Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës planifikojnë t’i prezantojnë nenet e reja të shkarkimit kundër presidentit republikan, Donald Trump, gjatë së hënës, duke bërë thirrje për largimin e tij nga detyra. Kështu kanë bërë të ditur të premten dy burime të afërta me zhvillimet.
Burimet kanë thënë se nenet që përbëjnë akuzat zyrtare për keqbërje janë përpiluar nga ana e përfaqësuesve demokratë David Cicilline, Ted Lieu dhe Jamie Raskin, pas sulmit të së mërkurës në Capitol.
Një kopje e masës që është vënë në qarkullim mes pjesëtarëve të Kongresit e akuzon Trumpin për “nxitje të dhunës kundër Qeverisë së Shteteve të Bashkuara” në përpjekje për të sprapsur humbjen e tij karshi presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Nenet përmendin gjithashtu telefonatën e tij njëorëshe me sekretarin e Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger, në të cilën Trumpi i kërkon zyrtarit që “t’i gjejë” numër të mjaftueshëm votash për ta përmbysur rezultatin zgjedhor në shtetin e fituar nga Bideni.