Trumpi dhe lëvizja e tij nuk kanë shpëtuar pa u lagur nga ky proces i gjykimit. Një prej momenteve më të rëndësishme të procesit që e menaxhuan anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve ishte publikimi i videove të reja të përkrahësve të Trumpit, që mbanin kapela “Make Amerika Great Again” dhe valëvitnin flamujt e Trumpit
Washington, 15 shkurt (BBC) - Veç pesë ditë pasi nisi, procesi i gjykimit ndaj Donald Trumpit në Senat mori një përfundim. Ashtu siç ishte parashikuar, vendimi përfundimtar ishte se ish-presidenti nuk është fajtor për nxitje të kryengritjes në Capitol, më 6 janar.
Në një analizë rreth asaj se çfarë do të ndodhë pas procesit të impiçmentit, BBC-ja ka shkruar se në historinë amerikane tani janë të gjykuar katër presidentë. Ky i fundit ka qenë procesi më i shkurtër.
“Ajo që mungoi në proces është përbërëse kryesore e pasojave – një precedent – se ish-presidenti po gjykohej – ishte vendosur. Reputacionet ranë përtokë. Dhe një skenë e turbullt u krijua për betejën e ardhshme politike. Lojtarë kyç në këtë lojë janë shumë, me mënyrën se si do ta zhvillojnë taktikën nga ky moment në historinë amerikane”, ka shkruar BBC.
Gjykim i ri, vendim i njëjtë
Trumpi edhe një herë shmangu dënimin nga Senati, për shkak të kolegëve republikanë që me shumicë i qëndruan përkrah. Votimi përfundimtar ishte 57-43, që për dhjetë vota pamundësoi dënimin e ish-presidentit.
“Kjo në nivelin bazik është fitore për ish-presidentin. Ai do të mund të garojë përsëri për postin e presidentit në vitin 2024, nëse vendos për këtë. Baza e tij, sipas të gjitha paralajmërimeve, është e padëmtuar. Në të dyja, Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, republikanët me shumicë kundërshtojnë procedurën e impiçmentit”, ka shkruar BBC-ja në një analizë për procesin e gjykimit ndaj ish-presidentit Trump. “Ata që dolën kundër po përballen me kritika të mëdha dhe në disa raste me qortime të ashpra nga udhëheqësit e partisë”, ka shkruar agjencia britanike.
Në një deklaratë për media, ish-presidenti ka festuar shfajësimin, duke kritikuar demokratët dhe ka thënë se lëvizja e tij politike është vetëm fillimi.
Trumpi dhe lëvizja e tij nuk kanë shpëtuar pa u lagur nga ky proces i gjykimit. Një prej momenteve më të rëndësishme të procesit që e menaxhuan anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve ishte publikimi i videove të reja të përkrahësve të Trumpit, që mbanin kapela “Make Amerika Great Again” dhe valëvitnin flamujt e Trumpit. “Këto pamje përgjithmonë do të përkujtojnë brendin e Trumpit. Çdo tubim që do të organizojë do të ngjallë kujtime të atij kaosi. Mund të mos i kushtojë asgjë në rangun e republikanëve, por votuesit e pavarur nuk do ta harrojnë”, ka shkruar BBC.
Fiks një vit më parë, vetëm një senator republikan – Mitt Romney nga Utah – votoi për dënimin e Trumpit. Kësaj here atij iu bashkuan edhe gjashtë senatorë të tjetër.
“Nuk është koincidencë se ata që dolën kundër partisë, tre prej tyre – Susan COllins, Ben Sasse dhe Bill Cassidy – sapo janë rizgjedhur dhe nuk duhet të përballen me votuesit për gjashtë vjet. Dy të tjerë – Pat Toomey nga Pennsylvania dhe Richard Burr i Karolinës Veriore – do të pensionohen”, thuhet në analizën e BBC-së.
Kjo shpërfaq sfidat që po përballen shumë senatorë republikanë. Një votë për dënim do të tërhiqte vëmendjen e votuesve primarë, shumë prej të cilëve qëndrimin kundër Trumpit e shohin si tradhti. Për ata në shtetet e sigurta të republikanëve, një sfidë nga kolegu konservator është shqetësim më i madh se çfarëdo sfide tjerë nga demokratët.
“Senatorët republikanë që do të jenë në garë për rizgjedhje në shtetet e luhatshme gjatë vitit të ardhshëm - siç janë në Florida, Wisconsin dhe Iowa- kanë mundur të shqetësohen se vota e tyre e dënimit të Trumpit mund të përdoret kundër nga kundërshtarët demokratë në zgjedhjet e përgjithshme”, shkruan BBC-ja.
Demokratët e guximshëm
Transmetuesi britanik vlerëson se për gati krejt karrierën e tyre, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve qëndrojnë në errësirë totale. Janë të paktë prej 435 anëtarëve, me përjashtim të kryetarit, që marrin vëmendjen ndonjëherë sa menaxherët e procesit që zgjati për pesë ditë në Senat.
