Deputetët britanikë e kanë votuar planin e kryeministrit Johnson për ta larguar Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja, më 31 janar.
Projektligji, apo Marrëveshja e Tërheqjes, ia ndalon Qeverisë të zgjasë përtej 2020-s periudhën e tranzicionit, ku Britania është jashtë BE-së, por ndjek shumë nga rregullat e saj.
“Kjo është koha kur ne do t’i lëmë anash debatet për dalje ose qëndrim nga BE-ja. Tani është koha të veprojmë së bashku si një komb i bashkuar”, ka thënë Johnson.
Kryeministri Boris Johnson, gjithashtu, tha se vendimi i së premtes i sjell siguri vendit.
Ndërsa, lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se projektligji e lë të pasigurt të ardhmen e Britanisë së Madhe, ndërsa arritja e marrëveshjes tregtare me bllokun evropian, mund të zgjasë shumë vjet, transmeton KTV.
Por, Qeveria këmbëngul se kjo do të arrihet deri në fund të periudhës së tranzicionit.
Projektligji i së premtes, do ta zbatojë marrëveshjen e BREXIT-it që kryeministri e nënshkroi me BE-në në tetor, dhe u prezantua fillimisht në fjalimin e Mbretëreshës, e cila e përcaktoi agjendën e Qeverisë.
Ndërsa, sekretari për BREXIT, Stephen Barclay, tha se e premtja ishte ditë historike për Mbretërinë e Bashkuar.
Një marrëveshje e mëparshme e tërheqjes, e arritur mes ish-kryeministres Theresa May dhe BE-së, ishte refuzuar tri herë nga deputetët.
Por, rezultati i zgjedhjeve ia dha shumicën Johnsonit dhe do ta ketë shumë të lehtë për ta ratifikuar versionin e tij.
Në referendumin e vitit 2016, 52% e britanikëve votuan për të dalë nga Bashkimi Evropian.
Por, vështirësitë për ta realizuar këtë proces, përmes Parlamentit kanë shkaktuar bllokim në Westminster.