Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Brohoritma e turmës që shkundi tokën

“Me mua në atë shesh qëndroi vlera e atij momenti. Egjiptianët janë të ndjeshëm. Shikojmë prapa më shumë se përpara, për shkak të natyrës së civilizimit tonë të lashtë dhe trashëgimisë që lanë prapa paraardhësit tanë. Në sheshin e lirisë, ‘Tahrir’, njerëzit po shikonin drejt të ardhmes me shpresë dhe ëndrra”, rrëfen fotografja egjiptiane

Dhjetë vjet më parë sheshi qendror i Kajros ishte epiqendër e protestave kundër presidentit të atëhershëm Hosni Mubarak dhe qeverisë së tij. Fotoreporterja Laura El-Tantawy ishte një prej atyre që dokumentoi demonstratën që rritej dita-ditës për të kulmuar me përplasjen midis protestuesve për dhe kundër Qeverisë.

Kjo protestë çoi në rrëzimin e Mubarakut.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

El-Tantawy ndodhej në Itali kur filluan protestat në kryeqytetin egjiptian. E kishte ngulitur në mendje se duhej të ishte në mesin protestuesve, ani pse e dinte rrezikun që mund ta priste.

Në një rrëfim për BBC-në, fotografja tregon për tmerrin që e kapi me syrin e aparatit.

“Isha e frikësuar të isha aty, për shkak të lajmeve që po lexoja – për ndërprerje të energjisë elektrike dhe internetit nëpër krejt shtetin, për snajperët në majë të çative që po shtinin në drejtim të protestuesve dhe fotografëve – sidomos ndaj përfaqësuesve të mediave”, thotë ajo.

Mirëpo në fund, El-Tantawy e ndjeu se ishte moment historik, të cilin duhej ta përjetonte për veten.

“Kur dëgjoja lajmet, e ndieja se po humbja një moment historik. Tashmë kisha dokumentuar Egjiptin që prej vitit 2005. Nuk bëhej llaf që të mos isha në sheshin ‘Tahrir’ për të dokumentuar këtë moment si pjesë të rrugëtimit tim”, thotë fotografja.

Me të shkelur në shesh, El-Tantawy u besoi instinkteve të veta që të jetë e sigurt, shkruan BBC-ja. Nga vajtje-ardhjet në shesh, e dinte se rreziku ishte i lartë prej grupeve që vidhnin kamerat dhe sulmonin gazetarët.

“Këtë fotografi e shkrepa më 2 shkurt të vitit 2011”, tregon El-Tantawy. “Nuk ishte ditë e mirë në sheshin ‘Tahrir’. Ngjarja u bë e njohur si Beteja e Kalit me Devenë, kur përkrahësit e Mubarakut duke kalëruar me kuaj dhe deve sulmuan protestuesit”, rrëfen ajo. “Qe ditë e dhimbshme dhe e tmerrshme. Ndodhesha në rrugicat parapa sheshit dhe fotografoja të plagosurit”, shton fotografja.

Fillikat vetëm

BBC-ja shkruan se 2 shkurti i vitit 2011 u shndërrua në një prej incidenteve famëkëqija të kryengritjes kundër Mubarakut. Në këtë ditë gjysma e protestuesve vdiqën.

“Gjithmonë e fshihja aparatin sa herë largohesha nga ‘Tahriri’”, thotë El-Tantawy. “Për një periudhë prej 18 ditësh isha e shoqëruar nga një kameraman dhe krijues dokumentarësh, përndryshe çdo ditë isha vetëm. Atmosfera ndërronte çdo ditë, por sheshi ‘Tahrir’ dukej sikur utopi – një lloj i Egjiptit të cilin e dinim se ekzistonte”, shton ajo.

“Ishte vend në të cilin raca, feja dhe klasa shoqërore nuk kishin rëndësi. Të gjithë ishin përreth një kauze. Ndjenja e bashkimit kishte tejkaluar çdo dallim të mundshëm”, tregon fotografja.

El-Tantawy shkrepi fotografi edhe më 11 shkurt të po atij viti. Ishte dita kur presidenti Mubarak dha dorëheqjen.

“Ishte një prej momenteve më kulmore për mua si fotografe dhe një prej atyre ditëve plot emocion në sheshin ‘Tahrir’”, rrëfen El-Tantawy. “Tentoja të kapja emocionin e turmës, peshën e këtij momenti historik, sepse të gjithë po festonin si egjiptianë. Më kujtohen zhurma, ngjyrat dhe era. Qielli shkëlqente nga fishekzjarrët dhe gjëmimi i turmës dridhi tokën nën këmbët e mia”, shton ajo.

