Botë

Çfarë ndodh kur SHBA-ja ndalon naftën ruse?

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, Evropa është thellësisht e varur nga energjia që importon nga Rusia. Ndërsa SHBA-ja mund të zëvendësojë sasinë relativisht të vogël të karburantit që merr nga Moska, Evropa nuk mundet, të paktën jo në një të ardhme të shpejtë

Ndërsa Rusia ka intensifikuar luftën e saj kundër Ukrainës, duke vrarë civilë dhe duke shkaktuar një krizë masive refugjatësh, disa zyrtarë amerikanë në të gjithë spektrin politik kanë kërkuar ndalimin e importeve të karburantit rus. Sipas tyre, një ndalim i tillë do të ishte mënyra më e mirë - ndoshta e vetmja - për ta detyruar Moskën të tërhiqet. Dhe presidenti amerikan, Joe Biden, mori vendim për ndalimin e naftës, gazit dhe thëngjillit rus.

Një embargo e plotë do të rezultonte më efektive nëse do të përfshinte aleatët evropianë, të cilët gjithashtu po kërkojnë ndaljen e dhunës në Ukrainë dhe rrezikun që Moska paraqet për kontinentin. Megjithatë, nuk është e qartë nëse Evropa do të merrte pjesë në një embargo totale.

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, Evropa është thellësisht e varur nga energjia që importon nga Rusia. Ndërsa SHBA-ja mund të zëvendësojë sasinë relativisht të vogël të karburantit që merr nga Moska, Evropa nuk mundet, të paktën jo në një të ardhme të shpejtë.

Për më tepër, çdo frenim i eksporteve ruse të naftës do të çonte çmimet tashmë në rritje të naftës dhe benzinës gjithnjë e më lart në të dy kontinentet dhe do të shtrydhte më tej konsumatorët, bizneset, tregjet financiare dhe ekonominë globale.

Ja një vështrim më i thellë.

A do të ketë veprim kolektiv aleatësh?

Mes rritjes së çmimeve të benzinës në SHBA – çmimi mesatar ka kaluar 4 dollarë për galon për herë të parë që nga viti 2008 – administrata e Bidenit përballet me presion në rritje për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.

Tani për tani, një ndalesë e gjerë edhe nga SHBA-ja, edhe nga Evropa duket e pakapshme. Të hënën, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e bëri të qartë se vendi i tij, konsumatori më i madh i energjisë ruse në Evropë, nuk ka plane të bashkohet në asnjë ndalesë. Në përgjigje, zëvendës-sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Wendy Sherman, la të kuptohej se SHBA-ja mund të vepronte vetëm ose me një grup më të vogël aleatësh.

"Ne nuk kemi qenë plotësisht identikë për të gjitha sanksionet", tha Sherman. "Jo çdo vend ka bërë saktësisht të njëjtën gjë, por ne të gjithë kemi arritur një prag që është i nevojshëm për të imponuar kostot e rënda për të cilat të gjithë kemi rënë dakord”.

Megjithëse sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, ka ngritur mundësinë e një ndalimi të naftës së importuar ruse, vuri në dukje Sherman, "ai gjithashtu tha se ne duhet të ruajmë furnizimin me naftë", ndoshta përmes mjeteve të tjera, për të stabilizuar çmimet.

Edhe pas miratimit të ndalesës, administrata dhe Kongresi "mbesin të fokusuara në uljen e kostove të larta të energjisë për familjet amerikane dhe partnerët tanë që rrjedhin nga pushtimi i Putinit", tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Pelosi, e cila ka shprehur mbështetjen për një ndalesë të SHBA-së për naftën ruse, megjithatë përmendi gjithashtu veprimin e Bidenit në udhëheqjen e aleatëve të SHBA-së për të çliruar 60 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike, duke përfshirë 30 milionë fuçi nga rezervat e SHBA-së, në përpjekje për të stabilizuar tregjet globale.

Çfarë ndodh kur vepron SHBA-ja?

Me ndalimin amerikan të importeve të naftës dhe produkteve të rafinuara ruse, ndikimi në Moskë do të jetë minimal. Shtetet e Bashkuara importojnë një sasi të vogël të eksporteve të naftës të Rusisë dhe nuk blejnë asnjë sasi nga gazi natyror i Moskës.

Shtetet e Bashkuara importojnë rreth 100.000 fuçi në ditë nga Rusia, që sipas Rystad Energy kjo shifër paraqet vetëm rreth 5% të eksporteve të naftës së papërpunuar të Rusisë. Vitin e kaluar, afërsisht 8% e importeve të naftës dhe produkteve të naftës në SHBA erdhi nga Rusia.

SHBA-ja mund të zëvendësojë naftën e papërpunuar ruse me importe nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga ana e saj, Rusia mund të gjejë blerës alternativë për atë karburant, ndoshta nga Kina ose India. Një hap i tillë “do të sillte joefikasitet masiv në treg”, i cili përshkallëzon çmimet, tha Claudio Galimberti, nënkryetar i lartë i analizave në Rystad Energy.

Megjithatë, nëse Rusia do të mbyllej nga tregu global, tha Galimberti, vendet si Irani dhe Venezuela mund të "mirëpriten" si burime të naftës. Burime të tilla shtesë, nga ana tjetër, mund të stabilizojnë çmimet.

