Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Biden për komentet e Trumpit për NATO-n: Joamerikane dhe të rrezikshme

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë të martën se komentet e Donald Trumpit që vënë në pikëpyetje angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e NATO-s nga sulmet ishin “të rrezikshme” dhe “joamerikane”, pasi komentet e ish-presidentit mbollën frikë në mesin e partnerëve të SHBA-së për besueshmërinë e saj në skenën globale.

Trump, kandidati kryesor i republikanëve për zgjedhjet presidenciale, ka thënë të shtunën se ai një herë paralajmëroi se do ta lejonte Rusinë të bënte çfarë të donte ndaj vendeve anëtare të NATO-s që janë “delikuente” për t’ia kushtuar 2% të bruto-produktit të tyre të brendshëm (PBB) në mbrojtje. Ishte rasti i fundit në të cilin ish-presidenti amerikan dukej se ishte në anën e një shteti autoritar mbi aleatët demokratikë të Amerikës.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë ndërsa inkurajoi Dhomën e Ulët për ta aprovuar projektligjin, të miratuar nga Senati, për të financuar përpjekjet e Ukrainës për të penguar pushtimin rus, Bideni ka thënë se komentet e Trumpit në lidhje me paktin e mbrojtjes reciproke ishin “të rrezikshme dhe tronditëse”.

“E gjithë bota e dëgjoi dhe gjëja më e keqe është se ai e mendon atë vërtetë”, shtoi Biden.

Biden ka thënë se “kur SHBA-ja jep fjalën e saj, kjo do të thotë diçka” dhe i quajti komentet e Trumpit si “joamerikane”.

“Ai nuk e kupton se angazhimi i shenjtë që ne kemi dhënë funksionon edhe për ne”, ka deklaruar Biden.

Edhe NATO dhe zyrtarë evropiane reagojnë pas komenteve të Trumpit për mbrojtjen e aleatëve Botë NATO dhe zyrtarë evropiane reagojnë pas komenteve të Trumpit për mbrojtjen e aleatëve

Klauzola e mbrojtjes reciproke e Nenit 5 të NATO-s thotë se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të saj do të konsiderohet si sulm kundër të gjithë anëtarëve. Por Trump shpesh i ka përshkruar aleatët e NATO-s si “shushunja mbi ushtrinë amerikane” dhe ka vënë hapur në dyshim vlerën e aleancës ushtarake që ka përcaktuar politikën e jashtme amerikane për më shumë se 70 vjet.

Që nga pushtimi rus në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022, Bideni ka futur Finlandën në aleancë dhe po i hap rrugën Suedisë për të bërë të njëjtën gjë. Ndërsa Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, aleanca ka shërbyer si kontribues kryesor i përpjekjeve të organizuara nga SHBA-ja për të mbështetur mbrojtjen ushtarake të Kievit në konfliktin gati dyvjeçar.

Aleatët e NATO-s ranë dakord në vitin 2014, pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës, të ndalonin shkurtimet e shpenzimeve që kishin bërë pas Luftës së Ftohtë dhe të shpenzonin 2% të PBB-së së tyre për mbrojtjen deri në vitin 2024. Objektivi i shpenzimeve nuk është obliguese për anëtarët e NATO-s.