Rundi i parë i negociatave mes SHBA-së dhe Iranit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do t'i japë fund luftës, ka përfunduar me "përparim inkurajues", kanë thënë ndërmjetësit, Katari dhe Pakistani.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar herët të hënën, Katari dhe Pakistani kanë thënë se një "Komitet i Nivelit të Lartë" ka rënë dakord për "një udhërrëfyes drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve".
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se ishte arritur "përparim i madh" drejt përfundimit të konfliktit në Liban.
Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU), i nënshkruar javën e kaluar, përfshin angazhimin për t'i dhënë fund luftimeve në "të gjitha frontet", përfshirë Libanin, si dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
"Ndërmjetësimi i Pakistanit dhe Katarit ka sjellë përparim të madh për t'i dhënë fund luftës në Liban”, ka shkruar Araghchi në rrjetet sociale.
"Eksportet e naftës dhe petrokimikateve janë përjashtuar nga kufizimet, bllokada është hequr, një pjesë e aseteve të ngrira është liruar dhe është nisur një plan i madh rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin”, ka shtuar ai.
Bisedimet filluan të dielën në Zvicër, pas marrëveshjes fillestare të arritur javën e kaluar midis SHBA-së dhe Iranit. Bisedimet teknike do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.
Deklarata e përbashkët e ndërmjetësve thotë është krijuar një "linjë komunikimi" për të shmangur incidentet dhe keqkuptimet, me qëllim garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.
Të dyja palët kanë rënë dakord gjithashtu për krijimin e një "qendre koordinimi për shmangien e konflikteve" midis SHBA-së, Iranit dhe Libanit, të lehtësuar nga vendet ndërmjetëse, me qëllim përfundimin e operacioneve ushtarake në Liban. Araghchi e ka përshkruar këtë si "provën e parë të vërtetë".
Që nga nënshkrimi i memorandumit, është vërejtur një rritje e luftimeve mes grupit të armatosur libanez Hezbollah dhe forcave izraelite në Libanin jugor, si dhe sulme ajrore izraelite që, sipas ministrisë së Shëndetësisë, kanë vrarë dhjetëra libanezë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Një armëpushim i ri mes Izraelit dhe Hezbollahut është shpallur të premten. Përplasjet e vazhdueshme dhe sulmet ajrore e shtynë Iranin të njoftonte të shtunën se kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit, megjithëse të dhënat e lundrimit tregojnë se anijet kanë vazhduar të kalojnë përmes saj.
Ndërsa bisedimet nisën të dielën pasdite në qytetin zviceran të Lucernës, Donald Trump ka publikuar një mesazh ku ka thënë se Irani "duhet t'i ndalojë menjëherë përfaqësuesit e tij të paguar mirë në Liban që të shkaktojnë probleme" dhe ka kërcënuar se do ta "godiste përsëri shumë fort Iranin" nëse kjo nuk ndodhte.
Vance: Bisedimet SHBA-Iran vendosën bazë të mirë për një marrëveshje përfundimtare
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë të hënën se bisedimet e paqes me Iranin të dielën në Zvicër kanë krijuar një “bazë të mirë për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme” për t'i dhënë fund luftës që filloi në fund të shkurtit.
Ai ka njoftuar se po largohet nga Zvicra, për t’u lënë hapësirë ekipeve teknike që t’i vazhdonin negociatat.
Komentet e Vance kanë ardhur pasi ai dhe kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, të hënën përfunduan një rund të gjatë bisedimesh fillestare që synonin forcimin e një fundi të përhershëm të luftës midis vendeve.
Zëvendëspresidenti ka vënë në dukje se ekipi i Iranit kishte kërcënuar të largohej nga bisedimet, por ai ka mbrojtur postimet në mediat sociale nga presidenti Donald Trump, që i kishin bërë zyrtarët iranianë të ndihen të ofenduar.
Ndërkohë, armëpushim në Liban duket se po respektohet dhe ushtria izraelite ka thënë se do të hiqte kufizimet e lëvizjes për banorët pranë kufirit Izrael-Liban të hënën në mëngjes.
As Izraeli dhe as Hezbollahu nuk janë nënshkrues të marrëveshjes SHBA-Iran.
JD Vance largohet nga Zvicra, bisedimet SHBA-Iran vazhdojnë në nivel të ekipeve teknike
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka bërë të ditur se po largohet nga Zvicra pas një dite negociatash të nivelit të lartë për t'i dhënë fund luftës me Iranin.
“Ekipet tona, duke punuar me iranianët, katarianët dhe pakistanezët, bënë përparim të madh dje. Ata do të vazhdojnë të punojnë në nivel teknik me ekipet këtu në Burgenstock. Dhe më pas ato negociata teknike do të vazhdojnë gjatë javëve dhe ditëve në vijim. Ne donim të krijonim një strukturë për këtë në mënyrë që të kishim mbikëqyrje të duhur politike. Por padyshim, pavarësisht se ky vend është shumë i bukur, nuk mund të qëndroj këtu për 60 ditët e ardhshme”.
Vance ka thënë se ekipet negociuese bënë "shumë përparim të mirë" gjatë bisedimeve, duke qëndruar në tryezë pas orës 1:00 të mëngjesit të së hënës.
Vance e ka mohuar se deklaratat bombastike nga presidenti Donald Trump teksa po zhvilloheshin bisedimet në Zvicër, përmbysën negociatat e fundjavës me Iranin.
"Jo, ato nuk shkaktuan problem”, ka thënë Vance nga Obbürgen, Zvicër, pasi përfundoi orë të tëra diskutimesh mbi një marrëveshje përfundimtare.
Trumpi, i cili e ka kaluar fundjavën në Camp David, kishte kërcënuar me sulme të reja ndaj Iranit në një telefonatë me Fox News dhe i ka thënë presidentit të Iranit të "kishte kujdes" ndërsa bisedimet po zhvilloheshin.
Vance e ka pranuar se kjo kishte shkaktuar një ndërprerje të shkurtër të bisedimeve.
"Pati pak kërcënime, pati pak ankesa, por në fund të ditës, bisedimet vazhduan dhe ne bëmë përparim të madh”, ka thënë ai.
SHBA-ja dhe Irani kanë nisur të dielën në Lucern të Zvicrës bisedimet për zgjidhjen e çështjeve më problematike, siç janë programi bërthamor i Iranit dh Ngushtica e Hormuzit.
Bisedimet parashihet në marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve javën e kaluar. Marrëveshja është arritur pas afro katër muajsh lufte.