Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Cosby në liri, i shfuqizohet dënimi për sulm seksual

Komediani amerikan, Bill Cosby, ka dalë nga burgu të mërkurën, pasi Gjykata e Lartë në Pennsylvania ia ka shfuqizuar dënimin për sulm seksual dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.

Këtë vendim gjykata e ka marrë me justifikimin se ai nuk është dashur të paditej, pasi kishte arritur marrëveshje për mospersekutim me prokurorin e mëhershëm të qarkut, më se 15 vjet më parë.

Vendimi për lirim është marrë pasi që 83-vjeçari Cosby ka vuajtur më shumë se tre vjet nga dënimi i tij me 10 vjet heqje lirie, në një burg afër Philadelphias.

Ai ishte shpallur fajtor për drogimin dhe keqpërdorimin e ish-basketbollistes, Andrea Constand, në vitin 2004. Më herët ai ishte akuzuar nga dhjetëra gra për sulme seksuale, porse ishte ndjekur penalisht vetëm rreth rastit të basketbollistes.

Dënimi i tij në vitin 2018 ishte cilësuar si një moment historik për lëvizjen #MeToo. Komediani njihej për rolin në serinë televizive të viteve 80, “The Cosby Show” dhe cilësohej si “Babai i Amerikës”.