OpEd

Rrënimi i mbështetjes së impiçmentit

Trumpi mund t’i ketë shpëtuar dënimit në Kongres për nxitjen e trumës vrastare drejt sulmit në Capitolin e Amerikës, por megjithëkëtë, duket qartë se ai do të mbahet përgjegjës lidhur me këtë nga vetë historia

Dështimi i Senatit amerikan për ta dënuar Donald Trumpin rreth nxitjes së kryengritjes së 6 janarit në Capitol, për të cilën akuzë Dhoma e Përfaqësuesve e kishte shpallur fajtor, e lë të hapur pyetjen nëse Kongresi ka ndonjë mjet efikas për ta mbajtur përgjegjës një president për veprime kundër Kushtetutës.

Etërit themelues të shtetit ishin kujdesur që t’ia parandalonin një presidenti ushtrimin e kompetencave të tija deri në pikën e shndërrimit, faktikisht, në një mbret. Nën Trumpin, sistemi kushtetues i Amerikës kishte të ngulitur në zemër një kamë: një president që refuzoi të pranonte se i kishte humbur zgjedhjet dhe që ishte i gatshëm të përdorte turmën për ta sulmuar fizikisht një institucion që u shërbente të gjithëve.

Themeluesit e Amerikës e bënë dënimin në Senat, i cili rezulton me shkarkimin nga detyra, për një shkelje të shkarkueshme – që nuk duhet gjithsesi të jetë krim statusor – shumë të vështirë, duke e kërkuar votën e shumicës prej dy të tretash. Një president, besonin ata, nuk duhej shkarkuar nga detyra si rezultat i luhatjes së qejfit kombëtar.

Asnjë president nuk është larguar nga detyra nëpërmjet procesit të impiçmentit nga Dhoma e Përfaqësuesve, pasuar me dënimin në Senat – Richard Nixoni ka dhënë dorëheqje, ngase republikanët prijës të Kongresit i kishin thënë se do ta humbte mbështetjen e mjaftueshme në Senat po qe se mbetej në detyrë.

Tek e fundit, largimi i një presidenti nga detyra përkon me anulimin e votës së popullit. Për më tepër, ai person mund ta ruajë ndikimin të paktën në një segment të partisë së tij.

Ç’është e vërteta, në historinë e deri para jo fort shumë kohësh të SHBA-së, politikanët i neveriste vetë ideja e ngritjes së çështjes së impiçmentit.

Rasti i pothuajse impiçmentit të Nixonit dhe largimit të tij nga detyra në vitet 1973-74 ishte pikë kthese historike. Kur për të parën herë nisi që të flitej seriozisht për impiçmentin e Nixonit, pasi ai i shkarkoi një sërë prokurorësh në mënyrë që ta largojë prokurorin e posaçëm, Archibald Cox, u mor në konsideratë një dispozitë e jashtëzakonshme, madje e tmerrshme. Kjo ishte hera e parë që kjo çështje ishte ngritur seriozisht që prej pothuajse shkarkimit të presidentit Andrew Johnson më 1868. Që nga koha e Nixonit, ideja e zbatimit të një mase të tillë ishte ngritur bukur më shpesh.

Problemi themelor me procesin e impiçmentit, si metodë për mbajtjen përgjegjës të një presidenti, është se klauzola relevante në Kushtetutë, e hartuar më 1787, destinohej për një peizazh politik krejt ndryshe prej atij që SHBA-ja ka pasur në pjesën më të madhe të historisë së saj. Asokohe, vendi nuk i ka pasur partitë e tanishme politike. Themeluesit, ç’është e vërteta, u druheshin “fraksioneve”, apo partive, të cilat u zhvilluan derisa po ngrihej debati rreth rolit të duhur të Qeverisë federale.

Në adresimin e tij lamtumirës, George Washingtoni kishte paralajmëruar për “efektet dashamire të shpirtit partiak”. Ky shpirt, ka paralajmëruar Washingtoni, i kishte “rrënjët në pasionet më të forta të mendjes njerëzore”. Përveç kësaj, “Federalist Paper No. 10”, shkruar nga James Madisonni, ishte një indikacion se Kushtetuta ishte hartuar në frymën e kundërshtimit ndaj partive politike.

