Shumë të rinj koreano-jugorë thonë se, ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit e tyre, ata nuk e ndiejnë detyrimin për të pasur familje. Ata përmendin pasigurinë e një tregu të zymtë të punës, strehimin e shtrenjtë, pabarazinë gjinore dhe sociale, nivelet e ulëta të lëvizshmërisë sociale dhe shpenzimet e mëdha të rritjes së fëmijëve në një shoqëri brutale konkurruese.
Gjyshja e Yoo Young Yi lindi gjashtë fëmijë. Nëna e saj lindi dy. Yoo nuk dëshiron asnjë.
“Burri im dhe unë i pëlqejmë shumë foshnjat ... por ka gjëra që do të na duhej t'i sakrifikonim nëse rritim fëmijë”, tha Yoo, punonjëse 30-vjeçare e kompanisë financiare të Seulit. “Kështu që është bërë një çështje zgjedhjeje midis dy gjërave dhe ne kemi rënë dakord të fokusohemi më shumë te vetja”.
Ka shumë si Yoo në Korenë e Jugut që kanë zgjedhur ose të mos kenë fëmijë ose të mos martohen. Vende të tjera të përparuara kanë tendenca të ngjashme, por kriza demografike e Koresë së Jugut është shumë më e keqe.
Agjencia e statistikave të Koresë së Jugut njoftoi në shtator se shkalla totale e fertilitetit - numri mesatar i foshnjave të lindura nga çdo grua në vitet e saj riprodhuese - ishte 0.81 vitin e kaluar. Ky është niveli më i ulët në botë për të tretin vit radhazi.
Popullsia u tkurr për herë të parë në vitin 2021, duke nxitur shqetësimin se një popullsi në rënie mund të dëmtojë rëndë ekonominë – e 10-a më e madhe në botë – për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe shpenzimeve më të mëdha të mirëqenies, ndërsa numri i të moshuarve rritet dhe numri i taksapaguesve zvogëlohet.
Presidenti Yoon Suk Yeol ka urdhëruar politikëbërësit të gjejnë hapa më efektivë për t'u marrë me problemin. Shkalla e lindshmërisë, tha ai, po bie edhe pse Koreja e Jugut shpenzoi 280 trilionë won (210 miliardë dollarë) gjatë 16 vjetëve të fundit në përpjekje për të kthyer valën.
Shumë të rinj koreano-jugorë thonë se, ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit e tyre, ata nuk e ndiejnë detyrimin për të pasur familje. Ata përmendin pasigurinë e një tregu të zymtë të punës, strehimin e shtrenjtë, pabarazinë gjinore dhe sociale, nivelet e ulëta të lëvizshmërisë sociale dhe shpenzimet e mëdha të rritjes së fëmijëve në një shoqëri brutale konkurruese. Gratë ankohen gjithashtu për një kulturë të vazhdueshme patriarkale që i detyron ato të bëjnë pjesën më të madhe të kujdesit ndaj fëmijëve, ndërkohë që durojnë diskriminimin në punë.
"Me pak fjalë, njerëzit mendojnë se vendi ynë nuk është një vend i lehtë për të jetuar", tha Lee So-Young, një ekspert i politikave të popullsisë në Institutin Korean për Shëndetin dhe Çështjet Sociale. "Ata besojnë se fëmijët e tyre nuk mund të kenë jetë më të mirë se ata dhe kështu pyesin pse duhet të shqetësohen për të pasur foshnja".
Siguria sociale
Shumë njerëz që dështojnë të hyjnë në shkolla të mira dhe të kenë punë të denja mendojnë se janë bërë “të braktisur”, të cilët “nuk mund të jenë të lumtur” edhe nëse martohen dhe kanë fëmijë, sepse Koresë së Jugut i mungojnë rrjetet e avancuara të sigurisë sociale, tha Choi Yoon Kyung, një ekspert në Instituti i Koresë së Kujdesit dhe Edukimit për Fëmijët. Ajo tha se Koreja e Jugut nuk arriti të krijojë programe të tilla mirëqenieje gjatë rritjes së saj ekonomike shpërthyese në vitet 1960-1980.
Yoo, punonjësja financiare e Seulit, tha se derisa shkoi në kolegj, ajo donte shumë një fëmijë. Por ajo ndryshoi mendje kur pa kolege femra të zyrës që thërrisnin fëmijët e tyre nga tualeti i kompanisë për t'i kontrolluar ose largoheshin herët kur fëmijët e tyre ishin të sëmurë. Ajo tha se kolegët e saj meshkuj nuk duhej ta bënin këtë.
“Pasi e pashë këtë, kuptova se përqendrimi im në punë do të zvogëlohej shumë nëse do të kisha fëmijë”, tha Yoo.
Burri i saj 34 vjeçar, Jo Jun Hwi, tha se nuk mendon se të kesh fëmijë është e nevojshme. Një përkthyes në një kompani të teknologjisë së informacionit, Jo tha se dëshiron të shijojë jetën e tij pas viteve të kërkimit shterues të punës që e bëri atë "të ndihej sikur po qëndroja në buzë të një shkëmbi".
