit tashmë të stërmbushur. Kreu i spitalit Atef al-Kalhout thotë se dhjetëra njerëz ishin vrarë nga shpërthimi.
“Ajo që shihni është skenë e tmerrshme: martirë të plagosur e qindra trupa të djegur. Shumica e lëndimeve janë nga eksplozivët, lëndimet në kokë dhe amputimet. Gjithçka që mund të bëjmë është të vazhdojmë t’i pranojmë në spital”, thotë Mohammad al Rann, mjek i këtij spitali.
Mohammed Hawajreh, infermier nga organizata Mjekët pa Kufij (MSF) në spitalin “Al Shifa” në Gaza, thotë se disa nga të plagosurit mbërritën në atë spital. “Shumë fëmijë të vegjël arritën në spital me plagë e djegie të rënda. Ata po bërtisnin e po i kërkonin prindërit e tyre. Unë qëndrova bashkë me ta derisa të gjenim vend, pasi spitali ishte i stërmbushur me pacientë”, u shpreh ai.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi, njëzet shtëpi u "shkatërruan plotësisht" nga bombardimet.
Reagimet ndaj sulmit izraelit
Jabalia, si shumë kampe të tjera në Rripin e Gazës, është zonë me rrugë të ngushta, e mbushur me shtëpi, dyqane dhe ndërtesa banimi.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt, shumë refugjatë palestinezë u vendosën në kamp në vazhdën e luftës arabo-izraelite të vitit 1948, pasi u dëbuan nga territori që përfshinte shtetin e sapokrijuar të Izraelit.
Sipas kësaj agjencie, Jabalia është kampi më i madh i refugjatëve në Gaza, dhe ka shtrirje në 1,4 kilometra katrorë. Ky kamp që tashmë ka kohë që është i mbipopulluar, është gjithashtu ndër zonat më të varfra.
Menjëherë pas shpërthimit, organizata izraelite e të drejtave të njeriut “B'tselem” dënoi bombardimin ajror prej disa javësh të Gazës, duke thënë se “numri i vrasjeve të shkaktuara nga Izraeli pas sulmeve të njëpasnjëshme mbi Gazën është i frikshëm”. “Nga 9000 njerëz të vrarë deri më tani, më shumë se gjysma e tyre janë gra e fëmijë. Ndërtesa të tëra janë shembur, e familje të tëra janë zhdukur në sekondë. Është krejtësisht i papranueshëm ky sulm kriminal ndaj civilëve dhe qartë duhet të thuhet vazhdimisht- jo gjithçka lejohet në luftë, përfshirë këtu edhe luftën me Hamasin”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.
Arabia Saudite, Irani, Jordania dhe Egjipti gjithashtu kanë dënuar ashpër sulmin, ndërkohë që Egjipti akuzon Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar duke e cilësuar akt çnjerëzor sulmin mbi zonë të banuar. “Egjipti e konsideron sulmin si një shkelje të re flagrante nga forcat izraelite kundër dispozitave të ligjit ndërkombëtar”, thotë. ministria.
Në konferencën e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, i pyetur nga shtypi nëse Izraeli po bën mjaftueshëm për t’i mbrojtur civilët në Jabalia, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, thotë se “SHBA-ja ka indikacione se Izraeli po përpiqet”.
“Ne s’mund të reagojmë ndaj çdo ngjarje në kohë reale, por sigurisht se e kemi kuptuar që shumë civilë janë lënduar. Ne e kemi parë se mijëra civilë janë vrarë dhe sigurisht nuk jemi të pajtimit me vdekjen e njerëzve të pafajshëm në Gaza”, thotë Kirby. Më tutje, ai shton se nuk ka qenë qëllimi i forcave izraelite të marrin qëllimisht jetën e njerëzve të pafajshëm, duke theksuar se Izraeli ka bërë përpjekje që të minimizojë dëmet që mund t’i shkaktohen civilëve.
Kreu i Misionit të Vëzhguesve të Përhershëm Palestinezë në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, thotë se sulmi izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia ishte krim lufte dhe duhet t'i referohet Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
“Ata që janë përgjegjës për dhënien e urdhrave për atë krim duhet të dëgjojnë diçka nga Khan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare”, thotë ai duke iu referuar prokurorit të kësaj gjykate. “Ne e vlerësojmë faktin që ai erdhi në pikën kufitare në Rafah dhe bëri një deklaratë atje, por do të ishte mirë lëshimi i një urdhër arresti për ata që janë përgjegjës për krime të tilla”
Operacioni tokësor
Pas njoftimit për dy vdekjet e para të trupave izraelite që nga sulmi tokësor i së premtes, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan edhe për vrasjen e nëntë ushtarëve të tjerë në pjesën veriore të Gazës këtë të mërkurë.
Ende nuk ka detaje rreth vrasjes së tyre, por krejt çfarë dihet deri tani është se shtatë prej tyre ishin pjesë e brigadës Givati dhe dy të tjerët ishin anëtarë të korpusit të blinduar.
Ushtria izraelite pretendon se vrau “afërsisht 50 terroristë të Hamasit” gjatë operacioneve tokësore në Rripin verior të Gazës të martën. Kjo vjen pasi Izraeli deklaroi gjatë fundjavës se kishte hyrë në një "fazë të dytë" të luftës kundër Hamasit pas sulmeve disajavëshe në Gaza.
(Përktheu: Kaona Sejdiu)