Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Demokratët shpalosin “kartat” për dënimin e Trumpit në Senat

Në dosjen e përgatitur nga demokratët pretendohet se ish-presidenti republikan ka vënë në rrezik jetën e anëtarëve të Kongresit kur ka udhëzuar mbështetësit që të “luftojnë si të çmendur” drejt Capitolit. Mirëpo mbrojtja e Trumpit i ka hedhur poshtë akuzat dhe e ka quajtur si jodemokratik vetë procesin e impiçmentit të iniciuar kundër tij

Donald Trumpi ka rrezikuar jetën e të gjithë anëtarëve të Kongresit kur ka vërsulur turmën e mbështetësve për të “luftuar si të çmendur” drejt Capitolit, ka bërë të ditur të martën Dhoma demokrate e Përfaqësuesve në përpilimin më të hollësishëm deri më tani të rastit për ndëshkimin dhe ndalimin e përhershëm të ish-presidentit në Senat.

Mirëpo Trumpi i ka hedhur poshtë akuzat nëpërmjet avokatëve të tij dhe e ka quajtur jodemokratik procesin e impiçmentit të iniciuar kundër tij.

Trupi demokratik ka ndërlidhur përpjekjet e pabaza të Trumpit për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale me ngjarjet e përgjakshme të 6 janarit në Capitol, duke pretenduar se ai e bart fajin “e pamohueshëm” për veprimet që i kërcënuan themelet e demokracisë amerikane. Ka argumentuar gjithashtu se ai duhet të shpallet fajtor, kur procesi i impiçmentit të hapet në Senat gjatë javës së ardhshme për akuzën e nxitjes së kryengritjes.

Në rastin e përpiluar, demokratët kanë përdorur gjuhë ndjellëse për ta përshkruar kaosin e saj dite, duke pretenduar se “pjesëtarët e tmerruar ishin ngujuar në dhomë” dhe kishin telefonuar më të dashurit “nga frika se mund të mos mbijetonin”.

“Kjo ndërmarrje ka rrezikuar jetën e akëcilit anëtar të Kongresit, ka rrezikuar transferimin paqësor të pushtetit dhe ka kompromentuar sigurinë kombëtare”, kanë bërë të ditur menaxherët demokratikë në rastin e impiçmentit. “Kjo është pikërisht ajo lloj shkeljeje kushtetuese që kërkon diskualifikim nga zyra federale”.

Edhe Kërcënimi i ri i Trumpit për demokracinë amerikane Botë Kërcënimi i ri i Trumpit për demokracinë amerikane

Krejt kësaj, avokatët e Trumpit iu kundërpërgjigjën me një dosje të veçantë, në të cilën mohuan nxitjen e dhunës me anë të kontestimit të rezultateve zgjedhore apo këshillimit të pasuesve për “të luftuar si të çmendur”. Ata për më tepër kanë thënë se procesi është jokushtetues tani që Trumpi nuk është më në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Gjetjet përplasëse ofrojnë pasqyrën e parë publike të argumenteve që dy palët synojnë të paraqesin në procesin e impiçmentit, të dytit për Trumpin, i cili do të fillojë më 9 shkurt. Ato tregojnë se demokratët do të synojnë fajësimin e drejtpërdrejtë të Trumpit për rolin e tij në trazira dhe do të argumentojnë se sjellja e tij ishte aq e egër, saqë e kërkon diskualifikimin e përhershëm nga detyra. Ana tjetër do të synojë sfidimin e kushtetutshmërisë së procesit dhe të argumentojë se fjalimi nxitës i Trumpit ishte i mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.

“Aty mohohet se presidenti Trump ka rrezikuar ndonjëherë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të institucioneve qeveritare”, kanë shkruar avokatët mbrojtës, në rastin prej 14 faqesh.

Kushtetuta specifikon se diskualifikimi nga zyra mund të jetë ndëshkim për dënimin në një rast të impiçmentit.

Republikanët tashmë kanë sinjalizuar se shfajësimi është rezultati më i mundshëm i procesit, ndërkaq një pjesë e tyre kanë shkuar më tutje, duke pretenduar se Kongresi duhet ta vërë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e vet procesit të impiçmentit.

Edhe OpEd Rrënimi i mbështetjes së impiçmentit

Në votimin testues në Senat javën e kaluar, 45 republikanë, duke përfshirë liderin e shumicës republikane Mitch McConnell, kanë votuar në favor të përpjekjes për rrëzimin e gjykimit shkaku i shqetësimeve kushtetuese.

Ani pse asnjë president më herët nuk ishte gjykuar pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, demokratët pretendojnë se një precedent i tillë ekziston, duke aluduar në impiçmentin e 1876-s të një sekretari të luftës që kishte dhënë dorëheqje në përpjekjen e minutës së fundit për ta shmangur gjykimin. Por Senati prapëseprapë e kishte mbajtur atë. \ AP