Një arsye për dyshim në efikasitetin e impiçmentit dhe dënimin, si instrument për largimin e një presidenti (të paktën një republikani), është se meqë secili shtet ka nga dy senatorë, pak shtete, popullsitë e të cilave priren të jenë rurale dhe konservatore, kanë pushtet të tepërt krahasuar me madhësinë e tyre relative. Por, dallimi më i madh mes proceseve të impiçmentit që kanë të bëjnë me Nixonin, për të cilin ka pasur konsensus mes dy partive, dhe atyre që kanë të bëjnë me Trumpin buron kryesisht nga ndryshimet e thella në partinë republikane.

Republikanët në ditët e Nixonit ishin larg më centristë dhe shumë më johakmarrës sesa që është partia e sotme trumpiste. Derisa Nixoni ka ruajtur besnikërinë e pjesëtarëve të partisë republikane, njerëzit nuk ishin të kërcënuar me përjashtim, ngase e kërkonin largimin e tij prej detyrës. Ishte frika e disave nga kundërshtimet në të ardhmen ajo që i shtyu një sërë republikanësh që të shkonin në Shtëpinë e Bardhë dhe t’i thoshin atij se nuk do të ketë mbështetje politike në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senat për të mbetur në detyrë – në mënyrë që ata të mos kishin nevojë që të votonin për çështjen.

Duke paralajmëruar se do të votonte për impiçmentin e Trumpit, përfaqësuesja Liz Chenet, një konservatore e sertë (dhe e bija e ish-nënpresidentit, Dick Cheney), ka thënë: “Kurrë nuk ka pasur tradhti më të madhe prej një presidenti në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe betimit të tij karshi Kushtetutës”. Cheneyi e denoncoi përpjekjen disajavore të Trumpit për ngritjen në këmbë të djathtistëve radikalë, duke pretenduar, rrejshëm, se zgjedhjet i janë vjedhur dhe më pas nxitjen e turmës për të vërshuar Capitolin, fiks në kohën kur votat e Kolegjit Elektoral po numëroheshin, me fjalët “luftoni si në ferr”.

Në kundërpërgjigje, Cheneyi u censuruara nga partia republikane në Wyoming dhe posti i saj, si e treta në linjë e republikanëve të Dhomës, u sfidua në grupin parlamentar të partisë.

Jamie Raskin, prokurori kryesor i Dhomës, bashkë me tetë kolegë të tij, e bëri një punë mjeshtërore në paraqitjen e rastit kundër Trumpit. Raskin është gjithashtu profesor i së drejtës kushtetuese, andaj kur fola me të të dielën vonë, pas përmbylljes së procesit në Senat, e pyeta nëse, duke i pasur parasysh rrethanat e ndryshme nga koha e hartimit të Kushtetutës dhe së tanishmes, dhe duke e ditur pushtetin e tepërt të shteteve të vogla të Senat, ka pritur ndonjëherë se do të bëheshin dy të tretat e votave për dënimin e Trumpit.

Raskin u përgjigj: “Gjithnjë kam menduar se kemi më shumë gjasa që të sigurojmë 100 vota sesa 67. Kam menduar se kur e paraqitëm rastin tonë, pesha do të binte në të kundërtën e anës së Trumpit”.

Raskin vazhdoi: “Por qartazi nuk ekziston një thellësi e mjaftueshme për disa nga kolegët tanë republikanë për fundosje. Kemi arritur në një pikë të historisë, ku një parti dikur e madhe mund të sillet sikurse një kult. Faktet, logjika dhe sundimi i ligjit kanë rënë prej kësaj peshoreje”.

Me këtë Raskini po aludonte në faktin se “lideri i tyre po ushtronte kontroll psikologjik, financiar dhe politik mbi pasuesit e tij. Ai kishte mbledhur një trupë lufte që e sulmon frikën mes republikanëve”.

Raskini e përmbylli muhabetin, duke thënë se “sistemi politik partiak ka mbërthyer sistemin e Kongresit. Nuk janë dy degë që e qeverisin tani Kongresin, por dy parti dhe njëra prej tyre është dorëzuar para arsyes dhe ndjenjës së bashkësisë”.

Kësisoj, Trumpi mund t’i ketë shpëtuar dënimit në Kongres për nxitjen e trumës vrastare për ta sulmuar Capitolin e Amerikës, por megjithëkëtë duket si e qartë se ai do të mbahet përgjegjës lidhur me këtë nga vetë historia.

(Elizabeth Drew është gazetare nga Washingtoni dhe autore e librit: “Washington Journal: Reporting Watergate and Richard Nixon’s Downfall”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).