Presidenti amerikan, Joe Biden, zyrtarisht do të njoftojë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në fillim të javës së ardhshme. Burimet e afërta me presidentin kanë thënë për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se data e saktë e zyrtarizimit të fushatës ende nuk dihet.
Mirëpo është raportuar se Bideni do ta zyrtarizojë kandidaturën më 25 prill, katër vjet që prej ditës kur demokrati hyri në garën për presidencialet e vitit 2020.
Bideni vazhdimisht ka thënë se dëshiron të garojë për mandatin e dytë, por këshilltarët e tij kanë thënë se nuk ishte ngutur me vendimin për garë për shkak se nuk pritet të përballet me ndonjë rival të fuqishëm brenda partisë.
Ndërkaq, përkrahja për të në javët e fundit është më e ulëta qëkur mori drejtimin e SHBA-së dhe shumë bashkëpartiakë janë shprehur kundër kandidimit të tij për mandatin e dytë si president.