“Me mua në atë shesh qëndroi vlera e atij momenti. Egjiptianët janë të ndjeshëm. Shikojmë prapa më shumë se përpara për shkak të natyrës së civilizimit tonë të lashtë dhe trashëgimisë që lanë prapa paraardhësit tanë. Në sheshin e Lirisë (Tahrir) njerëzit po shikonin drejt të ardhmes me shpresë dhe ëndrra”, rrëfen fotografja egjiptiane.

“Kjo ishte një ndjenjë e re për mua në Egjipt – të shikoja të ardhmen më shumë sesa të kaluarën.

Lotët e një nëne

Për shumëkënd, BBC-ja shkruan se sheshi është i mbushur me kujtime të dhimbshme. Më 22 shkurt të vitit 2012, El-Tantawy ishte në mesin e shumë gazetarëve të mbledhur jashtë akademisë policore në Kajron e Re, duke pritur për njoftimin nëse do të akuzohej për urdhërvrasje të protestuesve ish-presidenti Mubarak dhe ministri i Brendshëm i asaj kohe, Habib al-Adly.

“Atë ditë u njoftova me Safeya Abdelaziz Mohamed. I biri i saj ishte në mesin e shumë njerëzve që vdiq në revolucion. Në fytyrë kishte një ndejnë të pranimit të asaj që ndodhi dhe pikëllimit”, thotë El-Tantawy. “Qau kur gjykata njoftoi për vendimin që i shpëtoi Mubarakun dhe Adlyn”.

Një vit më vonë, El-Tantawy shkrepi një tjetër fotografi. Edhe kësaj radhe protestë në sheshin “Tahrir”.

“Atë kohë kishte raportime në media se gratë e kishin të ndaluar të merrnin pjesë në protesta për shkak të ndikimit të Vëllazërisë Myslimane”, thotë ajo për lëvizjen islamike, kandidati i të cilit fitoi zgjedhjet presidenciale pas rrëzimit të Mubarakut.

“Kjo nuk ishte kurrë përvoja ime në sheshin ‘Tahrir’, në të cilin shihja gra që luftonin krah për krah dhe kujdeseshin për të plagosurit nëpër rrugica. Ky ishte një moment fuqizimi për mua si grua dhe egjiptiane e re”, shton fotografja El-Tantawy.

Image

Ngritja e grave

“Një prej pasurive që la revolucioni është vendosmëria e grave për të marrë nën kontroll fatin e tyre dhe të kundërshtojnë traditat dhe praktikat e moçme që janë ngacmimet seksuale dhe konservatorizmi fetar”, thotë ajo.

BBC-ja shkruan se ngjarjet e vitit 2011 ishin moment i rëndësishëm në historinë e Egjiptit, por edhe për fatin e El-Tantawyt.

“Si egjiptiane e re, Tahriri ishte si vend në të cilin po dokumentoja rrëfimin e gjeneratës sime – vështirësinë tonë për të arritur dinjitetin dhe respektin. Gjithashtu më konfirmoi pasionin tim për fotografinë dhe shpalosjen e rrëfimeve të njerëzve – për shtëpinë, gjësendet dhe dinjitetin. Isha e frymëzuar nga njerëzit dhe ndihesha e privilegjuar që po dokumentoja këtë kapitull të historisë së vendit tim”, thotë fotografja El-Tantawy.

Që prej asaj periudhe El-Tantaqt ka vazhduar të krijojë tregime për tokën dhe identitetin, të gdhendura nga përvoja e saj. Jeton mes dy shtëpive, një në Britani dhe tjetrën në Egjipt, shkruan BBC.

Së fundmi ka publikuar një libër për dhjetëvjetorin e revolucionit. Libri “In the Shadow of Pyramids” përfshin fotografi të shkrepura mes viteve 2005-2014.

“Në këtë edicion të librit pamjet janë dytësore për datat të cilat janë shkrepur. Kjo është e pazakontë për një libër fotografish. Ishte e rëndësishme për mua që të shpalosja rëndësinë historike të këtyre pamjeve teksa meditoj ndryshimin e kujtesës për revolucionin”, thotë fotografja.

“Koha dhe konteksti kanë ndryshuar leximin e pamjeve”. \ BBC