Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur objektivin e vendosur nga presidenti i ri Joe Biden për të injektuar 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, pothuajse një muaj përpara afatit të vendosur prej tij për 100 ditët e para në detyrë.
Arritja u bë e ditur ndërsa presidenti po përgatitej të vendoste një objektiv më të lartë për vaksinimin në mbarë vendin. Shtetet e Bashkuara po bëjnë tashmë rreth 2.5 milionë vaksinime në ditë. Presidenti Biden, i cili premtoi ta përcaktojë javën e ardhshme objektivin e ri për vaksinimet, sugjeroi mundësinë e vendosjes së shifrës 200 milionë vaksinime për 100 ditët e para në detyrë.
Ai u tha gazetarëve të premten se “mund të jemi në gjendje ta dyfishojmë”. Komentet e tij vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara pritet të sigurojnë në vetëm 10 javë vaksina të mjaftueshme nga kompanitë Pfizer, Moderna dhe Johnson&Johnson, për të vaksinuar të gjithë popullsinë në moshë madhore.
Ritmi pritet të rritet në mënyrë dramatike më vonë gjatë këtij muaji me marrjen e një sasie vaksinash, duke iu afruar kështu edhe më shumë arritjes së objektivit prej 200 milionë injeksionesh.
Më shumë se 75.4 milionë njerëz, ose 22.7% e popullsisë amerikane, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Rreth 40.9 milionë njerëz, ose 12.3% e popullsisë, kanë përfunduar vaksinimin e tyre.
Mesatarja shtatë-ditore për rastet e reja ditore në Shtetet e Bashkuara u ul gjatë dy javëve të fundit nga 62 mijë e 263 në 4 mars, në 54 mijë e 453 të enjten, sipas Universitetit Johns Hopkins. Mesatarja shtatë-ditore për vdekjet ditore në SHBA u ul gjatë dy javëve të fundit nga 1784 në 4 mars, në 1238 të enjten./VoA
-
SHBA-ja ka administruar me 300 milionë doza të vaksinës anti-COVID brenda 150 ditëve
-
Qëllimi i ri i Bidenit, 200 milionë vaksina në 100-ditëshin e parë si president
-
Hiqet detyrimi për vaksinim kundër COVID-19
-
SHBA-ja do të dhurojë edhe 500 milionë doza të vaksinës anti-COVID
-
Bideni pritet ta bëjë të obligueshëm vaksinimin për rreth 100 milionë amerikanë