Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Çmimet “Pulitzer” për gazetarët që “vrapojnë drejt zjarrit”

Çmimet e sivjetme “Pulizter” u janë ndarë organizatave mediatike që janë marrë me demaskimin e korrupsionit, problemet në sundimin e ligjit dhe trashëgiminë e racizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohje për punën e gazetarëve që zbardhin pabarazinë dhe të ligat e tjera shoqërore.

Listës i ka prirë gazeta “New York Times” me tri çmime. “The New Yorker” ka fituar dy shpërblime dhe mediumi joprofitabil “ProPublica” ka fituar një, teksa e ka ndarë edhe një tjetër. Agjencia e lajmeve “Reuters” ndërkaq ka fituar çmimin prestigjioz për fotografi, në rrafshin e fotoraportimit për dokumentimin e protestave të dhunshme vjet në Hong-Kong.

“The Courier-Journal” në Luisville në Kentucky ka fituar çmimin e nderit për mbulimin e vendimeve të minutave të fundit për faljen e qindra të burgosurve nga ish-guvernatori Matt Bevin. Çmimi për gazetari hulumtuese i ka shkuar Bian Rosenthalit të “New York Times”, i cili kishte zbuluar se mijëra taksistë të qytetit njujorkez morën teposhtën në jetën e tyre, për shkak të huave të pashlyera.

Protestat e Hong-Kongut në syrin e mediave

Çmimi “Pulitzer” për “Reutersin”, njësit i Thomson Reuters, ishte i teti për redaksinë e kësaj agjencie lajmesh qysh prej vitit 2008 dhe i pesti në tre vjetët e fundit. Për mbulimin e protestave që kishin krijuar shqetësim të madh pas përpjekjeve të Kinës për të cenuar lirinë e Hongh-Kongut, personeli i “Reutersit” ishte finalist për çmimin e raportimit ndërkombëtar, që është fituar nga “New York Times”.

Edhe Kolumne Fuqia e shtypit të lirë

Çmimet “Pulitzer”, më prestigjiozet në gazetarinë amerikane, janë ndarë prej vitit 1917, kur botuesi Joseph Pulitzer i krijoi për ta nderuar atë. Çmimet e sivjetme janë shtyrë për dy javë, për shkak se disa gazetarë në bordin prej tetëmbëdhjetë anëtarësh të “Pulitzerit” ishin të zënë me mbulimin e pandemisë së koronavirusit.

Në vitet normale, shpërblimet ndahen në Universitetin Columbia në New York. Të hënën vonë, sipas kohës lokale amerikane, Dana Canedy që administron “Pulitzerët” ka mbajtur një konferencë me videolidhje nga dhoma e ndejës, duke lexuar emrat e fituesve disa javë pasi anëtarët e bordit kishin zgjedhur raportet dhe fotografitë fituese.

“Është ironike se çmimet e para “Pulitzer” ishin ndarë në qershorin e vitit 1917 – më pak se një vit para se të shpërthente pandemia e gripit spanjoll më 1918”, ka deklaruar Canedy. “Gjatë kësaj kohe të paqartësisë së pashembullt, një gjë që e dimë padyshim të gjithë është se gazetaria nuk ndalet kurrë”.

Faktimi i abuzimeve seksuale

“The Anchorage Daily News” dhe “ProPublica” nxorën seri shkrimesh për abuzimin e ashpër seksual në fshatrat rurale që popullohen kryesisht prej njerëzve indigjenë, ku pothuajse nuk ekziston sundimi i ligjit.

Shpërblimi për shërbimin publik shihet përgjithësisht si më i çmuari në mesin e pesëmbëdhjetë kategorive të shpërblimeve të ndara. Pulitzer ndan çmime edhe në shtatë kategori të librit, dramës dhe muzikës.

Edhe “James” me “Pulitzer”, por jo pa komplikime Kulturë “James” me “Pulitzer”, por jo pa komplikime

Shumë prej fotografive fituese të Reutersit përshkruajnë përleshjet e dhunshme ndërmjet protestuesve dhe autoriteteve të Hong-Kongut, përfshirë imazhe të shkrepura në kulmin e përplasjeve, kur kishte edhe hedhje të gazit lotsjellës, shkrepje të plumbave të gomës dhe hedhje të tullave.

“Fotografët tanë në mënyrë brilante kanë kapur dhe dëshmuar përmasat e protestave në Hong-Kong”, ka deklaruar Stephen J. Adler, kryeredaktor i “Reutersit” në një deklaratë të shkruar. “Imazhet e tyre ishin të bukura, goditëse, iluminuese dhe thellësisht për mbamendje”. \ NYT - Reuters