“Ekipi prej nëntë anëtarëve bëri prezantime, kryesisht të ngjeshura me video të kaosit të gjashtë janarit. Në këto video kishte vendosur edhe hartën e objektit të Capitolit dhe tregonin se turma ishte shumë afër politikanëve amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin Mike Pence”, shkruan BBC. Menaxheri kryesor, Jamie Raskin, ndoshta do të mbahet mend më së miri për fjalimin hapës të procesit. Zërin e kishte të ngrysur kur kujtoi bisedën me të bijën 24-vjeçare pasi u evakuuan nga ndërtesa e Capitolit. Gjatë krejt javës ai shpërfaqi krejt përvojën si profesor i ligjeve të kushtetutës në American University.

Kongresisti me mandat të dytë, Joe Neguse, është konsideruar si yll në ngritje në politikën demokrate. Kthimi i tij kah kamerat nuk mori vëmendje aq të madhe. Befasia më e madhe e këtij ekipi ishte Stacet Plaskett nga Virgin Islands. Ani pse delegate pa të drejtë vote nga një territor amerikan, ajo kishte pak ndikim në Kongres, por dha një prej monologëve më të famshëm të krejt procesit. Demokratët mund të nisin fushatën për Virgin Islands pas performancës së saj.
“Nëse ishte ndonjë njollë kundër menaxherëve, atëherë ishte tentimi i tyre për të ftuar dëshmitarë. Nisja e atij muhabeti dhe pastaj braktisja do të shihen si gabim i paqëllimtë, duke u lënë shije të keqe menaxherëve”, shkruan BBC.
Strategjia e Bidenit
Strategjia e presidentit për të menaxhuar procesin ndaj ish-presidentit ishte sa për të mbajtur rendin aq sa i zgjatet dora.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë deklaruan se Bideni nuk kishte vëmendje të madhe ndaj procesit. Gjatë gjykimit ishte i angazhuar në çështjen e pandemisë së koronavirusit.
“Kur Bideni komentoi, ishte vetëm një qëndrim për videot e reja nga kaosi në Washington – pamje të cilat janë përsëritur vazhdimisht nëpër televizione”, shkruan BBC.
Llogaritjet e administratës së Bidenit janë se pasuria e tij afatgjatë politike varet nga suksesi në menaxhimin e pandemisë, të ekonomisë dhe shqetësimet e tjera të amerikanëve dhe jo nga rezultati i impiçmentit të Trumpit.
“Krejt në fund, gjykimi ka pasur pak ndikim në praktikë sa i përket progresit të tij në çuarjen përpara të agjendës legjislative. Senati humbi vetëm tri ditë të punës. Dhoma e Përfaqësuesve nuk do të jetë e gatshme të pranojë ligjin për lehtësimet ndaj koronaavirusit, derisa të miratojë një version, në të cilin ka shpenzuar disa javë”, shkruan BBC-ja në këtë analizë.
Tash kur gjykimi ka përfunduar, Senati do të vazhdojë me konfirmimin e emërimeve të administratës së Bidenit, përfshirë të nominuarin për prokuror të përgjithshëm, Merric Garland, që kthehet nga një pushim njëjavor. BBC-ja vlerëson se zhvillimet e fundit do t’i kënaqin Bidenin dhe ekipin e tij.
Në betejat e së ardhshmes, Bidenit i duhet partia e bashkuar. Nëse ka mendime të dyta pas këtij gjykimi, të çarat do të nisin të jenë të dukshme.
Mbrojtja e Trumpit
Bruce Castorit, që supozohet të ishte avokati prijës i mbrojtjes së Donald Trumpit, mund t’i shkojë për shtat ajo thënia e moçme se “nuk ka asgjë më të keqe sesa paraqitja e keqe”. Ai nisi mbrojtjen me një diskurs të gjatë sa mund ta ketë shtyrë senatorin Bill Cassidy të anojë nga demokratët.
Pas kësaj dhe nga raportet se vetë Trumpi ishte i pakënaqur – Castori u tërhoq nga skena duke u zëvendësuar nga Michael va nder Veen, një republikan nga Philadelphia që karrierën e ndërtoi në praktikat ligjore të lëndimeve personale.
“Van der Veen në prezantimet e tij ligjore bëri punë më të mirë në përkthimin e qëndrimit të paqartë të ish-presidentit kundër kundërshtarëve. Shpesh e kruante hundën në shenjë talljeje kur u referohej menaxherëve të procesit të gjykimit”, shkruan BBC-ja.
BBC vlerëson se në një moment ai nxiti fishkëllima nga demokratët kur e shmangi pyetjen e senatorit të rryer Bernie Sanders. Dhe ishte i nevrikosur kur demokratët u tallën me kërcënimet e tij se do të mbante në zyrë dëshmi nëse Senati vendos të ftojë dëshmitarë në gjykim.
Në fund, ai ia doli që t’i pamundësonte gjasat për gjykim të zgjatur dhe i përshpejtoi procedurat e përfundimit të kënaqshëm.
Avokatët vlerësohen nga fitoret dhe humbjet e tyre. Van der Veen, Castor dhe David Schoen e shpëtuan klientin e tyre nga humnera.