Botë

Bill Gates do ta falë pasurinë deri në fund të vitit 2045

Bill Gates

Foto: Associated Press

Miliarderi amerikan, Bill Gates, ka premtuar të enjten se do të falë pothuajse të gjithë pasurinë e tij personale në dy dekadat e ardhshme, duke thënë se më të varfrit e botës do të marrin deri në 200 miliardë dollarë përmes fondacionit të tij, në kohën kur qeveritë në të gjithë botën janë duke tkurrur ndihmat ndërkombëtare, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”. 

Bashkëthemeluesi i Microsoftit, miliarderi 69-vjeçar dhe filantropi ka thënë se është duke i përshpejtuar planet për të shpërndarë pasurinë e tij dhe të mbyllë fondacionin Gates më 31 dhjetor 2045.

“Njerëzit do të thonë shumë gjëra për mua kur të vdesë, por jam i bindur se ‘ai vdiq i pasur’ nuk do të jetë një ndër to”, ka shkruar Gates në uebsajtin e tij.

“Ka shumë probleme urgjente për t’u zgjidhur që unë të mbaj për vete burime që mund të përdoreshin për t’i ndihmuar njerëzit”, ka shtuar ai.

Në një kritikë ndaj shkurtimit të ndihmës nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njëkohësisht shtetit që është donatori më i madh në botë, Gates ka theksuar se dëshiron të ndihmojë në ndalimin e vdekjes së foshnjave të porsalindura, fëmijëve dhe nënave nga shkaqe të parandalueshme, të çrrënjosë sëmundje si polio, malaria, fruthi si dhe të reduktojë varfërinë.

“Është e paqartë nëse vendet më të pasura të botës do të vazhdojnë t’i mbrojnë njerëzit më të varfër”, ka deklaruar ai, duke përmendur shkurtimet edhe nga donatorët të tjerë të mëdhenj si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.