Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britanikët po përballen me zjarre e reduktime uji

Pas javësh të tëra me mot të nxehtë, mjafton vetëm një shkëndijë që fushave të thata t’iu dalë flaka. Zjarrfikësit po përballen me qindra vatra zjarri. Është raportuar edhe për raste të zjarrit të shkaktuar qëllimisht.

Thatësia e madhe që e ka përfshirë Evropën Perëndimore është përkeqësuar edhe më shumë me valën e dytë të të nxehtit që ka goditur Britaninë e Madhe. Është raportuar edhe për mungesë të ujit.

Bujqit britanikë thonë se ka rënë cilësia e drithërave, për shkak të mungesës së ujit të mjaftueshëm për ujitje. Gjatë javës pritet të ketë reshje shiu, por bujqit thonë se nuk do të mjaftojnë për kulturat e tyre.

Ekspertët kanë bërë thirrje që qytetarët të kursejnë ujin vetëm për nevoja të domosdoshme. Në disa fshatra të Evertonit, banorët thonë se nuk kanë asnjë pikë uji. Edhe vendet e tjera evropiane po përballen me thatësi të madhe. Shkencëtarët thonë se shkak është ndryshimi klimatik.