Për thuajse tre vjet, miqësia e tyre më shumë ngjante me atë të çdo çifti tjetër. Madje ata i premtuan njëri-tjetrit se do të martoheshin. Por këto premtime të fshehta nuk do të përmbusheshin kurrë. Dashuria e tyre zemëroi aq shumë të afërmit e Kumbharit, hindus, saqë dyshohet se punësuan anëtarë të një grupi nacionalist hindus të linjës së ashpër për të vrarë Mullahin 24-vjeçar, i cili ishte mysliman
Historia e dashurisë së Arbaz Mullahut nisi, qysh ndodh shpesh nëpër romanca, kur për herë të parë e pa vajzën e ëndrrave të tij, Shveta Kumbhar.
Për thuajse tre vjet, miqësia e tyre më shumë ngjante me atë të çdo çifti tjetër. Madje ata i premtuan njëri-tjetrit se do të martoheshin. Por këto premtime të fshehta nuk do të përmbusheshin kurrë.
Dashuria e tyre zemëroi aq shumë të afërmit e Kumbharit, hindus, saqë dyshohet se punësuan anëtarë të një grupi nacionalist hindus të linjës së ashpër për të vrarë Mullahin 24-vjeçar, i cili ishte mysliman.
Ata e bënë pikërisht këtë, njofton policia. Më 28 shtator, trupi i tij i gjakosur dhe i gjymtuar u gjet në hekurudhore.
Ndërsa lidhjet ndërfetare mes hindusve dhe myslimanëve janë të rralla në Indi, partia qeverisëse e kryeministrit Narendra Modi, Bharatiya Janata, ose BJP, dhe nacionalistë të tjerë hindus kanë dënuar atë që ata e quajnë "xhihad dashurie". Teoria e diskredituar e konspiracionit thotë se burrat grabitqarë myslimanë i mashtrojnë gratë për t'i detyruar të ndryshojnë fenë, me qëllim të vendosjes së dominimit në kombin me shumicë hindu.
Demonizimi i myslimanëve
Çështja e "xhihadit të dashurisë" e ka vënë BJP-në kundër aktivistëve laikë, të cilët paralajmërojnë se minon garancitë kushtetuese të lirisë fetare dhe i vë myslimanët në shënjestër të nacionalistëve hindus, të inkurajuar nga kryeministri i cili akuzohet për rritjen e sulmeve ndaj myslimanëve qëkur u zgjodh për herë të parë në vitin 2014.
"Kjo teori konspirative demonizon myslimanin si tjetri dhe sjell viktima dhe frikë te hindusët se India do të konvertohet në një vend mysliman”, tha Mohan Rao, profesor në pension i shkencave sociale në Universitetin Jawaharlal Nehru të Nju-Delhit. Ai ka hulumtuar martesa ndërfetare.
Gopal Krishna Agarëal, zëdhënës i BJP-së, tha se partia nuk ka asnjë kundërshtim në parim për martesat ndërfetare, të cilat janë të ligjshme, por sugjeroi se shqetësimet rreth "xhihadit të dashurisë" janë të vlefshme.
"Të joshësh dikë përmes mjeteve financiare, ose ndonjë detyrimi, ose një lloj motivi për t'u konvertuar, është e papranueshme”, tha Agarwal.
Agjencia Kombëtare e Hetimit e Indisë dhe disa vendime gjyqësore e kanë hedhur poshtë teorinë e "xhihadit të dashurisë" si të pabazë. Të dhënat e regjistrimit tregojnë se përzierja fetare e vendit ka qenë e qëndrueshme që nga viti 1951, dhe India mbetet kryesisht hinduse me myslimanët që përbëjnë rreth 14 për qind të afro 1.4 miliardë banorëve të saj.

