Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pse India po e quan sulmin ndaj Pakistanit si operacioni “Sindoor”?

Pse India po e quan sulmin ndaj Pakistanit si operacioni “Sindoor”?

India kreu sulme ajrore gjatë natës mbi disa objektiva në territorin e Pakistanit dhe në pjesën e Kashmirit të administruar nga Pakistani, duke shënuar përplasjen më të ashpër të armatosur mes dy fuqive bërthamore në më shumë se 20 vjet.

Sipas autoriteteve indiane, u goditën nëntë objektiva të cilësuar si “infrastrukturë terroriste”, në përgjigje të një sulmi të përgjakshëm nga militantë islamikë kundër turistëve hindu në Kashmir muajin e kaluar, ku mbetën të vrarë 26 persona. Operacioni ajror nga India u pagëzua me emrin “Sindoor”.

Mediat indiane raportojnë se emri i operacionit është referencë simbolike ndaj “sindoor”, pluhurit të kuq që gratë hinduse të martuara e vendosin në ndarjen e flokëve si shenjë martese. Sindoori nuk vendoset nga vejushat, dhe shpesh përfaqëson lidhje të shenjtë mes bashkëshortëve.

“Sindoor” është pluhuri i kuq që e vendosin gratë e martuara në Indi si shenjë që janë të martuara

Kjo simbolikë mori ngjyrim tragjik pas sulmit terrorist në Pahalgam muajin e kaluar, ku disa gra panë burrat e tyre të vriteshin para syve. Një nga imazhet më të shpërndara në rrjetet sociale ishte ajo e Himanshi Narwal, e cila kishte qenë e martuar për më pak se një javë me bashkëshortin e saj 26-vjeçar, Vinay Narwal. Ata ishin në muajin e mjaltit kur ndodhi sulmi dhe Vinay u vra. India akuzon shtetin e Pakistanit se i ka krijuar kushte militantëve islamikë për ta kryer këtë sulm.

Sipas mediave indiane, emërtimi “Sindoor” ka për qëllim të vendosë në qendër të vëmendjes dhimbjen njerëzore dhe të nënvizojë se sakrificat e viktimave nuk do të harrohen.

Edhe India thotë se ka shkatërruar nëntë kampe militante në Pakistan Botë India thotë se ka shkatërruar nëntë kampe militante në Pakistan

Në përgjigje të sulmeve ajrore indiane, Pakistani njoftoi se kishte rrëzuar pesë avionë luftarakë indianë. Autoritetet në Islamabad e quajtën këtë veprim vetëmbrojtës dhe paralajmëruan për pasoja të mëtejshme në rast të përshkallëzimit.

Në një postim në platformën “X”, ushtria indiane deklaroi: “Drejtësia është vënë në vend. Rroftë India!”.