Demokratët dhe republikanët ua kanë bërë thirrjet e fundit votuesve për të dalë masivisht në zgjedhjet e së martës për Kongres. Demokrati Joe Biden ka thënë se vizioni i tij është krejtësisht i ndryshëm prej atij të republikanëve pro-Donald Trumpit. Edhe Barack Obama e ka vlerësuar si të rrezikshme fitoren eventuale të mbështetësve të Donald Trumpit, i cili i ka quajtur marksistë e socialistë kandidatët demokratë.
Votuesit amerikanë janë të përçarë politikisht dhe kulturalisht përpara ditës së zgjedhjeve. Ata janë të shqetësuar se kah po shkon vendi i tyre - për inflacionin, abortin, imigracionin, krimin dhe shumë më tepër.
Votuesit gjithashtu ndiejnë diçka më thelbësore në rrezik në një kohë të mosbesimit në rritje ndaj institucioneve dhe njëri-tjetrit: e ardhmja e demokracisë.
Disa amerikanë mbeten me shpresë, por një këndvështrim shqetësues del nga intervistat me më shumë se dy duzina votuesish demokratë, republikanë dhe të pavarur përpara zgjedhjeve afatmesme të së martës – të parat që kur mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump u përpoqën të ndalonin certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden në vitin 2020.
Këto zgjedhje afatmesme janë gjithashtu të parat që kur Gjykata e Lartë i hoqi të drejtën kushtetuese një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë, duke ia lënë çështjen shteteve.
Sfidë e madhe
"Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme", tha Edward Foley, profesor në Universitetin Shtetëror të Ohajos që drejton programin e tij për ligjin zgjedhor. “Është një çështje se ku është demokracia jonë dhe si po ia dalim me vetëqeverisjen tonë kolektive”.
Mandatet e ndërmjetme janë gjithmonë të rëndësishme sepse një ndryshim në kontrollin e Dhomës ose Senatit mund të pengojë planet e një presidenti në detyrë. Kontrolli i Kongresit mund të ndikojë gjithashtu në hetime të ndryshme për Trumpin, duke përfshirë rolin e tij në kryengritjen e 6 janarit 2021.
Dhjetëra kandidatë në mbarë vendin kanë thënë se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën; disa që konkurrojnë për poste që vërtetojnë zgjedhjet kanë refuzuar të thonë nëse do të vërtetojnë rezultatet e 2024-ës. Dhe tashmë ka më shumë se 100 sfida ligjore kundër zgjedhjeve të këtij viti.
Shtetet e Bashkuara ishin në greminë më parë. Jo shumë kohë pas zgjedhjes së Abraham Lincolnit në 1860, 11 shtete u tërhoqën nga unioni dhe filloi Lufta Civile.
Në fund të fundit, tha Foley, zgjedhjet lindin prej pyetjes: "A mund të ndërtojmë në të vërtetë sistemin dhe të prodhojmë rezultate të sakta dhe të ndershme, dhe a do t'i besojnë mjaft njerëz?"
E liderët demokratë dhe republikanë kanë mbajtur aktivitetet e fundit të fushatës para zgjedhjeve të mesmandatit.
Në ditën e fundit të fushatës së procesit të gjatë zgjedhor për shtete e kongres, pothuajse 39 milionë amerikanë tashmë kanë hedhur votën e tyre.
Të gjitha 435 mandate për Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 sosh për Senat janë pjesë e garës së dy partive.
Frika nga kthimi i Trumpit
Bideni ka thënë se humbja e shumicës në dy dhomat e Kongresit do të vështirësonte qeverisjen e presidencës së tij. Ai u është adresuar mbështetësve demokratë në Nju-Jork, duke theksuar se nesër në fakt votohet për demokracinë.
“Në fakt, demokracia është në fletëvotim. Këtë e kam thënë prejse kam nisur garën zgjedhore”, ka deklaruar Bideni. “E dini, janë më shumë se 300 kandidatë republikanë që garojnë për poste lokale, shtetërore dhe federale, e që janë mohues të zgjedhjeve, të cilët thonë se unë nuk i fitova zgjedhjet, megjithëse qindra përpjekje për të sfiduar këtë dështuan krejtësisht, madje edhe në gjykata republikane”.
Ai ka thënë se amerikanët do të zgjedhin nesër ndërmjet dy vizioneve të Amerikës, duke iu referuar dallimeve të mëdha që ka në raport me ish-presidentin republikan, Donald Trump.
Trumpi ka bërë fushatë në Miami, duke bërë thirrje që të ketë dalje sa më të madhe të votuesve republikanë për t’i dhënë shtytje edhe kthimit të tij në garën presidenciale të vitit 2024.
“Drejtimi socialist, komunist dhe marksist i Partisë Demokrate radikale është prej arsyeve më të mëdha pse amerikanët hispanikë po i bashkohen lëvizjes sonë me miliona e miliona. Miliona e miliona”, ka deklaruar Trumpi “Ou, ne i duam, këta janë njerëzit më të mrekullueshëm. Ata janë të mrekullueshëm. Shumë syresh janë këtu. Çfarë do të thotë të jesh hispanik?”.
Demokrati Barack Obama, afroamerikani i parë që u zgjodh president i SHBA-së, ka paralajmëruar demokratët e shqetësuar se të drejtat e abortit, të Sigurimit Social dhe vetë demokracia janë në rrezik nëse republikanët ia dalin të fitojnë shumicën në Kongres pas zgjedhjeve të së martës.