Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bidenit i bëhet thirrje “ta shpëtojë Bosnjën”

Pavarësisht se sa e parëndësishme mund të duket çështja e Bosnje dhe Hercegovinës në raport me çështjet tjera në botë, ajo ka rëndësi të veçantë dhe globale, sipas një letre drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, në të cilën një grup intelektualësh nga Bosnja e Hercegovina kanë kërkuar ndihmën e SHBA-së për të lehtësuar të ardhmen në këtë shtet.

“Jemi falënderues për interesimin tuaj për shtetin dhe rajonin në të kaluarën dhe jemi të vetëdijshëm që kemi një mik të madh te ju dhe shteti juaj. Andaj kemi vendosur që t’ju kërkojmë ndihmën dhe përkrahje në përpjekjet tona për të liruar shtetin tonë, si qytetarë të Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në letrën drejtuar Bidenit në muajin e shkuar.

Nënshkruesit e kësaj letre i kanë shpalosur pesë pengesa kryesore për të ardhmen demokratike të Bosnjës dhe pesë hapa të cilat ata i shohin të domosdoshëm për të kthyer shtetin në rrugën e duhur.

E ardhmja unike

Në mesin e këtyre pikave, ekspertët kanë paralajmëruar për abuzime të Marrëveshjes së Daytonit nga “forcat politike të Serbisë dhe Kroacisë që gjejnë rrugë për të përdorur interpretime të papranueshme dhe destruktive të marrëveshjes, për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të BeH-së”.

“Si rezultat, autoritetet e të dy shteteve vazhdimisht, pareshtur, minojnë sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po bëjnë gjithçka që munden për të mbajtur shtetin tonë të dobët dhe jofunksional, duke përkeqësuar ndarjet e brendshme dhe duke inkurajuar forca të caktuara që duan shpërbërjen e shtetit”, thuhet në letër, siç raportojnë mediumet boshnjake.

Më tej theksohet se e ardhmja e BeH-së duhet të shtrihet në unitet shoqëror, por autoritetet në shtetet fqinje “dhe klientët e tyre në shtetin tonë” po promovojnë e po i thellojnë dallimet, që parandalojnë konsolidimin e BeH-së, përmes ndërhyrjeve në procesin e integrimit evropian dhe në NATO.

Letra thekson se sistemi kushtetues, i zhvilluar sipas Marrëveshjes së Daytonit, ka krijuar njësi të ndara që kundërshtojnë njëra-tjetrën duke rivalizuar vazhdimisht.

Këta ekspertë kanë kërkuar nga SHBA-ja që të përforcojë sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, brenda dhe në aspekt ndërkombëtar, duke “konsoliduar dhe stabilizuar situatën në Evropën Juglindore që varet nga njohja e sovranitetit të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës nga Serbia e Kroacia, që duhet t’i japin fund përzierjes në BeH”.

Angazhimi në NATO

Angazhimi ndërkombëtar, që nënkupton ndihmën e BE-së dhe SHBA-së, shihet si i domosdoshëm për të parandaluar ndërhyrjet joevropiane në BeH.

“Shumica e kuptojnë rëndësinë dhe duan anëtarësimin në NATO. Shpresojmë se kjo është mbështetja e SHBA-së dhe BE-së, sepse pranimi në NATO është mënyra më e mirë për të qetësuar shqetësimet për armatimin në Serbi e Kroaci”, thuhet në letër.

Letra kërkon edhe rikthim të besimit shoqëror duke larguar rrëfimet e rrejshme nga gjuha e politikanëve dhe bashkimin e forcave demokratike në vend.

Pika e katërt e cila kërkohet nga këta ekspertë është luftimi i ideologjive të ndarjes dhe urrejtjes, ndërsa në të pestën i bëhet thirrje Bidenit të ndihmojë Bosnjën për sundim të mirëfilltë të ligjit.

Letra është në nënshkruar nga prof. Mile Babiq, prof. Fikret Çausheviq, aktivisti politik Jakob Finci, profesori Rasim Gaçanoviq, profesori Kadrija Hoxhiq, prof. Tatjana Konjiq, prof., Rusmir Mahmutçehajiq, prof. Ivo Markoviq, historiani Desmond Maurer, prof. Krsto Mijanoviq, prof. Zharko Papiq dhe përfaqësuesi i shtetit Zdenko Vukiq.

Artikuj të ngjashëm