Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dëmtimi i krenarisë ruse dhe problemet e mëdha në misionet drejt Hënës

Shumë ekspertë të industrisë vërejnë se edhe përpara sanksioneve të fundit perëndimore, përdorimi i komponentëve nën standard çoi në kolapsin e një misioni ambicioz për të dërguar një sondë në Hënën e Marsit Phobos në vitin 2011. Shtytësit e anijes kozmike nuk arritën ta dërgonin atë në një rrugë drejt Marsit dhe ajo u dogj në atmosferën e Tokës - një problem që hetuesit ia atribuuan përdorimit të mikroçipave të lirë komercialë që ishin të papërshtatshëm për kushtet e vështira në hapësirë

(AP) - Përpjekja ambicioze, por e dështuar e Rusisë për t'u kthyer në Hënë pas gati gjysmë shekulli, ka ekspozuar sfidat masive me të cilat përballej programi hapësinor dikur krenar i Moskës.

Shkatërrimi i sondës robotike Luna-25, e cila u rrëzua në sipërfaqen e Hënës gjatë fundjavës, pasqyron problemet endemike që kanë prekur industrinë ruse të hapësirës që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Këto përfshijnë humbjen e teknologjive kryesore në shkrirjen industriale post-sovjetike, ndikimin e madh të sanksioneve të fundit perëndimore, largimin e madh të trurit dhe korrupsion të shfrenuar.

Yuri Borisov, kreu i korporatës hapësinore të kontrolluar nga shteti, Roscosmos, ia atribuoi dështimin mungesës së ekspertizës për shkak të ndërprerjes së gjatë në kërkimin hënor që pasoi misionin e fundit sovjetik në Hënë në 1976.

Teksa BRSS-ja humbi garën me Shtetet e Bashkuara për t’i zbritur njerëzit në Hënë, programi hënor Sovjetik kishte më shumë se dhjetëra misione robotike pioniere të suksesshme, disa prej të cilave shfaqën roverët hënorë dhe sollën mostra dheu përsëri në Tokë. Historia krenare e hapësirës sovjetike përfshin lëshimin e satelitit të parë në hapësirë në vitin 1957 dhe njeriun e parë në hapësirë në vitin 1961.

Mikhail Marov, shkencëtar 90-vjeçar, i cili luajti rol të rëndësishëm në planifikimin e misioneve të mëparshme hënore dhe punoi në projektin Luna-25, u shtrua në spital pas dështimit të misionit.

Edhe Rusia planifikon ta ndërtojë një central bërthamor në Hënë brenda dekadës së ardhshme Botë Rusia planifikon ta ndërtojë një central bërthamor në Hënë brenda dekadës së ardhshme

Ringjallja e programit

“Ishte shumë e vështirë. Është krejt çka kam punuar gjatë krejt jetës sime”, është shprehur Marov në komentet e transmetuara nga mediat ruse. “Për mua, ishte shansi i fundit për ta parë ringjalljen e programit tonë hënor”.

Borisov ka treguar se shtytësi i anijes ka marrë flakë për 127 sekonda në vend të 84 sekondave të planifikuara, duke shkaktuar rrëzimin e saj gjersa një komision qeveritar do ta hetojë defektin.

Natan Eismont, studiues kryesor në Institutin për Kërkime Hapësinore me bazë në Moskë, i ka treguar agjencisë shtetërore RIA Novosti se shenjat e problemeve të pajisjeve ishin shfaqur edhe para rrëzimit, por zyrtarët e hapësirës ende dhanë sinjalin për ulje.

Vitaly Egorov, bloger i njohur rus i hapësirës, vuri në dukje se Roscosmos mund t’i ketë neglizhuar paralajmërimet në një nxitim për të qenë i pari që do të ulet në polin jugor hënor përpara se të ulej në këtë pol anija kozmike e Indisë.

“Duket sikur gjërat nuk po shkonin sipas planit, por ata vendosën të mos ndryshojnë orarin për t’i parandaluar që indianët të vinin të parët”, ka thënë ai.

Poli jugor hënor është me interes të veçantë për shkencëtarët, të cilët besojnë se krateret polare me hije të përhershme mund të përmbajnë ujë të ngrirë në shkëmbinj që eksploruesit e ardhshëm mund ta shndërrojnë në ajër dhe karburant raketash.

Një faktor kryesor që përkeqëson problemet hapësinore të Rusisë që mund të kishte luajtur rol në dështimin e Luna-25, kanë qenë sanksionet perëndimore ndaj Moskës për luftën e saj në Ukrainë. Këto dënime kanë bllokuar importet e mikroçipave dhe komponentëve të tjerë kyçë perëndimorë dhe kanë kufizuar shkëmbimet shkencore.

Ndërsa punonte në projektin Luna-25, Roscosmos bashkëpunoi me Agjencinë Evropiane të Hapësirës që do të siguronte një kamerë për të lehtësuar zbarkimin. ESA e ndërpreu partneritetin menjëherë pas pushtimit të shkurtit 2022 dhe i kërkoi Roscosmos të hiqte kamerën e saj nga anija kozmike.

Vite më parë Rusia shpresonte të blinte pajisjen kryesore të navigimit për misionin hënor nga Airbus, por nuk mundi për shkak të kufizimeve që bllokonin transferimin e teknologjisë. Në fund, ajo zhvilloi pajisjet e veta që e vonuan projektin dhe peshonin dy herë më shumë, duke zvogëluar ngarkesën shkencore për anijen kozmike që peshonte 1.750 kilogramë.

