Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni kërkon gjykimin e Putinit për krime lufte

Shtetet perëndimore kanë akuzuar Rusinë për gjenocid në Ukrainë pas xhirimeve që dëshmuan varrezat masive e krimet kundër njerëzimit në qytetet ukrainase pas tërheqjes së trupave ruse. Gjermania ka dëbuar diplomatë rusë nga vendi nga frika se rrezikohen refugjatët ukrainas, derisa Londra ka thënë se ka prova se rusët kanë masakruar e përdhunuar civilë në qytetet e pushtuar. Kryeministri spanjoll ka thënë se në Bucha është kryer gjenocid

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për gjykimin e homologut rus, Vladimir Putin, për krime lufte, duke njoftuar njëherësh se do të kërkojë sanksione të reja pas masakrave të fundit në Ukrainë.

“Në rregull, kam një koment që dua ta bëj para se ta nis ditën. Ju mund ta kujtoni se jam kritikuar pse e quajta Putinin kriminel lufte. Mirë, e vërteta është se e pamë çfarë ndodhi në Bucha. Kjo e përligj këtë. Ai është kriminel lufte”, deklaroi Bideni. Megjithatë, Bideni nuk i quajti veprimet gjenocid.

Pasojat “e flirtit të Perëndimit me Putinin”

Komentet e Bidenit për gazetarët erdhën pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, vizitoi Buchan, një nga qytetet përreth Kievit, ku zyrtarët ukrainas thonë se janë gjetur trupat e civilëve. Zelenskyy i quajti veprimet ruse "gjenocid" dhe i bëri thirrje Perëndimit që të zbatojë sanksione më të ashpra kundër Rusisë.

Ai iu drejtua shkurtimisht kamerave rreth tij, duke thënë se ishte "shumë e vështirë" për Ukrainën të negocionte me Rusinë pas mizorive të kryera nga forcat ruse në Bucha. Zelenskyy tha se mizoritë e kryera në qytet karakterizojnë natyrën e ushtrisë ruse dhe shtoi se ata i trajtojnë njerëzit më keq se kafshët.

Edhe Putini e sheh planin e paqes si pikënisje, i kërkon Ukrainës të tërhiqet Botë 7 muaj më parë Putini e sheh planin e paqes si pikënisje, i kërkon Ukrainës të tërhiqet

“Është shumë e vështirë të negociosh kur sheh se çfarë kanë bërë këtu”, theksoi presidenti teksa qëndronte në qytet, i rrethuar nga ushtria. Ai paralajmëroi se sa më gjatë të vonojë Federata Ruse bisedimet me Ukrainën aq më keq bëhet situata.

I veshur me xhaketë ushtrie, foli për udhëheqësit e vendeve që morën vendimet nëse Ukraina duhet të jetë anëtare e NATO-s.

“Unë mendoj se ata duhet të vijnë këtu dhe të shohin se si përfundojnë këto lojëra, si ky flirtim me federatën ruse,” tha ai.

Trupat e 410 civilëve janë hequr nga qytetet e zonës së Kievit që u morën kohët e fundit nga forcat ruse, tha prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova. Gazetarët e Associated Press panë trupat e të paktën 21 personave në pika të ndryshme rreth Buchas, në veriperëndim të kryeqytetit.

“Ne duhet të vazhdojmë t'i ofrojmë Ukrainës armët që i nevojiten për të vazhduar luftën. Dhe ne duhet të mbledhim të gjitha detajet në mënyrë që kjo të mund të jetë e vërtetë -- të kemi një gjyq për krimet e luftës", tha Bideni, duke e quajtur Putinin "brutal".

"Ajo që po ndodh në Bucha është e egër dhe të gjithë e shohin atë", shtoi Biden.

Rusia, më e zezë se ISIS-i

Autoritetet ukrainase kanë thënë se vrasja e civilëve nga forcat ruse në qytetin e Buchas është krimi më i tmerrshëm i kryer në shekullin 21. Qeveria ukrainase madje ka thënë se Rusia po tregohet më e tmerrshme se Shteti Islamik në Siri dhe Irak, që kishte kryer krime makabre në vitin 2014 në territoret siriane dhe irakiane.

Ndërkohë, Kremlini ka reaguar pas dëshmive për krime lufte në qytezat në periferi të Kievit, duke thënë se krimet janë kryer nga forcat ukrainase për t’i fajësuar rusët pas tërheqjes së tyre. Shtetet e fuqishme perëndimore kanë reaguar menjëherë, duke akuzuar Moskën për krime lufte.

