Rrëfimi i një gazetari nga Sudani zbulon tmerrin e përditshëm të luftës civile, ku uria, bombardimet dhe izolimi kanë shkatërruar jetën e miliona njerëzve. Nga qyteti i rrethuar i el-Fasher deri në arratisjen drejt Port Sudanit, historia e tij pasqyron vuajtjen, mbijetesën dhe një botë që, sipas tij, ka dështuar të reagojë.
Menjëherë pasi Mohamed Suleiman hyri në zyrën e telekomunikacionit në qytetin bregdetar të Port Sudan më 13 janar, filloi të qante.
Ai nuk e kishte dëgjuar telefonin e tij të binte gjatë pjesës më të madhe të luftës civile në Sudan, e cila filloi pikërisht tre vjet më parë pas një përplasjeje për pushtet midis ushtrisë dhe aleatit të saj të atëhershëm, forcës paraushtarake RSF.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGazetari dhe akademiku kishte arritur në Port Sudan pasi kishte mbetur i bllokuar në qytetin perëndimor të el-Fasherit, kryesisht i shkëputur nga bota për shkak të një ndërprerjeje të komunikimeve dhe i paaftë për të përcjellë në botë tmerrin që po përjetonte.
“Isha i tronditur sepse njerëzit po flisnin në telefon (brenda zyrës)”, thotë ai për BBC-në.
“Gjatë tri vjetëve të fundit, telefoni im ishte i heshtur. Pasi futa kartën SIM, me rrodhën lotët”.
Kur telefoni i tij më në fund u aktivizua, ai u mbush me mesazhe të grumbulluara për tri vjet - një listë humbjesh: lajme për kolegë që kishin vdekur dhe miq që pyesnin nëse ishte ende gjallë.
“Disa ditë më parë, një person më telefonoi duke thënë se mendonte që kisha vdekur” thotë ai. “Disa i kishin thënë se isha në Port Sudan, kështu që më telefonoi, por nuk e besoi (që isha unë) derisa e telefonova me video, dhe pastaj ai shpërtheu në lot”.
Në një farë mënyre, heshtja ishte pothuajse po aq vdekjeprurëse sa dhuna, thotë Suleiman.
Ai e përshkruan atë si “një ndjesi mbytëse, sepse po shihja vrasje sistematike përmes sulmeve me dronë dhe bombardimeve, ose vrasje të rënda përmes rrethimit të ashpër” të vendosur në el-Fasher nga RSF për 18 muaj.
Dhe kur RSF-ja më në fund mori kontrollin e qytetit në tetor të vitit të kaluar, “Ishte si Dita e Gjykimit në Tokë,” thotë ai.
“Ne përjetuam Ditën e Gjykimit në Tokë”.
Rënia e el-Fasherit ishte një nga kapitujt më brutal të luftës civile, e cila filloi në kryeqytetin Khartoum më 15 prill 2023.
Ajo u përhap shpejt në pjesë të tjera të vendit dhe ka qenë veçanërisht e dhunshme në rajonin perëndimor të Darfurit, bastion i RSF-së, ku ndodhet el-Fasher.
Viti i katërt i konfliktit
Ndërsa konflikti hyn në vitin e katërt, luftimet kanë çuar në një ndarje faktike të territorit midis zonave të kontrolluara nga ushtria dhe atyre të kontrolluara nga forcat paraushtarake.
Miliona qytetarë sudanezë janë shpërndarë, disa jashtë vendit, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në mes të asaj që konsiderohet kriza më e rëndë humanitare në botë.
Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë dështuar, ndërsa të dyja palët kanë marrë mbështetje nga fuqi rajonale që u mundëson të vazhdojnë luftimet.
Rrëfimi i Mohamed Suleimanit është një histori që tregon anën më të errët të luftës dhe mënyrën se si ajo mund t’u heqë të pafajshmëve ushqimin, strehimin, jetën dhe madje edhe identitetin.
Civilët në el-Fasher u përfshinë në luftimet mes RSF-së dhe grupeve të armatosura lokale që ndihmonin ushtrinë në mbrojtjen e qytetit. Ndërsa forcat paraushtarake forcuan rrethimin, një mekanizëm i mbikëqyrjes së sigurisë ushqimore i mbështetur nga Kombet e Bashkuara shpalli situatë urie në shkallë të gjerë.
