Luftimet aktuale vijnë pasi Izraeli është zhytur në një krizë të zgjatur politike që po i dërgon votuesit në qendrat e votimit për herë të pestë brenda më pak se katër vjetësh. Udhëheqësi i kujdesshëm, Yair Lapid, mori detyrën në fillim të kësaj vere pasi u shemb qeveria e larmishme ideologjikisht që ai ndihmoi të formohej, duke shkaktuar zgjedhjet e reja
Izraeli dhe militantët palestinezë në Rripin e Gazës shkëmbyen zjarr në fundjavë, në periudhën më të keqe të dhunës ndërkufitare që nga lufta 11-ditore midis Izraelit dhe “Hamasit” vitin e kaluar.
Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 44 persona, duke përfshirë 15 fëmijë dhe katër gra. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një komandant të lartë nga Xhihadi Islamik Palestinez, grup militant i mbështetur nga Irani, i cili u vra në një sulm të synuar.
Militantët kanë lëshuar dhjetëra raketa në qytete dhe qyteza izraelite, duke vështirësuar jetën për qindra mija njerëz.
Ja një vështrim në raundin e fundit të dhunës.
Nën hijen e “Hamasit”
Xhihadi Islamik është më i vogli nga dy grupet kryesore militante palestineze në Rripin e Gazës, dhe është shumë më i madh se grupi qeverisës i Hamasit. Por ai gëzon mbështetje të drejtpërdrejtë financiare dhe ushtarake nga Irani dhe është bërë forca lëvizëse në përfshirjen në sulme me raketa dhe konfrontime të tjera me Izraelin.
“Hamasi”, i cili mori kontrollin e Gazës në vitin 2007 nga Autoriteti Palestinez i njohur ndërkombëtarisht, shpesh është i kufizuar në aftësinë e tij për të vepruar, sepse mban përgjegjësi për drejtimin e punëve të përditshme të territorit të varfër. Xhihadi Islamik nuk ka detyra të tilla dhe është shfaqur si fraksioni më militant, duke minuar herë pas here autoritetin e “Hamasit”.
Grupi u themelua në vitin 1981 me qëllim të krijimit të një shteti palestinez islamik në Bregun Perëndimor, Gaza dhe në të gjithë atë që tani është Izraeli. Është cilësuar si organizatë terroriste nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, Bashkimi Evropian dhe qeveri të tjera. Ashtu si “Hamasi”, “Xhihadi Islamik” është betuar për shkatërrimin e Izraelit.
Lidhja iraniane
Armiku kryesor i Izraelit, Irani, furnizon Xhihadin Islamik me trajnime, ekspertizë dhe para, por shumica e armëve të grupit prodhohen në vend. Vitet e fundit, ajo ka zhvilluar një arsenal të barabartë me atë të “Hamasit”, me raketa me rreze më të gjata veprimi, të afta për të goditur zonën qendrore të Izraelit në Tel-Aviv. Sirenat e sulmit ajror ranë në periferi në jug të Tel-Avivit të premten, edhe pse asnjë raketë nuk duket të ketë goditur zonën.
Edhe pse baza e tij është Gaza, Xhihadi Islamik ka gjithashtu udhëheqje në Bejrut dhe Damask, ku mban lidhje të ngushta me zyrtarët iranianë.
Ziad al-Nakhalah, udhëheqësi më i lartë i grupit, ishte në Teheran duke takuar zyrtarët iranianë kur Izraeli filloi operacionin e tij në Gaza të premten.

Shënjestrimi i komandantëve
Kjo nuk është hera e parë që Izraeli vret udhëheqës të Xhihadit Islamik në Gaza. Komandanti që vrau të premten, Taiseer al-Jabari, zëvendësoi Bahaa Abu el-Attan, i cili u vra nga Izraeli në një sulm të vitit 2019. Vdekja e tij ishte vrasja e parë e profilit të lartë e një figure të Xhihadit Islamik nga Izraeli që nga lufta e vitit 2014 në Rripin e Gazës.