Një ekip zyrtarësh të administratës së Bidenit ishin në Venezuelë gjatë fundjavës për të diskutuar për energjinë dhe çështje të tjera, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Zyrtarët diskutuan "një sërë çështjesh, duke përfshirë sigurisht sigurinë energjetike", tha Psaki.

Si do t’i ndikonte çmimet?

Një muaj më parë, nafta shitej për rreth 90 dollarë për fuçi. Tani, çmimet po rriten duke kaluar 120 dollarë për fuçi, pasi blerësit i shmangen naftës së papërpunuar ruse, me shumë rafinerë që kanë frikë se sanksionet mund të vendosen në të ardhmen. Ata shqetësohen se do të mbeten me naftë që nuk mund ta rishesin si benzinë ​​nëse do të vendosen sanksione në të ardhmen e afërt.

“Shell” tha të martën se do të ndalonte blerjen e naftës dhe gazit natyror rus dhe do të mbyllte stacionet e saj të shërbimit, karburantet e aviacionit dhe operacionet e tjera atje, disa ditë pasi ministri i Jashtëm i Ukrainës kritikoi gjigantin energjetik për vazhdimin e blerjes së naftës ruse.

Analistët e energjisë paralajmërojnë se çmimet mund të shkojnë deri në 160 dollarë ose edhe 200 dollarë për fuçi për naftën bruto nëse sanksionet e naftës vendosen nga Perëndimi ose nëse blerësit vazhdojnë t'i shmangen naftës së papërpunuar ruse.

Çmimet kaq të larta të naftës mund të çojnë një galon mesatar benzine amerikane mbi 5 dollarë për galon, një skenar që Bideni dhe figura të tjera politike janë të dëshpëruar ta shmangin.

A kanë rënë tashmë importet ruse?

Industria amerikane e naftës ka thënë se ndan qëllimin për të reduktuar varësinë nga burimet e huaja të energjisë dhe është e përkushtuar të punojë me administratën dhe Kongresin e administratës Biden. Edhe pa sanksione, disa rafineri amerikane kanë ndërprerë kontratat me kompanitë ruse. Importet e naftës bruto dhe të produkteve ruse kanë rënë.

"Industria jonë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe domethënës për të zbutur marrëdhëniet" me Rusinë dhe për të kufizuar vullnetarisht importet ruse, tha Frank Macchiarola, nënkryetar i lartë i Institutit Amerikan të Naftës, grupi më i madh lobues i industrisë së naftës dhe gazit.

Të dhënat paraprake nga Departamenti i Energjisë i SHBA-së tregojnë se importet e naftës së papërpunuar ruse ranë në zero javën e fundit në shkurt.

Instituti i naftës nuk ka marrë një qëndrim zyrtar ndaj legjislacionit për të ndaluar importet e naftës ruse. Por ai thotë se do të jetë në përputhje me çdo kufizim të vendosur.

A do të jetë Evropa në krah të Amerikës?

Ndalimi i naftës dhe gazit natyror rus do të ishte e dhimbshme për Evropën. Rusia ofron rreth 40% të gazit natyror të Evropës për ngrohjen e shtëpive, energjinë elektrike dhe përdorimet e industrisë dhe rreth një të katërtën e naftës në Evropë. Zyrtarët evropianë po kërkojnë mënyra për të reduktuar varësinë e tyre, por kjo do të marrë kohë.

Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, nënvizoi këtë urgjencë, duke thënë se Rusia do të kishte "çdo të drejtë" për të ndaluar dërgesat e gazit natyror në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në shenjë hakmarrjeje ndaj Gjermanisë që ndaloi tubacionin paralel Nord Stream 2, i cili ende nuk ishte funksionalizuar. Ai shtoi se “ne nuk e kemi marrë këtë vendim” dhe se “askush nuk do të përfitonte nga kjo”. Ishte një ndryshim nga garancitë e mëparshme ruse se ata nuk kishin ndërmend të ndërpresin gazin për Evropën.

Nafta zëvendësohet më lehtë sesa gazi natyror. Vende të tjera mund të rrisin prodhimin e naftës dhe ta dërgojnë atë në Evropë. Por shumë naftë do të duhej të zëvendësohej, dhe kjo do të rriste çmimet edhe më shumë, sepse nafta ka të ngjarë të udhëtojë më larg.

Zëvendësimi i gazit natyror që Rusia i ofron Evropës ka të ngjarë të jetë i pamundur në afat të shkurtër. Pjesa më e madhe e gazit natyror që Rusia i jep Evropës kanalizohet përmes tubacioneve. Për ta zëvendësuar atë, Evropa do të importonte kryesisht gaz natyror të lëngshëm, i njohur si LNG. Kontinenti nuk ka tubacione të mjaftueshme për të shpërndarë gazin nga objektet e importit bregdetar në zonat më të largëta të kontinentit.

Në janar, dy të tretat e eksporteve amerikane të LNG-së shkuan në Evropë. Disa anije të mbushura me LNG ishin nisur për në Azi, por u kthyen për të shkuar në Evropë, sepse blerësit atje ofruan të paguanin çmime më të larta, sipas S&P Global Platts.

Ndërsa prodhuesit amerikanë të naftës dhe gazit mund të gërmojnë për më shumë gaz natyror, objektet e saj të eksportit tashmë po funksionojnë me kapacitet. Zgjerimi i këtyre objekteve do të kërkonte vite dhe miliarda dollarë.

Përktheu: Artinë Rexhepi