Trauma e përditshme nga vdekjet dhe uria shpërtheu në skena apokaliptike, ndërsa njerëzit përpiqeshin me dëshpërim të arratiseshin kur RSF-ja iu afrua qytetit.
“Pamë fëmijë të vdekur në rrugë”, thotë Suleiman.
“Pamë gra që qanin nga uria dhe etja ekstreme, aq të dobëta sa nuk mund t’i mbanin fëmijët e tyre, ndaj i lanë në rrugë”.
Ishin “njerëz që i njihnim me emër dhe njihnim edhe prindërit e tyre, por nuk mund t’u ofronim asgjë”.
“Nuk ka ushqim, nuk ka ujë, nuk ka ndihmë të parë për t’i shpëtuar, apo për t’i marrë me vete. Nuk mund të bësh asgjë. Kështu që i kalon sipër, i kapërcen, qan dhe vazhdon të ecësh”, thotë ai.
Shumë u përpoqën të arratiseshin drejt vendit më të afërt të sigurt, qytetit të Tawilas. Rruga ishte e mbushur me të vdekur dhe të plagosur - “viktima të panumërta”.
Nëse do të kishte pasur një mënyrë për të kërkuar ndihmë, thotë Suleiman, nuk do të kishin qenë të detyruar të linin kaq shumë të plagosur pas.
“Ka gjëra që nuk mund t’i përshkruaj sepse janë çnjerëzore. Nuk mund të flas për to. Dhe ajo që është për të ardhur keq është se mediat audio-vizuale nuk e kanë përcjellë këtë realitet.
“Deri më tani, bota nuk e di çfarë ka ndodhur në qytetin e el-Fasher, as shteti vetë”, thotë ai.
Udhëheqja e RSF-së ka pranuar se janë kryer “shkelje individuale” nga pjesëtarët e saj, gjatë marrjes së el-Fasherit, por thotë se ato po hetohen dhe se përmasat e mizorive janë ekzagjeruar nga kundërshtarët e tyre. Të dyja palët akuzohen për krime lufte, përfshirë viktima civile në numër masiv nga sulmet ajrore dhe me dronë.
Komunikimet në qytet u bënë shumë të paqëndrueshme që në fillim të luftës, si pasojë e luftimeve dhe mungesës së karburantit që ndërpreu energjinë elektrike. Kjo u shndërrua shpejt në një ndërprerje totale, thotë Suleiman, e cila u përkeqësua edhe më shumë kur RSF-ja vendosi rrethimin në maj 2024.
Disa njerëz futën me kontrabandë pajisje Starlink që mundësojnë lidhje satelitore me internetin. Por ato ishin shumë të shtrenjta dhe të kufizuara nga ushtria kur kontrollonte qytetin.
RSF-ja i konfiskonte ato që gjente. Dhe nëse gazetarët arrinin të përdornin një pajisje të tillë, përballeshin me rreziqe të mëdha nga të dyja palët, thekson Suleiman.
“Forcat e Mbështetjes së Shpejtë të konsiderojnë të lidhur me agjencitë e sigurisë dhe të akuzojnë për spiunazh”, i thotë ai BBC-së.
“Sa i përket ushtrisë, ata mendojnë se kur fillojnë bombardimet, ti akuzohesh se je vëzhgues (spotter)”, thotë ai, duke iu referuar dikujt që identifikon objektiva dhe u komunikon kushte në terren forcave armike.
“Akuzat se je vëzhgues dëmtuan shumë gazetarë dhe penguan përcjelljen e së vërtetës nga el-Fasheri”.
“Dhe autoritetet ushtarake nuk të jepnin leje për të raportuar të vërtetën. Kështu që fshihesh, dhe kur përpiqesh të dërgosh lajmet fshehurazi, e ekspozon veten ndaj rrezikut”.
Rilidhja me botën
Suleiman u përball me të njëjtat rreziqe si të gjithë të tjerët.
Në korrik 2025, një predhë ra më pak se dy metra larg tij ndërsa po kthehej në shtëpi.
Ai mbijetoi, por qëndroi i shtrirë në tokë për rreth gjysmë ore, duke mbajtur një telefon me të cilin nuk mund të thërriste ndihmë.
“Nëse do të isha plagosur, do të kisha vdekur”, thotë ai.
Ai shihte dronë që fluturonin mbi qytet, por nuk kishte asnjë mënyrë për të paralajmëruar njerëzit që të strehoheshin nga bombardimet. Edhe përdorimi i telefonit pa rrjet e vinte në rrezik, për shkak të dritës së ekranit që mund ta zbulonte.