Nuk ka shifra zyrtare se sa koreano-jugorë kanë zgjedhur të mos martohen apo të kenë fëmijë. Por të dhënat nga agjencia kombëtare e statistikave tregojnë se kishte rreth 193 mijë martesa në Korenë e Jugut vitin e kaluar, nga një kulm prej 430 mijë në 1996. Të dhënat e agjencisë tregojnë gjithashtu rreth 260.600 foshnja të lindura në Korenë e Jugut vitin e kaluar, nga 691.200 në vitin 1996 dhe një kulm prej 1 milion në vitin 1971. Shifrat e fundit ishin më të ulëtat që kur agjencia e statistikave filloi të përpilonte të dhëna të tilla në vitin 1970.
Kang Han Byeol, një dizajner grafik 33-vjeçar, i cili ka vendosur të mbetet beqar, beson se Koreja e Jugut nuk është një vend i mirë për të rritur fëmijë. Ajo përmendi zhgënjimin me pabarazitë gjinore, krimet e përhapura digjitale seksuale që synojnë gratë si kamerat spiune të fshehura në tualetet publike dhe një kulturë që injoron ata që shtyjnë për drejtësi sociale.
“Unë mund ta konsideroj martesën kur shoqëria jonë bëhet më e shëndetshme dhe u jep status më të barabartë grave dhe burrave”, tha Kang.
Shoqja e dhomës 26 vjeçare e Kang, Ha Hyunji, gjithashtu vendosi të qëndronte beqare pasi mikeshat e saj të martuara e këshilluan atë të mos martohej sepse shumica e punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët u bien atyre. Ha shqetësohet për shumën e madhe të parave që do të shpenzonte për çdo mësim privat të fëmijëve të ardhshëm për t'i parandaluar ata që të mbeten prapa në një komb të fiksuar pas arsimit.
"Unë mund të kem një jetë argëtuese pa martesë dhe të shijoj jetën time me miqtë e mi", tha Ha, e cila drejton një bar koktej në Seul.
Kontrolli i lindjes
Deri në mesin e viteve 1990, Koreja e Jugut mbajti programe të kontrollit të lindjes, të cilat fillimisht u nisën për të ngadalësuar shpërthimin e popullsisë së vendit të pasluftës. Vendi shpërndau pilula kontraceptive dhe prezervativë falas në qendrat mjekësore publike dhe ofroi përjashtime nga trajnimi rezervë ushtarak për burrat nëse ata kishin një vazektomi.
Shifrat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se një grua nga Koreja e Jugut ka lindur mesatarisht rreth katër deri në gjashtë fëmijë në vitet 1950 dhe 1960, tre deri në katër në vitet 1970 dhe më pak se dy në mesin e viteve 1980.
Koreja e Jugut ka ofruar një sërë stimujsh dhe programe të tjera mbështetëse për ata që lindin shumë fëmijë. Por Choi, eksperti, tha se shkalla e fertilitetit ka rënë shumë shpejt për të parë ndonjë efekt të prekshëm. Gjatë një takimi të grupit të punës të qeverisë muajin e kaluar, zyrtarët thanë se së shpejti do të formulojnë masa gjithëpërfshirëse për të përballuar sfidat demografike.
Në vitin 2021, kur Yoo dhe Jo postuan vendimin e tyre për të jetuar pa fëmijë në kanalin e tyre në YouTube, "You Young You Young", disa postuan mesazhe duke i quajtur "egoistë" dhe duke u kërkuar atyre të paguanin më shumë taksa. Mesazhet gjithashtu e quanin Jon "steril" dhe e akuzonin Yoo-n për "manipulim" të bashkëshortit të saj.
Lee Sung-jai, një 75-vjeçar, banor i Seulit, tha se është "rendi i natyrës" që njerëzimi të martohet dhe të lindë fëmijë.
“Këto ditë, shoh disa gra të reja (të pamartuara) që ecin me qen në karroca dhe thonë se janë nënat e tyre. A i kanë lindur ata qen? Ato janë vërtet të çmendura”, tha ai.
Seo Ji Seong, 38 vjeç, tha se ajo është quajtur shpesh një patriote nga të moshuarit për faktin se kishte shumë foshnje, megjithëse ajo nuk i lindi ato për interesin kombëtar. Ajo pret një fëmijë të pestë në janar.
Familja e Seo kohët e fundit u zhvendos në një apartament pa qira në qytetin e Anyang, i cili u sigurua bashkërisht nga korporata shtetërore Korea Land and Housing Corporation dhe qyteti për familjet me të paktën katër fëmijë. Seo dhe bashkëshorti i saj, Kim Dong Uk, 33 vjeç, marrin mbështetje të tjera shtetërore, megjithëse është ende e vështirë ekonomikisht të rritësh katër fëmijë.
Kim tha se i pëlqen të shohë secilin prej fëmijëve të tij duke u rritur me personalitete dhe talente të ndryshme, ndërsa Seo ndjen se aftësitë sociale të fëmijëve të tyre ndihmohen gjatë lojës dhe konkurrencës me njëri-tjetrin në shtëpi.
“Ata janë të gjithë kaq të lezetshëm. Kjo është arsyeja pse unë kam vazhduar të lindë foshnja, edhe pse është e vështirë", tha Seo.
Përktheu: Forca Jashari