Agjencia palestineze e lajmeve “Wafa” raporton se 35 persona kanë humbur jetën gjatë sulmeve nëpër disa shtëpi në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza, raporton “BBC”.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë në Gaza nuk kanë arritur ta konfirmojnë numrin e viktimave, por Ushtria e Izraelit të shtunën bëri të ditur se ka sulmuar një ndërtesë në Jabalia nga ajri.
Izraeli pretendon se militantë të Hamasit janë parë në çati të asaj ndërtese.
Agjencia palestineze “Wafa” ka thënë se janë gjetur 24 trupa të pajetë, ndërsa janë lënduar edhe të paktën 90 persona.
Është thënë se shumë civilë kanë mbetur të ngujuar.
Edhe
Të paktën 40 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Sipas agjencisë së lajmeve “Wafa” 11 persona tjerë humbën jetën e dhjetëra u lënduan gjatë një sulmi tjetër izraelit në një shtëpi në Jabalia.
Franca i është bashkuar të dielën thirrjeve për armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit e Hamasit.
Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, ka thënë se është thellësisht e shqetësuar me situatën.
“Shumë civilë janë vrarë”, ka thënë ajo, raporton agjencia “AFP”.
Nga Ministria e jashtme e Francës është thënë se një punonjës i kësaj ministrie vdiq nga lëndimet si rezultat i sulmit në Rafah. U tha se ishte në mesin e disa civilëve që u vranë në sulm.
“Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të izraelit që t’i zbardhin rrethanat e këtij bombardimi dhe atë sa më shpejtë të jetë e mundur”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.
Edhe
Të paktën 33 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazën veriore
Ofensiva e Izraelit në Gaza nisi më 7 tetor, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të kryer nga militantët e Hamasit brenda territorit Izraelit.
Në sulmin e Hamasit u vranë 1200 persona dhe u kapën afro 240 pengje. Ndërsa sipas të dhënave të autoriteteve në Gaza, në sulmet izraelite kanë humbur jetën mbi 18 mijë e 700 persona në Gaza, kryesisht gra e fëmijë, ndërsa afro 50 mijë tjerë kanë mbetur të lënduar.