Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe paraardhësi i tij, Donald Trump, kanë triumfuar në garat paraprake edhe në disa shtete tjera gjatë “Super të Martës” dhe gati është e sigurt një ripërballje mes tyre në zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor, raporton agjencia “AP”.
Fitoret e tyre të së martës, përfshirë edhe në shtetet që kanë shumë delegatë si Kalifornia e Teksasi, kanë lënë pak dyshim për trajektoren e garës. Rivalja e Trumpit në garën për nominim nga republikanët, Nikki Haley, arriti një fitore befasuese në Vermont, duke ia mohuar Trumpit një fitore të plotë në “Super të Martën”.
Mirëpo, ish-presidenti Trump ka fituar shtetet tjera si Virginia, Massachusetts dhe Maine, ku ishte menduar se Haley do të mund ta rivalizonte.
E presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden, betejën e vetme që e humbi në “Super të Martën” në zgjedhjet paraprake të demokratëve, ishte në Samoan Amerikan, një territor i vogël amerikan në jug të Paqësorit. Biden u mposht nga kandidati jo shumë i njohur Jason Palmer, 51:40 me vota.
Duhet pritur deri në fund të muajit, derisa të votojnë shumica e shteteve në SHBA, për t’u zyrtarizuar nominimi i Trumpit apo Bidenit për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Por, bazuar në rezultatet e të martës, duket thuajse e kryer se do të ketë ripërballje mes tyre. Bideni 81-vjeçar e Trumpi 77-vjeçar po vazhdojnë të dominojnë në partitë e tyre ndonëse po shtrohen pyetje lidhur me moshën e tyre.
Edhe
Trumpi synon “ta nokautojë” rivalen partiake, Nikki Hailey, në votimet e “Super të Martës”
Biden e kishte mposhtur Trumpin në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2020.
Rivalja e Trumpit te Republikanët, Nikki Haley, ka shikuar privatisht rezultatet e zgjedhjeve të së martës dhe nuk kishte ndonjë ngjarje të organizuar nga ekipi i fushatës së saj. Por, në një komunikatë të lëshuar nga ekipi është thënë se rezultatet reflektojnë se ka shumë republikanë “që po shprehin shqetësim të thellë për Donald Trumpin”.
“Bashkimi nuk arrihet thjeshtë duke pretenduar ‘jemi të bashkuar’”, ka thënë zëdhënësja Olivia Perez-Cubas.
Ndërkohë në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago ishte përgatitur një aheng i madh për ta festuar fitoren. Turma e mbledhur shpërtheu në festë kur “Fox News” njoftoi se Trump ka fituar parapraket në Karolinë të Veriut.
“E quajnë ‘Super e Marte’ për një arsye”, ka thënë Trump.
Ai vazhdoi sulmet ndaj Bidenit në lidhje me kufirin SHBA – Meksikë dhe po ashtu me tërheqjen e SHBA-së nga Afganistani.
Bideni nuk mbajti fjalim, por lëshoi një komunikatë duke paralajmëruar se rezultatet e të martës kanë lënë amerikanët me një “zgjedhje të qartë”.
Edhe
Trump i afrohet nominimit nga republikanët pas një serie të fitoreve
“Nëse Donald Trumpi kthehet në Shtëpinë e Bardhë, atëherë gjithë ky përparim është në rrezik”, ka thënë Biden. “Ai është i shtyrë nga hidhërimi, i fokusuar në hakmarrje dhe ndëshkim, e jo te populli amerikan”.
Në “Super të Martën” u mbajtën garat paraprake në 15 shtete të SHBA-së.