Xhihadi Islamik i mbështetur nga Irani, është më i vogël se Hamasi, por kryesisht ndan ideologjinë e tij. Të dyja grupet kundërshtojnë ekzistencën e Izraelit dhe kanë kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse gjatë viteve, duke përfshirë hedhjen e raketave në Izrael. Është e paqartë se sa kontroll ka Hamasi mbi Xhihadin Islamik dhe Izraeli e konsideron Hamasin përgjegjës për të gjitha sulmet që vijnë nga Gaza.
Aeroplanët izraelitë goditën objektivat e militantëve në Gaza herët të shtunën, ndërsa raketat ranë në jug të Izraelit, disa orë pasi një valë sulmesh ajrore izraelite në enklavën bregdetare vrau të paktën 11 njerëz, duke përfshirë një militant të lartë dhe një vajzë 5-vjeçare.
Luftimet që filluan të premten me vrasjen dramatike nga Izraeli të një komandanti të lartë të Xhihadit Islamik Palestinez, vazhduan gjatë gjithë natës, duke i afruar palët më pranë një lufte gjithëpërfshirëse.
Por militantët e Hamasit u duk se qëndruan anash konfliktit, duke qëndruar të qetë, për momentin. Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar në katër luftëra dhe disa beteja më të vogla gjatë 15 vjetëve të fundit me një kosto marramendëse për 2 milionë banorët palestinezë të territorit.
Rundi i fundit i dhunës mes Izraelit dhe Gazës u shkaktua nga arrestimi këtë javë i një udhëheqësi të lartë të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor, pjesë e një operacioni ushtarak izraelit njëmujor në këtë territor. Duke përmendur një kërcënim për sigurinë, Izraeli më pas mbylli rrugët rreth Rripit të Gazës dhe të premten vrau udhëheqësin militant në një sulm të synuar.
Një shpërthim është dëgjuar në qytetin e Gazës, ku tymi ka dalë nga kati i shtatë i një ndërtese të lartë. Videoja e publikuar nga ushtria izraelite tregoi sulmet duke hedhur në erë tri kulla roje me militantë të dyshuar në to.
Sfidat e kryeministrit
Në një fjalim televiziv kombëtar të premten, kryeministri izraelit, Yair Lapid, tha se vendi i tij nisi sulmet bazuar në "kërcënime konkrete".
“Kjo qeveri ka një politikë të tolerancës zero për çdo tentativë sulmi, të çfarëdo lloji, nga Gaza drejt territorit izraelit”, tha Lapid. "Izraeli nuk do të rrijë duarkryq kur ka nga ata që përpiqen të dëmtojnë civilët e tij".
"Izraeli nuk është i interesuar për një konflikt më të gjerë në Gaza, por nuk do të shmanget as nga një”, shtoi ai.
Dhuna përbën një provë të hershme për Lapidin, i cili mori rolin e kryeministrit të përkohshëm përpara zgjedhjeve të nëntorit, kur ai shpreson të mbajë postin.
Lapidi, ish-prezantues dhe autor televiziv centrist, ka përvojë në diplomaci pasi ka shërbyer si ministër i jashtëm në qeverinë në largim, por ka kredenciale të pakta sigurie. Një konflikt me Gazën mund të shkëlqejë pozitën e tij dhe t'i japë atij një shtysë ndërsa përballet me ish-kryeministrin, Benjamin Netanyahu, një skifter sigurie që udhëhoqi vendin gjatë tre nga katër luftërat e tij me Hamasin.
Mëdyshjet e Hamasit
Hamasi gjithashtu përballet me një dilemë për të vendosur nëse do t'i bashkohet një beteje të re vetëm një vit pasi lufta e fundit shkaktoi shkatërrim të gjerë. Nuk ka pasur pothuajse asnjë rindërtim që atëherë, dhe territori i izoluar bregdetar është zhytur në varfëri, me papunësinë që lëviz rreth 50%.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një vajzë 5-vjeçare dhe një grua 23 vjeçare ishin në mesin e të vrarëve në Gaza, pa bërë dallimin mes viktimave civile dhe militante. Ushtria izraelite tha se vlerësimet e hershme ishin se rreth 15 luftëtarë u vranë. Dhjetëra u plagosën.
Xhihadi Islamik tha se Taiseer al-Jabari, komandanti i tij për Gazën veriore, ishte në mesin e të vdekurve. Ai kishte pasuar një tjetër militant të vrarë në një sulm ajror në vitin 2019. Kjo shkaktoi një raund të rëndë luftimesh midis Izraelit dhe grupit militant.
