Nëse Partia Republikane vazhdon sulmin e saj ndaj demokracisë amerikane – përfundim i paramenduar, nëse merr Kongresin dhe/ose Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e ardhshme – SHBA-ja, të paktën, do të humbasë paraqitjen e saj ideologjike
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka cilësuar konfrontimin e Amerikës me Kinën dhe Rusinë si garë të pafundme mes demokracisë dhe autokracisë. Nëse kjo është e vërtetë, fitorja amerikane do të varet jo vetëm nga aftësia e vendit për t’i mposhtur kundërshtarët, por edhe nga suksesi në ruajtjen e demokracisë amerikane.
Në imperativin e mëparshëm, Shtetet e Bashkuara janë të pozicionuara mirë për të pasur sukses, falë serisë së sulmeve mjeshtërore diplomatike. Si fillim, në samitet e fundit të G7-s dhe NATO-s, Bideni forcoi aleancën e gjerë që përfshin Evropën dhe Azinë kundër Rusisë dhe Kinës. Kjo pason mobilizimin e shpejtë të qeverive perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe ndëshkuar presidentin rus, Vladimir Putin, për luftën që filloi në muajin shkurt.
Bideni ka përfituar gjithashtu nga agresioni kinez ndaj fqinjëve për të konsoliduar aleancat amerikane në Azinë Lindore. Quad - i përbërë nga Australia, India, Japonia dhe SHBA-ja - ka thelluar bashkëpunimin strategjik. Shkurtimisht, administrata e Bidenit ka dëshmuar aftësinë e saj për të mbledhur aleatët demokratë të Amerikës për t'u bërë ballë kundërshtarëve autokratikë.
Megjithatë, në SHBA, shtyllat e institucioneve demokratike po shemben. Pavarësisht humbjes së tij në zgjedhje në vitin 2020, Donald Trumpi ruan kontroll të madh në Partinë Republikane. Rreth 70% e votuesve republikanë ende besojnë gënjeshtrën e Trumpit se humbja e tij në zgjedhje erdhi nga manipulimi i votave. Me dëshirën që të mos humbasin përkrahjen, gati krejt liderët kongresistë nga Partia Republikane ose janë papagaj të këtyre gënjeshtrave ose mbajnë heshtje nga frika.
Ndërkohë, liderët republikanë po i godasin fort me çekiç shtyllat e demokracisë amerikane. Në vitin 2021, të paktën 19 shtete – të gjitha përveç dy prej tyre të kontrolluara nga republikanët – miratuan 34 ligje për të kufizuar qasjen në votim. Dhe një muaj përpara zgjedhjeve të vitit 2020, republikanët e Kongresit shtynë konfirmimin e gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Amy Coney Barrett, pavarësisht se kishin refuzuar të zhvillonin seanca dëgjimore për kandidatin e Gjykatës së Lartë gjatë vitit të fundit të Barack Obamas si president.
Kjo tregon për zhvillimin më alarmues të kohëve të fundit për demokracinë amerikane: politizimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së. Tashmë e mbushur me drejtësi të ekstremit të djathtë, Gjykata nxori disa vendime radikale muajin e kaluar që minojnë të drejtat e grave, mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë publike, duke dëmtuar rëndë pozitën e saj si institucion i pavarur.
Sado të këqija që janë gjërat, kriza e demokracisë amerikane mund të jetë vetëm fillimi. Partia Republikane duket se do të rimarrë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet afatmesme të nëntorit. Dhe nuk mund të thuhet se çfarë do të sjellin zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Nuk mund të përjashtohet mundësia e kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë – zhvillim që do ta vinte demokracinë amerikane në rrezik të madh.
Nuk është e vështirë të shpjegosh pse Bideni po e fiton luftën e ftohtë jashtë vendit, por po e humb luftën për demokracinë brenda. SHBA-ja dhe aleatët e saj janë ende shumë përpara kundërshtarëve të tyre autokratikë në fusha kritike, jo më pak në aftësitë ushtarake dhe teknologjike. Për më tepër, Rusia dhe Kina angazhohen vazhdimisht në llojin e agresionit dhe bullizmit që i shtyn vendet më të vogla në krahët e SHBA-së.
Megjithatë, për ta mbrojtur demokracinë amerikane, Bideni – dhe demokratët amerikanë më gjerësisht – duhet t’i kapërcejnë pengesat strukturore të ngulitura në kushtetutën e vendit. Sipas dizajnit, sistemi amerikan u jep disa votuesve shumë më tepër ndikim se të tjerët. Më e çuditshme, ndërsa vendet në Dhomën e Përfaqësuesve përafërsisht korrespondojnë me pjesën e një shteti të popullsisë së SHBA-së, të gjitha shtetet marrin dy vende në Senat. Sot, republikanët mbajnë 50% të vendeve të Senatit, por përfaqësojnë vetëm 43% të popullsisë së SHBA-së.
Amerikanët në shtetet më pak të populluara kanë gjithashtu më shumë pushtet mbi ekzekutivin, sepse presidenti zgjidhet në mënyrë indirekte, nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor. Trumpi në vitin 2016 dhe George W. Bush në 2000 – të dy republikanë – fituan presidencën pavarësisht se humbën votën popullore. Ky avantazh strukturor do të thotë se republikanët përballen me më pak presion për të zbutur ekstremizmin e tyre; ata mund të kujdesen për pakicën radikale dhe ende të kenë po aq pushtet sa demokratët.
Republikanët përfitojnë gjithashtu nga mjedisi mediatik i helmuar në të cilin firma si “Fox News” e “Rupert Murdoch” korrin fitime masive duke promovuar gënjeshtra dhe teori konspirative. Këtu, pengesa strukturore për ndryshim do të ishte relativisht e lehtë për t'u trajtuar: shtyllat e krijimit financiar të SHBA-së si BlackRock dhe Vanguard - dy nga investitorët më të mëdhenj të Fox - duhet vetëm të ndalojnë së investuari në firma që po minojnë sistematikisht demokracinë amerikane. Por nuk ka asnjë arsye për të menduar se ata do ta bëjnë.
Asnjë nga këto nuk parashikon mirë perspektivën e Amerikës në luftën e re të ftohtë. Po, ka ende një shans që demokratët të mund të ruajnë fuqinë e mjaftueshme për ta mbrojtur demokracinë amerikane. Në këtë rast, SHBA-ja mund të vazhdojë të ndërtojë mbi momentin pozitiv që administrata Biden ka krijuar me manovrat e fundit të politikës së jashtme.
Por nëse Partia Republikane vazhdon sulmin e saj ndaj demokracisë amerikane – përfundim i paramenduar, nëse merr Kongresin dhe/ose Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e ardhshme – SHBA-ja, të paktën, do të humbasë paraqitjen e saj ideologjike. Ajo mund të arrijë ende të mbledhë aleatët e saj demokratikë për të sfiduar Kinën dhe Rusinë, por vetëm mbi bazën e interesave të ngushta kombëtare, në vend të vlerave të përbashkëta. Ajo që tani është luftë ideologjike midis demokracive dhe autokracive mund të bëhet kështu përplasje e gjithanshme e titanëve globalë.
Ky është skenari më i mirë. Në rastin më të keq, konsolidimi i sundimit të pakicës dhe ngritja e regjimit joliberal në SHBA mund të nxisin trazira civile, duke vënë shumicën de facto të privuar nga e drejta kundër pakicës gjithnjë e më autoritare. Është e vështirë të imagjinohet se vendi i përfshirë në trazirën e tillë mund të udhëheqë koalicionin e demokracive në skenën botërore.
(Minxin Pei, profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna, është anëtar i lartë jorezident në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)