Presidenti, republikani Donald Trump dhe rivali i tij demokrat Joe Biden përballen në debatin e dytë të enjten (sot), 12 ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Dy kandidatët, të dy në të 70-at, ndërprenë disa herë njeri-tjetrin gjatë debatit të parë në fund të shtatorit që u cilësua si debati më i keq në historinë e debateve presidenciale.
Këtë radhë, Komisioni i Debateve Presidenciale, një institucion i pavarur, do t’ia mbyllë mikrofonin kandidatit ndërkohë që rivali i tij i përgjigjet pyetjes lidhur me gjashtë tema aktuale të zgjedhura nga gazetarja e kanalit NBC News, Kristen Welker e cila do të drejtojë debatin.
Nëse asnjëri nga kandidatët nuk përpiqet të ndërpresë tjetrin gjatë komenteve 2-minutëshe në hapje, komisioni tha se mendon që votuesit e pavendosur do të kenë mundësi të dëgjojnë më qartë pikëpamjet e rivalëve.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga debati i parë, i cili do të zhvillohet në një mjedis universitar në Neshvill të shtetit Tenesi. Debati i dytë u anulua fillimisht pasi presidenti u shtrua në spital për COVID-19. Komisioni reagoi duke njoftuar se debati i dytë do të zhvillohej online, por presidenti nuk pranoi dhe planet u anuluan.
Edhe
“Politico”: Bideni humbi debatin, por as Trumpi s’pati “natë magjike”
Ndërkaq, miliona amerikanë kanë vendosur se për kë do të votojnë. Deri tani 41 milionë kanë votuar ose me postë ose fizikisht.
Debati i së enjtes mund të jetë shansi i fundit më i rëndësishëm për presidentin Trump për të reduktuar epërsinë e rivalit Biden në anketa. Me afro gjysmë shekulli përvojë në politikë, Biden ka një avantazh prej 9-10% në anketa kombëtare, por në shtete të lëkundura kjo epërsi është shumë më e ngushtë. Këto shtete janë vendimtare për rezultatin.
Gazetarja Welker ka thënë se do t’i pyesë kandidatët për masat e tyre për të vënë nën kontroll pandeminë.
Në një intervistë me kanalin Fox News të martën, Trump kritikoi Welkerin si “plotësisht partiake” dhe kritikoi komisionin e debateve duke thënë se është tendencioz kundër tij.
Presidenti tha se nuk është i kënaqur që do t’i mbyllin mikrofonin gjatë deklaratës hapëse dhe shtoi se debati duhet të ishte përqendruar te politika e jashtme dhe jo te pandemia dhe tema të tjera.
Edhe
Biden vs. Trump – sonte debati presidencial më fatal në historinë e SHBA-së
Ekipi i Trumpit ka thënë se presidenti do të ngrejë këtë radhë një temë që nuk u prek gjatë debatit të parë -- akuzat se djali i Bidenit, Hunter kishte përdorur emrin e të atit dhe postin e tij si nënpresident për të hyrë në marrëveshje fitimprurëse me Ukrainën dhe Kinën.
Bideno i ka cilësuar akuzat lidhur me të birin “fushatë njollosjeje” por nuk u është përgjigjur konkretisht këtyre akuzave lidhur me marrëveshjet e të birit, ndër to edhe një vend për Hunter Biden në bordin e kompanie gazi, sipas disa raportimeve të medias sociale, ku ai paguhej rreth 50 mijë dollarë në muaj.