Parlamenti danez ka miratuar rritjen e moshës së pensionimit në 70 vjeç, duke e bërë Danimarkën vendin me moshën më të lartë të pensionimit në Evropë, shkruan CNN.
Aktualisht, shumica e danezëve dalin në pension në moshën 67 vjeç, ndërsa ata të lindur më 1 janar 1967 e tutje mund të dalin në pension në moshën 69 vjeç. Me ligjin e ri, ata të lindur pas 31 dhjetorit 1970 do të duhet të presin deri në moshën 70 vjeç për t'u pensionuar.
Ministrja e Punës, Ane Halsboe-Jorgensen, deklaroi se ky ndryshim është i nevojshëm për të garantuar mirëqenien e brezave të ardhshëm.
Sipas statistikave zyrtare, Danimarka ka rreth gjashtë milionë banorë, prej të cilëve mbi 700 mijë janë të moshës 60–69 vjeç dhe rreth 580 mijë të moshës 70–79 vjeç.
Shoqata daneze e sigurimeve dhe fondeve të pensioneve (F&P) theksoi se gjithnjë e më shumë qytetarë vazhdojnë të punojnë edhe pasi marrin pensionin shtetëror – rreth 80 mijë persona aktualisht punojnë pas pensionimit, falë kushteve të mira ekonomike, fleksibilitetit të punëdhënësve dhe stimujve financiarë.
“Për shumë danezë, mosha 70 vjeç duket e lartë, por faktet tregojnë se gjithnjë më shumë njerëz qëndrojnë aktivë në tregun e punës. Lajmi i mirë është se shumë prej tyre jo vetëm që janë në gjendje të mirë shëndetësore, por edhe kanë dëshirë të vazhdojnë punën”, u shpreh Jan V. Hansen nga F&P.
Megjithatë, Aleanca e Kuq-Gjelbër në opozitë e dënoi vendimin, të cilin e mbështetën socialdemokratët në pushtet dhe konservatorët. Ata e quajtën të padrejtë dhe vunë në dukje se shumë ministra kanë ende të drejtën të dalin në pension në moshën 60 vjeç.