Misioni ambicioz

Shumë ekspertë të industrisë vërejnë se edhe përpara sanksioneve të fundit perëndimore, përdorimi i komponentëve nën standard çoi në kolapsin e një misioni ambicioz për të dërguar një sondë në Hënën e Marsit Phobos në vitin 2011. Shtytësit e anijes kozmike nuk arritën ta dërgonin atë në një rrugë drejt Marsit dhe ai u dogj në atmosferën e Tokës - një problem që hetuesit ia atribuuan përdorimit të mikroçipave të lirë komercialë që ishin të papërshtatshëm për kushtet e vështira në hapësirë.

Disa vëzhgues spekuluan se përdorimi i komponentëve të lirë mund të kishte ardhur nga një skemë për t’i përvetësuar fondet e qeverisë, në vend të importimit të pajisjeve të specializuara për anijen kozmike Phobos-Grunt, e cila u projektua nga NPO Lavochkin, e njëjta kompani që zhvilloi Luna-25.

NPO Lavochkin projektoi avionë luftarakë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte zhvilluesi kryesor i misioneve robotike sovjetike në Hënë, Venus dhe Mars. Disa menaxherë të lartë të Lavochkin janë arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës së tyre vitet e fundit.

Edhe Anija kozmike ruse përplaset në Hënë Botë Anija kozmike ruse përplaset në Hënë

Pas dështimit të Phobos, zyrtarët hapësinorë folën për kryerjen e një rishikimi të plotë të dizajnit të anijes kozmike hënore për të shmangur përdorimin e komponentëve të ngjashëm nën standard. Është e paqartë nëse një punë e tillë ka ndodhur ndonjëherë.

Televizioni shtetëror rus e kishte përshëndetur Luna-25 si hyrjen triumfuese të vendit në një garë të hënës së re, por që nga rrëzimi, transmetuesit janë përpjekur të minimizojnë humbjen e anijes. Disa argumentuan se misioni nuk ishte një dështim i plotë sepse dërgoi fotografi të sipërfaqes hënore nga orbita dhe të dhëna të tjera.

Borisov u përpoq të qëndronte optimist, duke argumentuar se arriti disa rezultate të rëndësishme.

Ai këmbënguli se të marrësh pjesë në kërkimet hënore "jo vetëm që do të thotë prestigj ose arritje gjeopolitike, por është e nevojshme të sigurohet aftësia mbrojtëse dhe sovraniteti teknologjik".

“Shpresoj që misionet e ardhshme ... do të jenë të suksesshme”, ka thënë Borisov, duke shtuar se Roscosmos do të intensifikojë punën në misionet e ardhshme në hënë, e ardhmja e të cilave është planifikuar për vitin 2027.

“Në asnjë rrethanë nuk duhet të ndërpresim programin tonë hënor. Do të ishte një vendim krejtësisht i gabuar”, tha ai.

Image
Shkatërrimi i sondës robotike Luna-25 pasqyron problemet endemike që kanë prekur industrinë ruse të hapësirës që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991

Dëmtimi i prestigjit rus

Disa argumentuan se dështimi mund t'i kushtojë Borisovit me punën e tij. Të tjerë parashikuan se ai ndoshta do të shmangte shkarkimin, duke vënë në dukje rekordin e presidentit Vladimir Putin për shmangien e largimeve të shpejta të zyrtarëve në përgjigje të incidenteve.

Borisov, i cili më parë shërbeu si zëvendëskryeministër i ngarkuar për industritë e armëve, u bë shefi i Roscosmosit një vit më parë, duke pasuar Dmitry Rogozin, i cili u fajësua gjerësisht për disa fatkeqësi të mëparshme në hapësirë. Rogozin, i cili i është bashkuar luftimeve në Ukrainë si vullnetar, nuk ka komentuar mbi misionin e dështuar Luna-25.

Nën Rogozinin, Roscosmos pësoi një seri lëshimesh satelitore të dështuara. Kombinuar me rolin në rritje të kompanive private si SpaceX i Elon Muskut, këto dështime i kanë kushtuar Rusisë vendin e saj dikur të konsiderueshëm në tregun fitimprurës global të lëshimit në hapësirë.

Rogozin u kritikua gjerësisht për dështimin në çrrënjosjen e korrupsionit endemik, duke përfshirë fondet e përvetësuara gjatë ndërtimit të kozmodromit Vostochny në Lindjen e Largët të Rusisë, i cili u përdor për të nisur misionin e fundit të Hënës.

Disa komentues thanë se rrëzimi i Luna-25 dëmtoi prestigjin rus dhe ngriti dyshime të reja rreth aftësive të tij teknologjike pas gabimeve ushtarake në Ukrainë.

“Pasojat e katastrofës Luna-25 janë të mëdha”, ka theksuar analisti politik pro-Kremlinit, Sergei Markov.

Edhe Rusia niset drejt pjesës së errët të Hënës në kërkim të ujit Botë Rusia niset drejt pjesës së errët të Hënës në kërkim të ujit

“Kjo ngre dyshime në lidhje me pretendimet e Rusisë për statusin e një fuqie të madhe në sytë e komunitetit global. Shumë njerëz do të vendosin që Rusia nuk mund t'i përmbushë ambiciet e saj as në Ukrainë, as në Hënë, sepse ajo nuk jeton me aftësitë e saj modeste aktuale, por me fantazitë për të kaluarën e saj të madhe”, ka thënë ai. “Njerëzit si dhe vendet duan të qëndrojnë në anën e të fortëve që fitojnë, jo të dobëtëve që vazhdojnë të justifikohen për humbjet e tyre”.

Përktheu: Blerta Haxhiu