Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dalin pamjet: “Goditja e dyfishtë” izraelite vrau fëmijën që ndihmonte mjekun e plagosur në Gaza

Dalin pamjet: “Goditja e dyfishtë” izraelite vrau fëmijën që ndihmonte mjekun e plagosur në Gaza

Mohammad Abdul Zinati po kthehej në shtëpi nga shkolla mes rrënojave në rrugën “Salah Khalaf” të qytetit të Gazës kur u ndal në një market ku një grup i shokëve të tij mblidhej gjithmonë.

Pak para orës 15 e 30, një shpërthim u dëgjua. Mes shumë njerëzve, edhe Mohammadi doli në rrugë për të parë se çka ka ndodhur.

Kur tymi dhe pluhuri u larguan, aty u pa një burrë i gjakosur. Ishte i plagosur rëndë, por ende gjallë. Ai po kërkonte ndihmë dhe Mohammadai vrapoi në drejtim të tij.

15-vjeçari nuk kishte dëgjuar asnjë kushëri të tij që e kishin vënë re afrimin e një droni izraelit. Brenda pak sekondash, droni lëshoi një bombë me aftësi rrëshqitëse, të projektuar për t’ua mundësuar operatorëve identifikimin dhe goditjen e objektivave me shkallë të lartë saktësie.

Municioni u hodh në tokë dhe shpërtheu pak metra para adoleshentit. Mohammadi s’kishte kohë për të reaguar para se shpërthimi i dytë ta vriste.

Dëshmitarët dhe ekspertët e armëve kanë folur për “The Guardian” për të hedhur dritë në rastin e vrasjes së këtij fëmije në Gaza.

“Dëgjuam shpërthim të madh dhe u përpoqëm të shkonim në vendin e ngjarjes për të parë se çka ndodhi”, ka thënë Tamer Lubbad, dëshmitar që incizoi sulmin. “E gjetëm burrin e shtrirë në tokë. Ishte gjallë dhe po kërkonte ndihmë”.

Më vonë, i plagosuri në sulmin e parë, u identifikua si mjeku Sharif Shadi Labad. Ushtria e Izraelit ka thënë se Labadi ishte cak sepse ishte militant i Hamasit.

Mes njerëzve që iu afruan Labadit ishte edhe kushëriri i Mohhamad Zinatit, Rajeh Zinati, 26-vjeçar.

“Dola nga shtëpia për të parë se çka ndodhi. Gjatë rrugës pash kushëririn tek dilte nga marketi. Po vraponte drejt vendit të ngjarjes. Bërtita “Mohammed ndal”, por nuk më dëgjoi dhe ecte. Më pas e pash dronin në qiell. Nisa sërish t’i bërtitja “Ik, largohu”. Në atë moment, Mohammadi i ri veçse kishte mbërritur tek i lënduari. Sapo u afrua krejt, droni e goditi edhe atë. Mohammedi u godit në gjoks dhe abdomen dhe vdiq. Nuk mund të bëja asgjë për ta shpëtuar”, ka rrëfyer Zinati.

Izraeli në vazhdimësi ka mohuar pretendimet se ka në cak civilë, duke deklaruar se vlerëson dhe i merr parasysh rreziqet e dëmtimit të civilëve gjatë kryerjes së sulmeve.

Gjithsesi ekspertët e armëve që kanë parë videon kanë thënë se vrasja e fëmijës mund të shmangej.

“Bomba që shihet para shpërthimit është ‘Mikholit’, që lëshohet nga automjetet ajrore pa pilot ose dronët izraelitë”, ka thënë Trevor Ball, studiues luftërash dhe ekspert i dronëve. “Këta dronë janë të pajisur me kamera të cilësisë së lartë, që do të kishin mundësi ta shihnin adoleshentin. Të paktën disa variante të ‘Mikholitit’ kanë kapacitet për t’u ridrejtuar drejt një objektivi apo pike tjetër gjatë fluturimit”.

Sulmi që vrau fëmijën dhe mjekun ngjan në atë që po konsiderohet “sulm i dyfishtë”, kur një shpërthim përcillet nga një i dytë në të njëjtin lokacion, pasi ekipet e shpëtimit apo të tjerë mbërrijnë për të ndihmuar të plagosurit.

Në një deklaratë për “The Guardian”, ushtria e Izraelit ka thënë se Labadi ishte terrorist. Ushtria nuk ka komentuar pse ka ndodhur shpërthimi i dytë, por ka thënë se është dijeni të raportimeve të tilla dhe se i vjen keq për çfarëdo dëmi që u shkaktohet individëve të papërfshirë në luftime.