Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bullgaria pajtohet t’i dërgojë Ukrainës mjete ushtarake për herë të parë

Bullgaria është pajtuar që t’i dërgojë ushtrisë ukrainase 100 transportues të blinduar, duke shënuar një kthim në politikën e anëtarit të NATO-s për dërgimin e pajisjeve ushtarake Kievit pas zgjedhjes së qeverisë së re pro-Perëndimore.

Dërgimi direkt i armëve ishte refuzuar nga qeveria e kaluar, e emëruar nga presidenti Rumen Radev. Ai shfaqet pro Rusisë dhe së fundmi ka thënë se Ukraina duhet të fajësohej për luftën dhe se dërgimi i armëve në Ukrainë vetëm e zgjat konfliktin, raportoi AP.

Parlamenti të premten aprovoi propozimin e Qeverisë për ta kryer dërgesën e parë të pajisjeve të rënda ushtarake në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Automjetet e blinduara të prodhimit sovjetik u dërguan në vitin 1980 në Bullgari.

Bullgaria, e cila u anëtarësua në NATO më 2004, ende mban stoqe të armëve të prodhimit sovjetik.