Botë

Bota hyn në vitin e ri mes festës, reflektimit dhe masave të sigurisë

Festa ne Australi

Festa ne Australi

Foto: Associated Press

Viti i Ri 2026 ka nisur nga ishujt e Paqësorit, për t’u shtrirë gradualisht në të gjithë globin. Ndërsa disa vende festuan me fishekzjarrë dhe shfaqje madhështore, të tjera e pritën ndërrimin e viteve në heshtje, solidaritet dhe përkujtim të tragjedive të fundit.

Ishulli i largët i Paqësorit, Kiribati, u bë vendi i parë në botë që priti Vitin e Ri 2026.

Më pas, festimet vijuan në shtetet fqinje Samoa dhe Tonga.

Në Zelandën e Re, qyteti i Aucklandit u bë qyteti i parë i madh që hyri në 2026-n, me një shfaqje fishekzjarrësh nga Kulla Sky, struktura më e lartë në vend.

Festimet u shoqëruan me masa sigurie e disa aktivitete komunitare u anuluan për shkak të parashikimeve për mot të keq.

Dy orë më vonë, Australia priti Vitin e Ri nën masa të rrepta sigurie, veçanërisht në Sydney, pas sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach në mesin e dhjetorit.

Por përkundër kësaj në Australi nuk mungoi spektakli me fishekzjarrë.

Para mesnate, u mbajt një minutë heshtje për viktimat, ndërsa autoritetet theksuan se qytetarët nuk duhet të frikësohen nga aktet ekstremiste.

Në Indonezi, autoritetet vendosën të ulin ose të anulojnë festimet e Vitit të Ri në shenjë solidariteti me zonat e goditura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, që morën mbi një mijë jetë njerëzish.

Xhakarta dhe qytete të tjera zgjodhën aktivitete të qeta, ndërsa në ishullin turistik Bali, fishekzjarrët u zëvendësuan me shfaqje kulturore tradicionale.

Edhe Hong Kongu hoqi dorë nga festimet tradicionale me fishekzjarrë pas një zjarri tragjik që ndodhi në muajin nëntor.

Në Evropë, Berlini e mbylli vitin 2025 mes reshjeve të borës, ndërsa Greqia dhe Qiproja do ta presin Vitin e Ri 2026 me shfaqje dronësh, dritash dhe fishekzjarrë me zhurmë të ulët, në respekt të komuniteteve dhe mjedisit.

Në mbarë botën, pritja e Vitit të Ri 2026 po shënohet me kontraste të forta mes festës dhe reflektimit.

Ndërsa disa vende ruajtën traditën e fishekzjarrëve dhe eventeve publike, të tjera zgjodhën qetësinë, solidaritetin dhe përkujtimin e viktimave të tragjedive të fundit, duke e kthyer hyrjen në vitin e ri në një mesazh uniteti, shprese dhe qëndrese përballë sfidave globale.