Bisedimet kanë nisur pas dhunës së fundit mes Izraelit dhe militantëve palestinezë, si pasojë e të cilës kanë vdekur së paku 36 palestinezë që nga dita e premte, raporton BBC.
Militantët e Xhihadit Islamik dhe Izraeli raportohet se janë pajtuar për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti, por zyrtarisht bisedimet ende po vazhdojnë.
Më herët, raketat e lansuara nga Gaza kanë arritur në Jerusalem për herë të parë që nga maji i vitit të kaluar.
Izraeli thotë se ka lansuar sulmet për shkak të rrezikut imediat nga militantët.
Dhuna e fundit është më seriozja mes Izraelit dhe Gazas që nga konflikti 11-ditorë në majë të vitit 2021, ku vdiqën më tepër se 200 palestinezë e dhjetëra izraelitë.
Mirëpo, dhuna deri më tash ka qenë më e kufizuar pasi Hamasi – grupi islamik që gjendet në krye të Rripit të Gazës e që shpesh koordinohet me Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ) – ka refuzuar që t’i bashkohet sulmeve kundër Izraelit. Izraeli thotë se PIJ ka lansuar qindra raketa në ditët e fundit, shumica e të cilave janë neutralizuar. Nuk është raportuar për ndonjë të lënduar në Izrael.
Po ashtu nuk është raportuar për ndonjë sulm ajror izraelit në drejtim ndaj Hamasit.
Një numër i madh i personave janë mbledhur të dielën për funeralet e atyre që u vranë nga sulmet në Rafah, në jug të Rripit të Gazës. Në këto sulme vdiq edhe komandanti i Xhihadit Islamik, Khaled Mansour. Është komandanti i dytë i Xhihadit që ka vdekur që nga e premtja.
Po ashtu demonstrata në përkrahje të Gazas janë mbetur edhe në qytetin e Bregut Perëndimor, Nablus.
Të dielën pasdite, Ministria e Shëndetësisë së Palestinezë ka njoftuar se 11 fëmijë janë në mesin e 36 të vdekurve të raportuar deri më tash.
Raportimet për një marrëveshje armëpushimi vijnë pas shqetësimeve për situatën humanitare në Gaza. Zyrtarët shëndetësorë thonë se spitalet kanë karburant për të mbajtur në funksion gjeneratorët vetëm edhe për dy ditë.
Ministria e Shëndetësisë së Gazas ka fajësuar “agresionin izraelit” për situatën, ku kanë vdekur 36 persona e janë lënduar 265 tjerë.
Izraeli në anën tjetër ka akuzuar militantë e Xhihadit se kanë shkaktuar aksidentalisht disa nga viktimat, duke thënë se kanë lansuar të shtunën një raketë ku janë vrarë disa fëmijë në Jabalia në Rripin e Gazës.