Viktima të paranojave nacionaliste
Megjithatë, grupet e të drejtave thonë se dhuna kundër çifteve ndërfetare është rritur vitet e fundit. Sulmet po kryhen nga nacionalistët hindus të linjës së ashpër për të ndaluar marrëdhënie të tilla. Qindra burra myslimanë janë sulmuar dhe shumë çifte janë detyruar të fshihen. Disa janë vrarë.
Dhe pikërisht kjo mendësi bëri që Mullah dhe Kumbhar të fillonin të takoheshin tinëz në fund të vitit 2018 në qytetin Belagavi në shtetin jugor të Karnatakas.
Nëna e Mullahut, Nazima Shaikh, ishte e shqetësuar. Kishte dëgjuar lajmet e shpeshta rreth çifteve ndërfetare që sulmoheshin në Karnataka, e cila qeveriset nga partia e Modit.
"Isha e shqetësuar, sepse e dija se si mund të përfundonte”, tha Shaikh në një pasdite nëntori në shtëpinë e saj modeste.
Ajo u përpoq të bindte Mullahun që t'i jepte fund lidhjes, por ai nuk pranoi.
Ndërkohë familja e Kumbharit ishte e tronditur. Shaikh tha se u bëri thirrje që t'ia jepnin bekimin, por iu tha se "ata do të vrasin ose do të vriten, por nuk do ta lënë vajzën e tyre të martohet me djalin tim".
Menjëherë, Mullahu nisi të pranonte telefonata kërcënuese. Së pari vinin nga familja e Kumbharit, më pas nga anëtarët e grupit nacionalist hindu të linjës së ashpër Sri Ram Sena Hindustan, ose Ushtria e Lord Ramit në Indi. Ata kërkuan para dhe që Mullah të ndahej me Kumbharin.
Kurban i paragjykimeve
Prindërit e Kumbharit gjithashtu kërkuan ta ndalonin atë që ta takonte, kështu që çifti filloi të takohej në mënyrë klandestine në qytete të largëta dhe në fusha në fshat, kanë rrëfyer miqtë.
Kur kërcënimet u intensifikuan, Mullahu pranoi pa dëshirë t'i jepte fund marrëdhënies, pasi iu tha se kjo do të thoshte se nuk do të shqetësohej më. Por çifti vazhdoi të korrespondonte në fshehtësi - dhe familja e saj u zemërua kur e morën vesh. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai u thirr për t'u takuar përsëri me anëtarët e Sri Ram Sena Hindustanit.
Hetuesit thonë se në takim, anëtarët e Sri Ram Sena Hindustanit goditën Mullahun me shkopinj dhe ia prenë kokën duke përdorur një thikë. Më pas ata dyshohet se ia hodhën trupin në shinat hekurudhore në përpjekje për ta bërë të duket sikur kishte vdekur aksidentalisht.
Dhjetë persona u arrestuan menjëherë, megjithëse ende nuk janë ngritur akuza zyrtare. Ata përfshijnë prindërit e Kumbharit, të cilët sipas hetuesit të lartë, Laxman Nimbargi, kanë pranuar se kanë paguar vrasësit.
Associated Press nuk ishte në gjendje të fliste me Kumbharin. Pas një kohe të shkurtër në paraburgim, ajo tani po qëndron me të afërmit, të cilët nuk pranuan ta vënë në dispozicion apo as të thonë se ku ndodhet.

Vrasje në emër “të së mirës së hindusve”
Sri Ram Sena Hindustan mohoi që anëtarët e tij vranë Mullahun dhe tha se grupi ishte vënë në shënjestër pse "po punonte për të mirën e hinduve".
Udhëheqësi i saj, Ramakant Konduskar, i cili e quan veten ushtar këmbësorie në betejën për të shpëtuar hinduismin, tha se ai nuk është kundër asnjë feje, por njerëzit duhet të martohen brenda fesë së tyre. Ai e konsideron "xhihadin e dashurisë" kërcënim për shoqërinë.
Disa juridiksione të qeverisura nga partia e Modit tani kanë filluar të përpiqen ta kodifikojnë atë ndjenjë në ligj.
Vitin e kaluar ligjvënësit në Uttar Pradesh miratuan ligjin e parë të Indisë për "xhihadin e dashurisë", duke u kërkuar çifteve nga fe të ndryshme që të njoftojnë një zyrtar dy muaj përpara se të martohen.
Sipas ligjit, i takon zyrtarit të përcaktojë nëse konvertimi ka ardhur me detyrim, një krim që dënohet deri në 10 vjet burg. Për shkak se autoritetet mund t'i bëjnë publikë emrat e çifteve gjatë procesit, nganjëherë personat e linjës së ashpër kanë ndërhyrë për të bërë presion ndaj familjeve të grave për të ngritur akuza për konvertim të detyruar.

“Gratë nuk janë pasuri”
Deri më tani rreth 100 persona janë arrestuar sipas ligjit, megjithëse vetëm disa janë dënuar. Tri shtete të tjera të qeverisura nga BJP-ja kanë vënë masa të ngjashme.
Kundërshtuesit thonë se projektligjet shkelin të drejtën kushtetuese për privatësi. Ata gjithashtu i shohin ligjet si thellësisht patriarkale.
"Gratë nuk janë pasuri", tha Renu Mishra, avokate dhe aktiviste për të drejtat e grave në Uttar Pradesh.
Disa aktivistë liberalë, shumica prej tyre hindus, kanë formuar grupe të ndihmës sociale dhe ligjore për çiftet ndërfetare dhe festojnë historitë e tyre në mediat sociale.
Por në Belagavi, qytet relativisht i vogël, burime dhe mbështetje të tilla mungojnë. Shteti Karnataka ka regjistruar së fundmi rritje të sulmeve antimyslimane, duke thelluar frikën në mesin e komunitetit.
Në atë mjedis, Mullah ndjeu se nuk kishte ku të kthehej, rrëfejnë të afërmit të tij.
"Djali im bëri një gabim të tmerrshëm duke dashur një grua hindu", tha Shaikh.
Ajo ndalet për pak, duke kërkuar fjalët e duhura, përpara se të vazhdonte, "A është kjo ajo që ju fitoni pse e doni dikë?"
Përktheu: Rexhep Maloku