Një zëdhënës ushtarak izraelit tha se sulmet ishin në përgjigje të një “kërcënimi të menjëhershëm” nga dy skuadra militante të armatosura me raketa antitank. Zëdhënësi, i cili informoi gazetarët në kushte anonimiteti, tha se al-Jabari ishte shënjestruar qëllimisht dhe kishte qenë përgjegjës për "sulme të shumta" ndaj Izraelit.
Qindra marshuan në funeralin për të dhe të tjerët që u vranë, me shumë vajtues që valëvitnin flamujt e Palestinës dhe Xhihadit Islamik dhe bënin thirrje për hakmarrje.
Sulmet me raketa
Mediat izraelite treguan qiejt mbi Izraelin jugor dhe qendror të ndriçuar me raketa dhe interceptues nga sistemi i mbrojtjes raketore të Iron Dome të Izraelit. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa raketa u lëshuan dhe nuk kishte raporte të menjëhershme për viktima nga pala izraelite.
Gjatë natës, Izraeli goditi raketahedhës, objekte ndërtimi raketash dhe pozicione të Xhihadit Islamik. Ushtria tha gjithashtu se arrestoi 19 militantë të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor.
I dërguari i posaçëm i OKB-së në rajon, Tor Wennesland, tha: "Lansimi i raketave duhet të ndërpritet menjëherë dhe u bëj thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm".
Pas sulmeve fillestare izraelite, disa qindra njerëz u mblodhën jashtë morgut në spitalin kryesor Shifa të qytetit të Gazës. Disa hynë për të identifikuar të dashurit dhe dolën më vonë në lot.
"Zoti të hakmerret kundër spiunëve", bërtiti njëri, duke iu referuar informatorëve palestinezë që bashkëpunojnë me Izraelin.
Ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz, miratoi një urdhër për të thirrur 25 mijë ushtarë rezervë nëse është e nevojshme, ndërsa ushtria njoftoi një "situatë të veçantë" në frontin e brendshëm, me shkolla të mbyllura dhe kufizime të vendosura për aktivitetet në komunitetet brenda 80 kilometrave nga kufiri.
Izraeli mbylli rrugët rreth Gazës në fillim të kësaj jave dhe dërgoi përforcime në kufi ndërsa po përgatitej për një sulm hakmarrës pas arrestimit të së hënës të, Bassam al-Saadi, një udhëheqës i Xhihadit Islamik, në një sulm ushtarak në Bregun Perëndimor të pushtuar. Një anëtar adoleshent i grupit u vra në një përleshje me armë midis trupave izraelite dhe militantëve palestinezë.
Hamasi mori pushtetin në brezin bregdetar nga forcat rivale palestineze në vitin 2007. Lufta e tij më e fundit me Izraelin ishte në maj të vitit 2021. Tensionet u rritën përsëri në fillim të këtij viti pas një vale sulmesh brenda Izraelit, operacioneve ushtarake pothuajse ditore në Bregun Perëndimor dhe tensioneve në një vend të shenjtë të Jerusalemit. Izraeli tërhoqi trupat dhe kolonët nga Gaza në vitin 2005.
Udhëheqësi i Xhihadit Islamik, Ziad al-Nakhalah, duke folur për rrjetin televiziv Al-Mayadeen nga Irani, tha se "luftëtarët e rezistencës palestineze duhet të qëndrojnë së bashku për t'u përballur me këtë agresion". Ai tha se nuk do të kishte "vija të kuqe" dhe fajësoi Izraelin për dhunën.
Zëdhënësi i Hamasit, Fawzi Barhoum, tha se "armiku izraelit, i cili filloi përshkallëzimin kundër Gazës dhe kreu një krim të ri, duhet të paguajë çmimin dhe të mbajë përgjegjësinë e plotë për të".
Xhihadi Islamik i mbështetur nga Irani është më i vogël se Hamasi, por kryesisht ndan ideologjinë e tij. Të dy grupet kundërshtojnë ekzistencën e Izraelit dhe kanë kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse gjatë viteve, duke përfshirë hedhjen e raketave në Izrael. Është e paqartë se sa kontroll ka Hamasi mbi Xhihadin Islamik dhe Izraeli e konsideron Hamasin përgjegjës për të gjitha sulmet që vijnë nga Gaza.
Izraeli dhe Egjipti kanë mbajtur një bllokadë të rreptë mbi territorin që nga pushtimi i Hamasit. Izraeli thotë se mbyllja është e nevojshme për ta parandaluar Hamasin nga ngritja e kapaciteteve të tij ushtarake. Kritikët thonë se politika përbën dënim kolektiv.
Përktheu: Forca Jashari