“Shpresoj se gjithçka e mundshme mund të bëhet me qëllim që ata që qëndrojnë prapa këtyre krimeve të luftës të mos mbesin pa u ndëshkuar, dhe të mund të dalin para drejtësisë, në këtë rast para Gjykatës Ndërkombëtare Penale, për të dhënë llogari për këto raste krimesh kundër njerëzimit, krime lufte dhe pse të mos e themi edhe gjenocidi”, ka deklaruar kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez.

Edhe Qeveria gjermane është tronditur me pamjet e varrezave masive. Prokuroria ukrainase raporton për së paku 400 civilë të vrarë nëpër rrugë dhe varreza masive në rrethinën e kryeqytetit të Ukrainës. Fotografitë dhe pamjet e xhiruara gjatë fundjavës kanë treguar dhjetëra të vdekur në lagjet periferike të Kievit pas tërheqjes së trupave ruse.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për një seri të re sanksionesh si kundërpërgjigje ndaj raporteve për vrasje masive në rrethinën e Kievit.

“Të gjithë jemi jashtëzakonisht të tronditur dhe kemi dënuar me tërë qenien. Pastaj, është e qartë se ka dëshmi të dukshme të krimeve të luftës. Në Bucha ishte ushtria ruse. Ne u kemi thënë autoriteteve ukrainase se jemi në gjendje gatishmërie për të ndihmuar me hetimet që po i kryejnë”, ka deklaruar Macron. “Duhet të mbisundojë drejtësia ndërkombëtare. Ata që i kanë kryer këto krime, duhet të japin llogari për to”.

Edhe Moska i quan të parëndësishme mendimet e Merzit për luftën në Ukrainë Botë 10 muaj më parë Moska i quan të parëndësishme mendimet e Merzit për luftën në Ukrainë

Kryeministri polak u ka bërë thirrje liderëve evropianë që t’i vënë sanksione më të ashpra Moskës, pasi negociatat me Kremlinin nuk kanë arritur kurrfarë suksesi për ndaljen e luftës në Ukrainë.

Në Mariupol e Odesë ende raportohet për sulme e bombardime ajrore që kanë për qëllim marrjen e kontrollit të zonës jugore dhe lindore për të krijuar lidhje tokësore me rajonet separatiste në Donbas.

Gjermania dëbon diplomatët rusë

Gjermania po dëbon "një numër të konsiderueshëm" zyrtarësh në Ambasadën ruse, duke i shpallur "persona non grata", njoftoi të hënën ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Zyrtarët rusë "kanë punuar çdo ditë kundër lirisë sonë dhe kundër kohezionit të shoqërisë sonë këtu në Gjermani", tha Baerbock.

“Puna e tyre është kërcënim për ata që kërkojnë strehim te ne. Ne nuk do të vazhdojmë ta tolerojmë këtë. Kështu i thamë ambasadorit rus sot”, shtoi ajo.

Imazhet nga qyteti ukrainas i Buchas "dëshmojnë brutalitetin e jashtëzakonshëm të udhëheqjes ruse dhe atyre që ndjekin propagandën e tyre, të një vullneti për shkatërrim që po kalon të gjithë kufijtë", tha gjithashtu ministrja.

“Ne duhet të kemi frikë se foto të ngjashme (do të dalin) nga shumë vende të tjera të pushtuara nga forcat ruse”, vazhdoi ajo.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se Rusia duhet të pezullohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut pas "vrasjes pa dallim të civilëve" në Ukrainë, duke shtuar se "janë kryer krime lufte".

Komentet e Trussit erdhën të hënën, ndërsa fliste së bashku me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në Varshavë.

"Ne të gjithë jemi të tmerruar nga skenat në Bucha”, tha Truss. "Është shumë e qartë se krimet e luftës kanë ndodhur”.

Truss shtoi se Mbretëria e Bashkuar dëshiron që "drejtësia të vihet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare" dhe tha se Britania do të sigurojë fonde shtesë për ICC-në.

Edhe Valë e ashpër e sulmeve ruse në Ukrainë, zbehen përpjekjet për marrëveshje Botë 10 muaj më parë Valë e ashpër e sulmeve ruse në Ukrainë, zbehen përpjekjet për marrëveshje

“Ne kemi parë masakra, prova të përdhunimit dhe dhunës seksuale, si dhe vrasje pa dallim të civilëve”, shtoi Truss. “Ne nuk do të pushojmë derisa këta kriminelë të dalin para drejtësisë. Ne e kemi të qartë se pas këtyre krimeve të tmerrshme, Rusia nuk ka vend në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”, tha Truss.

Përgatiti: Rexhep Maloku