Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Blinkeni synon kthimin e SHBA-së në trupin e OKB-së për të drejta të njeriut

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të synojnë të sigurojnë një ulëse në trupin e OKB-së për të drejtat e njeriut, me të cilin veprim do të betonohej kthimi i SHBA-së në agjenci pas tërheqjes nga administrata e Donald Trumpit.

Kryediplomati amerikan ka bërë të ditur se vendi do ta synojë mandatin trevjeçar, duke nisur nga viti i ardhshëm, në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Ai megjithatë ka nënvizuar se trupi ka nevojë për reforma, veçmas në aspektin e përfundimit të përqendrimit “joproporcional” kah Izraeli, i vetmi shtet ky, të dhënat e të cilit shqyrtohen në secilin prej takimeve të tij. Në një video-mesazh, Blinkeni ka shprehur gjithashtu shqetësimet për Birmaninë e mbërthyer në grusht shtet, rajonin kinez të Xinjangut dhe Rusinë, pas burgosjes së liderit opozitar, Alexei Navalny. Me këtë rast, ai ka thënë se SHBA-ja i vendos demokracinë dhe të drejtat e njeriut në epiqendër të politikave të jashtme, meqë janë qenësore për paqen dhe stabilitetin.