Duhej “të futeshe poshtë shtratit dhe të mbuloheshe me një batanije”, thotë ai.
“Kur fillojnë bombardimet, fshihesh në dhoma dhe nën shtretër. Ose në hendeqe nën tokë, ose në çdo vend ku mund të strehohesh, ndonjëherë deri në shtatë orë në vapë të madhe. Qëndron i heshtur, i paaftë të flasësh. Dhe nuk mund të tregosh atë që po sheh”.
Suleiman pa vdekjen e shumë fëmijëve: “edhe nëse një karrocë me gomar lëviz, dhe një dron e godet, aty ka fëmijë”.
Në këto kushte, njerëzit mbaheshin fort pas besimit në Zot.
“E kujtonim Zotin e Madhëruar ditë e natë. Fqinjët vinin në rrethin e leximit të Kuranit në shtëpi”, thotë Suleiman.
“Pas namazit të ikindisë, lexonim një pjesë nga Kurani, ndërkohë që bombardimet vazhdonin. Nëse bombardimet vinin nga veriu, lëviznim në jug; nëse nga jugu, lëviznim në veri”.
Suleiman u lut sërish kur më në fund arriti në Port Sudan, selia e qeverisë së mbështetur nga ushtria për pjesën më të madhe të luftës, në janar të këtij viti, pas një udhëtimi prej më shumë se dy muajsh që e çoi përmes Chadit.
“Sapo arrita në Port Sudan, rashë në sexhde në aeroport dhe qava me të madhe, sepse nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të arrija në një vend të sigurt”, thotë ai.
Megjithëse arriti në siguri, ai kishte humbur të gjitha dokumentet e identifikimit. Rikthimi i tyre e bëri të ndjehej sërish si një person, por kjo ishte një betejë tjetër - me burokracinë.
“Kalova 22 ditë duke bredhur nëpër zyra”, thotë ai. “Gjëja e fundit për të ardhur keq që më thanë ishte të sillja nënën time. Dhe të sillja disa dëshmitarë. Falë Zotit unë kisha dëshmitarë dhe i solla, por çfarë ndodh me dikë që del nga lufta dhe nuk e ka askënd?”
Procedurat e posaçme për raste të jashtëzakonshme, të shpallura nga autoritetet, ishin vetëm fjalë, thotë Suleiman, duke i bërë thirrje shtetit të sigurojë dokumente identifikimi falas për njerëzit që dalin nga zonat e luftës.
Suleiman tashmë është rilidhur me botën, por, thotë ai, pas gjithçkaje që ka parë dhe përjetuar, ndihet sikur bota nuk është kthyer tek ai.
“Nuk ka të drejtë ndërkombëtare në botë”, thotë ai me hidhërim.
“Nuk ekziston diçka si Kombet e Bashkuara. Nëse do të kishte organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, nuk do të kalonte asnjë ditë në el-Fasher pa njerëz që vdesin nga uria dhe etja, të bombarduar nga predhat dhe dronët”.
“Nuk ka armëpushim, nuk ka ilaçe, nuk plotësohen nevojat bazë të jetës”.
Bota ka dështuar të përmbushë nevojat e mëdha humanitare në Sudan – si pasojë e luftimeve, kufizimeve burokratike nga të dyja palët si dhe mungesa e fondeve. Deri tani është plotësuar vetëm 16.2% e kërkesës prej 2.87 miliardë dollarëshe të Kombeve të Bashkuara për vitin 2026.
Gjithashtu ai thotë se bota ka dështuar edhe në përpjekjet për të ndalur luftimet.
Një plan paqeje i propozuar shtatorin e kaluar nga të ashtuquajturat vende të “Quadit” - Kombet e Bashkuara dhe vendet rajonale më të përfshira në luftë, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, nuk ka dhënë rezultate.
Ndërkohë, i dërguari amerikan Massad Boulos po përpiqet të arrijë të paktën një marrëveshje për armëpushim humanitar.
“Ka ngjarje që kanë ndodhur dhe nuk ka mbetur askush për t’i rrëfyer, dhe kujtesa mbetet vetëm te ne… deri sa të vdesim, ne do ta përcjellim të vërtetën për të korrigjuar situatën për brezin e ardhshëm, që ata të jetojnë me dinjitet dhe nder në atdheun e tyre”, përfundoi Suleiman.