Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni i alarmuar nga katastrofat, bën thirrje për ashpërsim të betejës

Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se ndryshimet klimatike janë krizë e gjithë njerëzimit teksa ka vizituar lagjet e goditura nga uragani Ida.

Bideni ka thënë se është koha që Amerika të jetë më serioze përball rrezikut ose do të përballet me humbje të mëdha jetësh gjatë viteve të ardhshme.

Nga uragani i fuqishëm në shtetet lindore të SHBA-së humbën jetën 50 persona. Presidenti amerikan ka thënë se shkencëtarët dhe ekonomistët kanë tërhequr vërejtjen shumë vite më parë për ndryshimet klimatike dhe se situata tani ka arritur në pikën kritike.

Ka thënë se kërcënimi nga ndryshimet klimatike është i dukshëm dhe se situata nuk do të përmirësohet.

Presidenti amerikan ka bërë thirrje që kërcënimet nga zjarret, uraganet, tornadot dhe përmbytjet, duhet të menaxhohen në forma që do të shmangnin humbjet e mëdha.

Plani i Bidenit për shpenzimin e 1 trilionë dollarëve për infrastrukturën kombëtare është në pritje të Kongresit, ndërkaq Shtëpia e Bardhë ka kërkuar miratimin e 24 miliardë dollarëve për dëmet e uraganit Ida dhe katastrofave tjera natyrore që në muajt e fundit kanë goditur SHBA-në.