Al-Jabari, 50 vjeç, ishte anëtar i Këshillit ushtarak të Xhihadit Islamik, organi vendimmarrës i grupit në Gaza. Ai ishte përgjegjës për aktivitetet militante të Xhihadit Islamik në qytetin e Gazës dhe në Rripin verior të Gazës gjatë luftës së vitit 2021. Izraeli tha se ai ishte duke u përgatitur për të nisur një sulm raketor antitank kundër Izraelit.
Vdekja e tij erdhi pas arrestimit nga Izraeli të një komandanti të lartë të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor në fillim të kësaj jave. Bassam al-Saadi, 62 vjeç, është zyrtar i lartë i Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor verior. Sipas mediave izraelite, Al-Saadi po punonte për të thelluar shtrirjen e grupit në Bregun Perëndimor dhe për t’i zgjeruar aftësitë e tij.
Al-Saadi kaloi gjithsej 15 vjet gjatë disa periudhave në burgjet izraelite duke qenë anëtar aktiv i Xhihadit Islamik. Izraeli vrau dy nga djemtë e tij, të cilët ishin gjithashtu militantë të Xhihadit Islamik, në incidente të veçanta në vitin 2002 dhe shkatërroi shtëpinë e tij gjatë një beteje të ashpër, në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor në të njëjtin vit.
“Sapo t’i godisni komandantët, do të ketë ndikim menjëherë në të gjithë organizatën”, tha Zvika Haimovich, ish-kreu i forcave të mbrojtjes ajrore të ushtrisë izraelite. “Kjo menjëherë krijon një rrëmujë të madhe në Xhihad”.
Baraspesha delikate
Që nga marrja e pushtetit në vitin 2007, Hamasi ka zhvilluar katër luftëra me Izraelin, shpesh me mbështetjen e luftëtarëve të Xhihadit Islamik. Përveç një shpërthimi në fillim të këtij viti, kufiri ka qenë kryesisht i qetë që nga lufta 11-ditore e vitit të kaluar dhe “Hamasi” duket se po qëndron në periferi të këtij zjarri aktual, gjë që mund ta pengojë atë të përhapet në luftë gjithëpërfshirëse.
Militantët e Xhihadit Islamik e kanë sfiduar “Hamasin” duke gjuajtur raketa, shpesh pa marrë përgjegjësinë, për të ngritur profilin e tij në mesin e palestinezëve ndërsa “Hamasi” zbaton armëpushimin. Izraeli e konsideron “Hamasin” përgjegjës për të gjitha raketat që vijnë nga Gaza.
“Hamasi” duhet të ecë në litar mes frenimit të zjarrit të Xhihadit Islamik në Izrael, duke shmangur zemërimin e palestinezëve nëse godet grupin. Ashtu si në shpërthimet e kaluara, “Hamasi” do të ketë fjalën e fundit për sa kohë, dhe sa i dhunshëm, do të zgjasë ky raund luftimesh.
Udhëheqës i kujdesshëm
Luftimet aktuale vijnë pasi Izraeli është zhytur në një krizë të zgjatur politike që po i nxjerr votuesit në qendrat e votimit për herë të pestë brenda më pak se katër vjetësh.
Udhëheqësi i kujdesshëm, Yair Lapid, mori detyrën në fillim të kësaj vere pasi u shemb qeveria e larmishme ideologjikisht që ai ndihmoi të formohej, duke shkaktuar zgjedhjet e reja.
Lapidit, ish-prezantues dhe autor televiziv centrist, i mungon sfondi i sigurisë që shumë izraelitë e shohin si thelbësore për udhëheqjen e tyre. Pasuria e tij politike mund të mbështetet në luftimet aktuale, ose duke fituar një nxitje nëse mund ta portretizojë veten si një udhëheqës i aftë ose të marrë një goditje nga një operacion i gjatë, ndërsa izraelitët përpiqen t’i shijojnë javët e fundit të verës.
Lapidi shpreson ta mposhtë ish-kryeministrin Benjamin Netanyahu, veteran sigurie që po gjykohet për akuza për korrupsion, në zgjedhjet e ardhshme.
Përktheu: Forca Jashari