I nominuari nga radhët e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Joe Biden, ka kritikuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se po e minimizon rrezikon nga koronavirusi. Biden ka thënë se ka shumë për t’u shqetësuar.
Ai ka thënë se presidenti duhet të komunikojë “mësimet e duhura” sa i përket maskave dhe distancës sociale.
Kritikat e Bidenit kanë ardhur pasi Trumpi i ka thënë amerikanëve të mos frikësohen nga COVID-19.
Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë për të vazhduar trajtimin për koronavirus, pas tri netëve të kaluara në spital.
Presidenti, që është ende infektues, kishte hequr maskën në ballkon të Shtëpisë së Bardhë ndërsa pozoi për fotografi.
Derisa ai më nuk është në spital, mjeku i tij ka thënë se ai mund të mos e ketë kaluar tërësisht rrezikun.
Duke folur për televizionin NBC, Biden, ka thënë se është i lumtur që presidenti Trump po duket se po rikuperohet mirë, por ka thënë se shpreson që presidenti të komunikojë mësimet e duhura.
“Unë shpresoj që presidenti, pasi ka kaluar nëpër atë që kaloi...do të komunikojë mësimet e duhura për amerikanët. Maska ka rëndësi. E vetmja gjë që kam parë ka qenë një nga postimet e tij në Twitter, ku thotë të mos jeni të shqetësuar për gjithë këtë. Ka shumë për t’u shqetësuar. 210 mijë persona kanë vdekur”, ka thënë Biden.
Biden: Demokracia amerikane është nën sulm, për të gjitha është faji i Trumpit
Po ashtu edhe ish-zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama, ka kritikuar reagimin e presidentit.
Ajo i ka bërë thirrje amerikanëve të votojnë Bidenin “sikur jeta e tyre të varet nga kjo”.
“Shtatë muaj më vonë, ai (Trump) ende nuk ka një plan për këtë virus. Shtatë muaj më vonë, ai ende nuk mban në mënyrë konstante maskën dhe nuk i inkurajon tjerët të bëjnë këtë – edhe pse me veprim kaq të thjeshtë do të mund të shpëtonte shumë jetë. Ai vazhdon t’i manipulojë amerikanët duke u sjellë sikur pandemia nuk është rrezik i vërtetë”, ka thënë Michele Obama.