Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se homologu i tij rus, Vladimir Putin "po përpiqet të gjejë pak oksigjen" duke vendosur një armëpushim 36-orësh në Ukrainë nga mesdita e së premtes, për të shënuar Krishtlindjet Ortodokse.
“Unë hezitoj t'i përgjigjem çdo gjëje që thotë Putini. Më duket interesante. Ai ishte gati të bombardonte spitalet, çerdhet dhe kishat më 25 dhjetor dhe në natën e Vitit të Ri. Unë mendoj se ai po përpiqet të gjejë pak oksigjen”, u ka thënë Bideni gazetarëve i pyetur për urdhrin e presidentit rus.
Putini ka urdhëruar një armëpushim për festat e Krishtlindjeve, raportoi BBC-ja të enjten.
Në njoftimin e Kremlinit, sipas BBC-së, u tha që Putini ka urdhëruar ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të vendosë armëpushim.
“Putini i kërkoi Shoigut që të vendoste një regjim armëpushimi nga ora 12:00 e 6 janarit deri në orën 24:00 të 7 janarit, përgjatë gjithë linjës luftarake të palëve në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.